Futboll Sport

NGA KYLIAN MBAPPE TEK COMAN/ Njihuni me 4 futbollistët parisien në çdo ekip të gjysmëfinaleve

Sido që të shkojë, do të fitojë një francez. Më saktë, një parisien. Nuk është e thënë me fanellën e PSG-së. Në këtë Champions të çmendur veror, e vetmja siguri është se të katërta ekipet gjysmëfinaliste kanë lojtarë të formuar në klubin e emirit të Katarit. Viti 2020 në Champions është edhe hakmarrja e futbollit francez, jo më i etiketuar si thjesht kampionati që krijon talente.

BETEJË – Ai që e deklaroi një gjë të tillë është vetë Mbape, i lindur në periferi të Parisit, por futbollistikisht i rritur te Monako, përpara se të rikthehej në shtëpi me një çek prej 180 milionë eurosh. Sulmuesi 21-vjeçar nënvizoi përmes një cicërime në “Twitter” prezencën e PSG-së dhe Lionit në gjysmëfinale.

Mesazh i vlerësuar edhe nga drejtori sportiv i Lionit, Zhuninjo, i cili më pas kritikoi faktin që Liga 1 konsiderohet një kampionat i rangut të dytë. Edhe për këtë arsye, presidenti i Lionit, Zhan-Mishel Ola, ka deklaruar se është gati të trokasë në dyert e UEFA-s, së bashku me homologun Naser Al Khelaifi për të kërkuar katër vende në Champions dhe jo vetëm dy të sigurt, plus një në eliminatore.

PARISIENËT – Një sukses në finalen e 23 gushtit në Lisbonë do ta forconte kauzën e tyre, por sido që të shkojë do të ketë të paktën një parisien i cili do të festojë. PSG ka Kimpemben, produkt të akademisë së saj titullar në skuadër, zv/kapiten dhe emblemë e klubit ku erdhi në vitin 2005. Dje u përball me ish-shokun e skuadrës Nkunku, i cili u transferua te Lajpcigu verën e shkuar, duke hequr dorë nga ëndrra për të mbajtur një ditë shiritin e kapitenit të PSGsë së tij. Nga ku u largua edhe Koman që në 2014-ën. Fillimisht në drejtim të Juventusit dhe pastaj Bajernit, ku sot do të diskutojë me Lionin e Dembelesë, me të cilin fitoi, së bashku edhe me Kimpemben, një turne të rinjsh në Katar në 2012-ën.

AMBASADORË – Por në fund të ditës, futbolli francez ka fituar. Kolonia e Bajernit ka një tjetër talent francez, Kouasi, por edhe Pavar, Hernandez, ish-lojtarin e Lionit, Toliso dhe më pak të njohurin Kuisons. Te Lajpcigu ka tre francezë të tjerë: Upameçano, por edhe Mukiele dhe Konate, parisienë dhe tashmë edhe ambasadorë të një France kampione bote, por në kërkim të lavdisë edhe në nivel klubi.

Related posts

Manchester United futet në garë për mbrojtësin e Interit

Sadik.Autor

GOLI I BROJËS/ Trajneri i Bërnlit: Me shumë mundësi nuk do marr lëvdata për këtë

F.autor

Kontakti Benatia-Vazquez/ Collina tregon nëse ishte apo jo penallti…

Sadik.Autor

Leave a Comment