Bundesliga Futboll Sport

TJETËR “SHUPLAKË” PËR BARCELONËN/ Coutinho kërkon rikthimin në kampionatin anglez

Coutinho deklaron se parapëlqen më mirë për t’u rikthyer përsëri në Premier League, se sa të luajë sërish për klubin e Barcelonës. Sikur të mos mjaftonin problemet e shumta që po përjetojnë drejtuesit e Barçës tani klubit katalanas i shtohet edhe një telash më shumë. Krerët e klubit “blaugrana” tani i kanë përqendruar të gjitha energjitë te zgjidhja e problemit të kontratës së kapitenit Lieonel Messi, megjithatë shumë shpejt pritet që të fillojë të flitet gjithashtu edhe për mesfushorin e njohur brazilian Philippe Coutinho, fati i të cilit do të varet pikërisht nga çfarë do të vendosin drejtuesit aktualë të Barcelonës.

28-vjeçari nga Rio de Janeiro sapo përfundoi bashkëpunimin në formë huazimi me Bayernin e Mynihut, aventurë që u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, pas triumfit të klubit bavarez në finalen e Champions League-s me Paris SG, përballje ku numri 10 i “të kuqve” zbriti në fushë si zëvendësues, në vend të Serge Gnabry-t. Trajneri Hansi Flick ka në dispozicion një skuadër të shkëlqyer dhe drejtuesit e Bayernit preferuan për të mos ta shfrytëzuar mundësinë për të shtyrë qëndrimin e Coutinho-s në Gjermani.

Për hir të së vërtetës, për nga vlera e transferimit 28-vjeçari konsiderohet si futbollisti i tretë më i shtrenjtë i të gjitha kohërave, pas dyshes së skuadrës pariziene Neymar – Mbappe dhe në fakt drejtuesit e Bayernit refuzuan për të aktivizuar klauzolën e blerjes së lojtarit për shumën e 120 milionë eurove. Philippe Coutinho pritet të kthehet në “Camp Nou” për të biseduar me trajnerin e sapoemëruar Ronald Koeman, që nga ana e tij kërkon të sqarojë pozicionin e mesfushorit dhe të kuptojë qëllimet e 28-vjeçarit brazilian, përpara se të vendosë përfundimisht në lidhje me fatin e tij të mëtejshëm.

Në këtë mënyrë çështja Coutinho pritet të zgjidhet shpejt, por gjithsesi shumë do të varet nga biseda me 57-vjeçarin holandez dhe garancitë që do të ofrojë Ronald Koeman, për të kuptuar në këtë mënyrë më qartë edhe hapësirën që ka në mendje ish-qendërmbrojtësi i famshëm për të, në lidhje me projektin e ardhshëm të klubit. “Marca” pretendon se është në dijeni të synimit të mesfushorit nga Rio de Janeiro për të mos t’u kthyer në gjirin e skuadrës blaugrana.

Në krahun tjetër tabloidët britanikë kanë hamendësuar se Coutinho ka vendosur të largohet nga Barça, ngaqë nuk është më i sigurt për pozicionin e tij, madje shtypi anglez ka spekuluar me idenë e rikthimit të mesfushorit në Premiership. Vitet më të mira të karrierës 28-vjeçari i ka kaluar pikërisht në kampionatin anglez, në radhët e Liverpoolit të drejtuar nga strategu gjerman Jurgen Klopp. Janë të shumtë në ishull klubet që kanë krijuar interesim për lojtarin brazilian, që ka eksperiencën e duhur dhe e njeh vërtet shumë mirë dinamikën e Premier League-s.

Tottenham-i ka mbetur prapa në këtë aspekt, kështu që tani çështja Coutinho me shumë gjasa do të zgjidhet ndërmjet klubeve si Manchester United, Chelsea dhe Arsenal. “Topçinjtë” konsiderohen ndoshta më të favorizuar për arsye të marrëdhënieve të shkëlqyera që ata kanë me menaxherin e futbollistit, gjithsesi problemi më i madh si për drejtuesit e Barcelonës ashtu edhe për vetë Coutinho-n qëndron te gjetja e një klubi që t’i mundësojë brazilianit pagën e plot 15 milionë eurove në vit.

Me situatën aktuale dhe gjendjes së vështirë që është krijuar për shkak të pandemisë së koronavirusit janë fare të pakët klubet që iu a mban xhepi një shifër të tillë, për më tepër nëse nuk do të gjendet një klub i tillë atëherë drejtuesit e Barçës janë të shtrënguar për t’i hequr nga llogaria e tyre bankare këto para.

Transferimi i Coutinho-s nga Liverpuli te klubi katalanas u konfirmua më 6 janarin e vitit 2018 për shumën e 145 milionë eurove, kështu që krerët e Barçës nuk kanë ndër mend të pranojnë një ofertë poshtë 80 milionëve, prandaj edhe opsioni i transferimit të tij në mënyrë të përkohshme, në formë huazimi mbetet për momentin edhe si zgjidhja më e mirë.

Related posts

DALIN PAMJET/ Festa e çmendur e Chelsea në dhomat e zhveshjes pas fitores së Champions League

F.autor

FLET PËR CASILLAS PASI PËSOI INFARKTIN/ Mou shprehet: Nuk është siç mendojnë njerëzit…

Delo.autor

ATALANTA PREK SËRISH CHAMPIONSIN/ Ja vlerësimi i mediave italiane për Gjimshitin

Delo.autor

Leave a Comment