Futboll Kategoria Superiore Sport

NGA PROPOZIMI PËR DEPUTET TEK RACIZMI NË SHQIPËRI/ Egbo: S’ka trajner që nuk do ta drejtojë këtë ekip

Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, doli ditën e sotme në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Laçit, e cila do të vlejë sa për statistikë, pasi siç dihet tashmë, Tirana e siguroi zyrtarisht titullin kampion.

Në prononcimin para gazetarëve, Egbo, shprehu hapur dëshirën për të vazhduar nën drejtimin e 25 herë kampionëve të vendit, ndërkohë gjatë konferencës, nuk munguan propozimet për deputet si dhe përgjigjia për të gjithë skeptikët.

A keni marrë oferta nga klube të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë për të marrë drejtimin e tyre?

Është diçka personale, që nuk kam nevojë ta komentoj. Nuk ka mbaruar ende kampionati. Janë edhe 2 ndeshje për t’u luajtur, plus edhe finalen e Kupës. Klubi i Tiranës nuk është një klub i thjeshtë, është kënaqësi ta drejtosh këtë klub të madh në Shqipëri. Për mua nuk është përmbush ende misioni. Jemi në gjysmën e rrugës. Kur të fitojmë Kupën, atëherë do të kemi përmbushur çdo objektiv që është vendosur në fillim të sezonit.

Fillimisht ishit në dilemë për të marrë drejtimin e Tiranës, pastaj dolët kampionë, jeni dhe në finalen e Kupës. Presidenti thotë do flasim pasi të përfundojë sezonin. Egbo vetë, do ta drejtojë Tiranën në sezonin e ardhshëm dhe në Champions?

E thashë dhe më lartë, është klubi më i madh në Shqipëri, nuk ka trajner që nuk do ta drejtojë këtë ekip. Kemi punë për të bërë, kur të mbarojmë punën, do të shikoni lajmet në vazhdim. Nuk dua ta hap si temë fare, sepse e di si do të mbarojnë gjërat. Do keni lajme në vazhdim.

Avdiaj iu bashkua Tiranës. Egbo po merr pjesë në përzgjedhjen e lojtarëve për sezonin e ardhshëm?

Normale, ku është parë, që ekipi të bëjë merkato dhe trajneri të mos marrë pjesë. Në fund të fundit, është trajneri ai që do të drejtojë ekipin. Duhet ta dijë çfarë lojtarësh vijnë, duhet të jetë në të mirën e klubit, skuadrës si strategji, edhe si vendosje për ekipin brenda fushës. Është puna e përbashkët mes trajnerit, drejtorit dhe në vazhdim.

Do të ketë ndryshime në formacion ndaj Laçit?

Gjithmonë do të shohim lojtarët që janë gati për ndeshjen e nesërme. Ata do të jenë gati për ndeshjen e nesërme. Nuk ka kursim. Ka lojtar që kanë pushuar dhe mund të pushojnë edhe nesër. Jemi në rregull. Lojtarët që e shikoj që do të japim maksimumin, do të jenë në fushë nesër. Çdo lojtar është i rëndësishëm dhe duhet të jap maksimumin.

Në qoftë se do të merrnit që propozim për deputet do e pranonit?

Unë nuk jam politikan. Nuk kam qejf të merrem me politikë. Kjo është fusha që unë e njoh shumë mirë punën time. Më mirë rri këtu, te fusha që di të bëj më mirë. Për të drejtuar si politikan, nuk është fusha ime. Një i huaj nuk mund ta flasë gjuhën shqipe më mirë se një shqiptar.

A keni caktuar një datë me presidentit për të biseduar për të ardhmen?

Nuk e di pse të gjithë këtë pyetje. Kemi ndeshje me Laçin nesër. Aty e kam gjithë vëmendjen. Deri në finale duhet të marrim maksimumin nga të gjitha ndeshjet. Duhet të marrim Kupën se s’bën. Do të jetë gjithçka shumë e madhe nëse i fitojmë të dyja për 100-vjetor. Aty e kam mendjen.

Skeptikët e kanë cilësuar si fat ecurinë e Tiranës. Keni përgjigje për këtë skeptikët?

Në qoftë se ndodh diçka 1 herë, quhet fat, por në qoftë se ndodh 17-20 herë nuk quhet fat. Unë jam i bekuar nga Zoti që e kam emrin Emanuel Egbo. Zoti është me mua. Kur të mbarojë çdogjë do të flasim. Zoti ka pjesë në këtë arritje. Zoti nuk ka zbritur nga qielli, por është në stafin tim, në këto objektiv që kemi arritur deri tani. Falenderoj të gjithë skeptikët, se më kanë bërë më të fuqishëm për të vazhduar punën time.

Deklarata për mediat nigeriane që në Shqipëri nuk e kanë pranuar faktin që një njeri me ngjyrë e ka fituar titullin. Kaq shumë e ke nxjerrë racizmin këtë sezon te Tirana?

Ndoshta e kanë keqkutuar si e kanë shpjeguar. Sepse unë thashë që është diçka e vështirë të pranohet nga disa. Unë kam pasur mbështetje nga shumica e njerëzve në Shqipëri. Nga tifozët, ata që kanë qenë pozitivë. Tirana ka dalë kampion sepse ka qenë e rrethuar me njerëz pozitivë.

Ka qenë e rrethuar me harmoni, si një familje. Ka pasur edhe nga ata që nuk kanë dashur ta fitojë Tirana titullin. Gjërat duhen thënë troç. Ka njerëz që kanë folur keq edhe kur kemi qenë duke fituar, prap nuk kanë qenë të kënaqur. Në qoftë se unë do të hap telefonin dhe do të tregoj mesazhet, shumë trajnerë shqiptarë më kanë uruar. Pozitiviteti më jep më shumë fuqi, për të dhënë maksimumin. Jemi përkushtuar shumë deri në fitimin e kampionatit. Gjerat janë siç janë, disa të vërteta duhen thënë.

I druhesh faktit që një vendim i Etikës mund të cenojë titullin kampion?

Nuk kam mendje atje, sepse e di që i gjithë klubi i Tiranës ka qenë i pastër. Çdo gjë që kemi bërë që na fillimi deri në fund e kemi merituar plotësisht fitimin e kampionatit. Që kur kam marrë drejtimin deri në fund e kemi fituar çdo gjë me djersën tonë dhe me punën e përbashkët që kemi bërë.

Në 2 ndeshjet e fundit, mos ndoshta meritojnë edhe lojtarët e stolit të kenë minuta me qenë se Tirana e ka mbyllur matematikisht titullin?

Do të shikojmë lojtarët që janë gati për ndeshjet në vazhdim dhe ata do të përdorim. Mund të ketë lojtarë të dëmtuar, që ju nuk i dini. Jemi ne ata që i stërvisim lojtarët çdo ditë. Ne e dimë, nuk është se po qe se një lojtar është fizikisht mirë duhet hedhur në fushë. Ndikon edhe ana mendore dhe psikologjike. Lojtari duhet të jetë gati, fizikisht, mendërisht, psikologjikisht për të qenë 100% në fushë. Shohim edhe anën shpirtërore, sepse ajo është kryesore. Kur një lojtar nuk është shpirtërisht dhe psikologjikisht mirë, nuk është gati për të qenë në fushë.

Ju i shikoni gjërat nga jashtë, duhet ta prekësh lojtarët. Nuk flas në studio apo vende të tjera, për ekipet e tjera, kur nuk jam brenda tij. Është gabim që bëjnë shumë njerëz. Që flasin për ekipet e tjera, kur nuk janë brenda tyre. Duhet të jesh brenda dhe t’i prekësh gjërat, për t’i kuptuar, kush është gati kush nuk është. Ne që i stërvisim e dimë sa minuta mund të luajë një lojtar që kemi brenda. Gabimi që kanë bërë shumë njerëz është që kanë folur për ne. Gjithsesi ato na kanë ndihmuar shumë për të arritur objektivat.

A do të pranonte Egbo të punonte si trajner portierësh në rast se klubi sjell një trajner të ri?

Nuk kam koment. Jam brenda klubit dhe e di çfarë jemi duke folur. Do ta merrni lajmin në kohën e duhur.

Related posts

Mijëra qytetar me lotë në sy, përcillet për në banesën e fundit legjenda Fadil Vokrri

Sadik.Autor

Bëri historinë në Kupën e Botës/ Ish-trajneri i DINAMOS në “radarët” e gjigantëve botërorë

Isa.Autor

“DUARTROKITJET MË TË MËDHA TË TË GJITHA KOHËRAVE”/ Barcelona poston VIDEO të veçantë nga lamtumira e Messit

Delo.autor

Leave a Comment