Futboll Seria A Sport

NGA VRIONI TEK FAXHOLI/ Ja talentet U-23 që Sarri mendon të dërgojë në fushë me Romën

Juventusi është i projektuar që tani në të ardhmen. Edhe në periudhën afatshkurtër, duke qenë se Sarri u shpreh me fjalë të qarta pas humbjes së mesjavës 2-0 kundër Kaljarit, se mendon të aktivizojë skuadrën U-23 në ndeshjen e fundit me Romën, e programuar për ditën e nesërme në orën 21:45.

Por, do të ishte një grup aspak për t’u nënvlerësuar, janë profile me talent që do të rriten më tej nën urdhrat e Andrea Pirlos. Kundër verdhekuqve, gjithmonë disa prej tyre, do të mund të lënë pushim titullarët në prag të Champions-it dhe Juvja do të mund të vlerësojë më mirë për secilin shitje të mundshme, largime në huazim apo ngjitje në skuadrën e parë. Një listë e ka stiluar “Gazzetta dello Sport”.

PROTOTIPI – Simboli i Juves U-23 është Simone Muratore, i përfshirë në marrëveshjen “Kulusevski” me Atalantën. Mesfushor me peshë dhe personalitet, është prototipi i lojtarit që Juventusi ka dëshirë të dalë nga akademia: alternativë e vlefshme e titullarëve dhe shkëmbim i mundshëm për të arritur tek objektiva të tjerë. Niveli aktual i skuadrës së parë, e mbushur me kampionë, u lë pak hapësirë talenteve.

vrioni

Megjithatë, Muratore, i shitur te bargamaskët për rreth 7 milionë euro, ka treguar rrugën e filozofisë së re bardhezi: i rritur te “Primavera” juventine, përpara se të kalonte një vit më parë te U-23; debutoi në kampionat në qershor kundër Leçes, ndërsa më përpara në Champions kundër Bajer Leverkusenit. Tani përpara ka Atalantën.

“XHEVAHIRI” – Mes profileve më interesante është ai i Nikolo Faxholit, fantazist që dy vite më parë bindi Alegrin aq sa meritoi një vend në fushë gjatë turit veror kundër Bajernit dhe Benfikës. Teknikë mbi mesataren, inteligjencë taktike dhe vizion i spikatur loje, Faxholi përfaqëson bastin kryesor për drejtuesit bardhezinj.

Për 19-vjeçarin, e afruar te të rinjtë e Juves në 2015-ën, janë interesuar Sasuolo, Kaljari dhe Udineze, por “Zonja” nuk do të dëgjojë. Mes atyre që janë pranë kalimit në skuadrën e parë, Faxholi është ai që ka më shumë shanse. I ka certifikuar talentin edhe njëfarë Miralem Pjaniç, që në “Instagram” disa kohë më parë e cilësoi “të ardhmen e Juves”.

TRIO – Nëse Faxholi duhet ende të punojë nga pikëpamja fizike për të fituar një vend në skuadrën e parë, një trio shikon Romën. Së pari, Luka Zanimakia, që debutoi kundër Kaljarit duke zëvendësuar Pjaniçin. I vitlindjes 1998, ka lindur mesfushor, por mund të përshtatet edhe në krah, ka realizuar golin e parë historik të Juves U-23 në Kupën e Italisë kundër Kuneos dhe pëlqehet shumë nga Sampi, Xhenoa dhe Parma.

Vrioni

E ndjekin nga pranë Marko Olivieri, i cili ia mori vendin Higuainit në 9 minutat e fundit kundër Kaljarit, dhe 22-vjeçari Luka Kokolo, mbrojtës i majtë (luan edhe në qendër) që mund të aktivizohet kundër Romës në rast se Sarri nuk do të donte të rrezikonte De Ligt, Demiral apo Kielinin. Së bashku me Faxholin, Kokolo është “xhevahiri” i sektorit të të rinjve ku është rritur nga hapat e parë.

VRIONI – Një tjetër profil për t’u konsideruar është 21-vjeçari Xhakomo Vrioni, që në planet e drejtuesve bardhezinj duhet të shndërrohet një nga pikat kyçe të skuadrës U-23. Pas një pjese të parë të sezonit të vështirë, sulmuesi shqiptar ka dhënë një grimcë të potencialit të tij gjatë sfidës për “play off” duke realizuar një gol-kryevepër kundër Karrarezes. Nëse sezonin e ardhshëm do të konfirmojë atë që ka treguar këtë vit, është i mundur një aktivizim i shpeshtë në skuadrën e parë për të përfituar minuta dhe eksperiencë.

Vrioni

Përkrah tij është Uezli Andrade, mbrojtës brazilian me vitlindje 2000 i zbarkuar në Torino falë raporteve të mira me Mino Raiolën. I pajisur me shtysë të madhe dhe vrapim sipas traditës braziliane, ka koleksionuar disa minuta duke treguar aftësi të mëdha teknike. Me pak personalitet më shumë dhe disiplinë taktike më të zhvilluar do të mund të meritojë edhe skenën e Serisë A, pasi stafi bardhezi është i bindur që potenciali është i madh.

Related posts

BASHKË QË BANKAT E SHKOLLËS/ Ja çelësi i martesës së suksesshme të Andi Lilës dhe partneres së tij (FOTO)

Delo.autor

LIVE/ Po luhet ndeshja Liverpool-Norwich. Rezultati 4-0

Delo.autor

E ARDHMJA E GOMEZ KTHEHET NË MISTER/ Oferta zyrtare nuk ka, Atalanta ka vendosur kushte dhe MLS troket

Delo.autor

Leave a Comment