Skënderbeu është duke kërkuar lojtarë të rinj dhe me njëfarë eksperience për të plotësuar ekipin pas largimeve të shumta në fund të sezonit të kaluar. Me zyrtarizimin e Julian Ahmatajt si trajner i ri i Skënderbeut, ka filluar edhe puna për të plotësuar ekipin me elementët e duhur. Klubi synon të ndërtojë një grup të rëndësishëm me qëllim mbajtjen në nivele të mira të Skënderbeut. Kështu që, afrimet e para duket se janë mbyllur edhe pse zyrtarisht korçarët nuk mund të bëjnë merkato, si pasojë e bllokimit të saj nga instancat e tjera të futbollit. “Panorama Sport” mëson se pjesë e korçarëve janë bërë dy lojtarë të rinj që prej disa ditësh janë vënë nën urdhrat e stafit teknik.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Altin Govori dhe mesfushorin e avancuar Joan Çela. Të dy këta lojtarë janë aktivizuar edhe në ndeshjen miqësore të zhvilluar dje përballë Korabit. Altin Govori, 21 vjeç, është mbrojtës qendre dhe sezonin e kaluar ka luajtur në Kosovë në radhët e KEK-ut, ku ka bërë edhe një paraqitje pozitive. Govori ka luajtur 19 ndeshje në Superligën e Kosovës dhe mund të luajë lehtësisht si mbrojtës qendre dhe si mbrojtës i krahut të majtë, duke u kthyer kështu si një xhol për Ahmatajn.
Futbollisti tjetër është mesfushori i krahut, Joan Çela, i cili sezonin e fundit ka luajtur me Luftëtarin. Çela ka mbyllur një kampionat të suksesshëm me ekipin gjirokastrit pavarësisht rënies së tij nga kategoria. Mesfushori 20-vjeçar ka luajtur 20 ndeshje me ekipin e Luftëtarit duke arritur madje të shënojë edhe dy gola, një kundër Kukësit dhe një kundër Tiranës. Të dy lojtarët janë bashkuar me Ahmatajn dhe kanë bindur deri diku trajnerin e Skënderbeut. Mbetet për t’u parë fakti i kontratave të lojtarëve, pasi merkatoja mbetet e bllokuar.