Futboll Ligue 1 Sport

9 VITE PRESIDENCË SHEIKËSH/ Finalja historike e PSG-së kushton 1 miliard euro

Arritja e një finaleje të “Champions League” nuk është e lehtë. Futbolli vendoset nga detajet dhe një vendim i keq, një gabim “in extremis” ose një moment mospërqendrimi e shndërrojnë një sezon të suksesshëm në dështim të jashtëzakonshëm. Për këtë arsye, projektet megalitike si PSG ose Manchester City, të ashtuquajtur klube shtetërore, nuk sigurojnë suksesin europian. Edhe pse paraja qartësisht e hap rrugën. Meqenëse Nasser Al-Khelaifi mori përsipër presidencën e ekipit parizien më 2011, kryeqytetasit francezë kanë “tiranizuar” Ligue 1 me shtatë tituj të fituar në 9 vite. Sidoqoftë, ankthi fillonte kur dëgjohej himni i Champions-it. Nëntë vite më vonë, PSG është kualifikuar në finalen e parë të garës më të lartë kontinentale për klubet. Çmimi? 996 milionë euro të shpenzuara. Pothuajse asgjë…

Javier Pastore ishte emri i parë i shkëlqyeshëm, që mbërriti në Paris, si goditja emblemë e sezonit 2011-2012. Argjentinasi, një nga lojtarët më premtues të momentit, erdhi nga Palermo në këmbim të 42.5 milionë euro, i shoqëruar me emra të tjerë me më pak substancë si Motta (11.5 milionë euro nga Inter), Gameiro (11 milionë euro nga Lorient) dhe Maxwell ( 3,5 milionë euro nga Barça). 107.1 milionë euro shpenzime në merkato shërbyen vetëm për të përfunduar të dytët në Ligue 1, pas Montpellier. Në sezonin 2012-2013 u ngritën aksionet. 151 milionë euro të tjera u hodhën në themelet e PSG-së: Thiago Silva dhe Ibrahimovic (42 milionë euro dhe 21 milionë euro nga Milani), Lucas Moura (40 milionë euro nga Sao Paulo), Lavezzi (30 milionë euro nga Napoli) dhe i riu Marco Verrati (12 milionë euro nga Pescara). Ky “lavazh” e ndryshoi dinamikën e ekipit, ndaj triumfoi në Ligue 1.

Disbursimi shkoi përpara, në përpjekje për të përsëritur sukseset kombëtare përtej kufirit francez. Edinson Cavani (64.5 milionë euro nga Napoli) dhe Marquinhos (31.4 milionë euro nga Roma) mbërritën në Paris sezonin 2013-2014. Shuma totale e shpenzuar ishte 135.9 milionë euro.

David Luiz si nënshkrimi i vetëm i sezonit 2014-2015 (49.5 milionë euro nga Chelsea) dhe Angel Di María (63 milionë euro nga Manchester United) iu paraprinë 116.10 milionë eurove të shpenzuara në sezonin 2015-2016. E njëjta histori, triumf dhe dominim në Francë, por jo sukses në Europë. Të kushtueshme ishin edhe përforcimet e sezonit 2016-2017 (134.5 milionë euro), me Julian Draxler në krye (36 milionë euro nga Wolfsburg), Guedes (30 milionë euro nga Benfica) dhe Jesé (25 milionë euro nga Real Madridi. Edhe ata nuk e prishën dot “magjinë”. Në fakt, Mbappé i huazuar nga Monaco, dhe Lemar iu dhanë parizienëve një zile zgjimi, por fituan vetëm Ligue 1.

Kështu, vijmë në sezonin kryesor të projektit, 2017-2018. Për habi të gjithë planetit të futbollit, Neymar, i thirrur për të trashëguar çelësat e “Camp Nou”, sapo Messi ta vlerësonte si të duhur këtë gjë, u largua nga Barcelona dhe, pasi pagoi 222 milionë euro për klauzolën e tij, zbarkoi në Paris. Për më tepër, Kylian Mbappé, i kërkuar nga Real Madridi, pasi shpërtheu në Monaco, e shoqëroi yllin Brazilian te PSG. Mbappé arriti në formë huazimi, për të shmangur “Fair Play Financiar”. Blerja e tij do të ishte efektive vitin e ardhshëm, për 145 milionë euro.

Në dy sezonet në vijim, 2018-2019 dhe 2019-2020, operacionet do të përqendroheshin në gjetjen e aksesorëve për yjet. Dy vjet më parë, Choupo Moting erdhi falas nga Stoke City. Ai pati rol “heroic” kundër Atalantës, me golin e fitores në çerekfinale të kësaj Lige Kampionësh. Idrissa Gueye (30 milionë euro nga Everton), Sarabia (18 milionë euro nga Sevilla) dhe Ander Herrera (falas, nga Manchester United) kanë kontribuar në soliditetin e mesfushës. Sigurinë e ka shtuar Keylor Navas në portë, i ardhur nga Real Madridi (15 milionë euro). “Qershia mbi tortë” do të ishte huazimi me mundësi blerjeje (klauzolë e ushtruar tashmë për 50 milionë euro) e Mauro Icardit, ardhur nga Interi, i cili do të rivalizonte Cavani te PSG.

Të gjithë këto përbërës, dhe miliona euro, kanë bërë që ekipi parizien të luajë në finalen e Champions-it të këtij edicioni. Tani mbetet për ta përfunduar punën, duke kapërcyer Lyon ose Bayern Munich. Nëse përfundon të jetë një finale franceze, favoritë do të jenë Neymar, Mbappé dhe kompani. Kundër Bayernit të plotfuqishëm do të ishte një histori tjetër. Edhe bastvënësit do të hezitonin shumë më tepër kur bëhet fjalë për fituesin.

Ana tjetër e medaljes është Manchester City, që ka shpenzuar 1.846 milionë euro për përforcime. Pavarësisht kësaj, me Guardiolën në stol (arriti në sezonin 2016-2017), “qytetarët” nuk e dinë se si është të kalosh çerekfinalen. Po, e bëri Pellegrini, i cili u eleminua nga Real Madridi në gjysmëfinalen e sezonit 2015-2016. Pra, siç e thamë edhe në fillim të këtij shkrimi, paraja ta hap rrugën, por futbolli nuk është matematikë dhe një detaj mund të prishë një ekuacion, që duket i përsosur.

Related posts

SUPERKUPA E EUROPËS/ Ja formacionet e mundshme të Bayern Munich dhe Sevilla

Delo.autor

SHKËLQEU ME ARSENALIN/ Morata: Dua të tregoj se sa vlej, jo për inatçinjtë, por për…

Isa.Autor

BARAZIM NË “PAQE”/ Mbrëmje për t’u harruar për futbollistin e Shqipërisë, i prish punë ekipit të tij

Delo.autor

Leave a Comment