Futboll Shqipëri Sport

ANALIZA/ Mbrojtja e Kombëtares jep garanci, por skema 3-5-2 ka një “hile”

NGA NEPTUN BAJKO

Të themi të drejtën ndeshja dhe mënyra e lojës së ekipit tonë kombëtar, ashtu siç e ndoqa me vëmendje, u paraqit në dy faza. Lojë e mirë në pjesën e parë. Ekipi funksiononte i organizuar, vepronte në përpikëri me detyrat e dhëna dhe vendosjen në fushë nga ana e trajnerit. Gjëja më pozitive në këtë pjesë loje ishte presingu në gjysmëfushën e rivalit, e organizuar dhe e aplikuar nga 5 mesfushorë dhe dy sulmues. Kjo e detyroi kundërshtarin të luante disi i çorientuar dhe të ndodhej shpeshherë i papërgatitur për të ndërtuar lojën e tyre.
bandicam 2020-09-04 20-58-34-769
Në të njëjtën kohë, edhe ekipi ynë të gjitha veprimet i kryente me një kujdes dhe maturi. Lëvizte gjithnjë me disiplinë dhe vendosje të mirë në fushë. Vërtet loja nuk pati spektakël dhe kjo deri diku ishte e kuptueshme, por ndeshje të tilla mund të zgjidhen edhe me një veprim individual, siç ishte ai i Cikalleshit. Që nga ky moment ekipi luajti më lirshëm, luajti me një pikësynim të qartë që të ruante rezultatin pozitiv dhe në të njëjtën kohë, të mund të arrinte të godiste përsëri në portën kundërshtare.

PJESA E DYTË
Pjesa e dytë pati zbehtësi në lojën tonë. Veprimet nuk kryheshin lirshëm dhe ishin të nxituara. Kjo ndodhi sepse mungoi ajo që në futboll quhet loja pa top… Megjithatë, sulmi më i mirë është kur di se si të mbrohesh. Ndonëse bjellorusët në pjesën e dytë luajtën më mirë, ishin më të organizuar, kërkuan që me veprime të ndryshme në anësore dhe në mesfushë të godisnin portën tonë, nuk ia arritën. Kjo nuk ndodhi falë mbrojtjes tonë. Po, sepse unë mendoj se mbrojtja është reparti më i konsoliduar në ekip. Bashkëveprimi midis tyre është i mirë. Ata madje u vunë në provë, sepse në mesfushë ra freskia fizike ndjeshëm.
bandicam 2020-09-04 22-21-59-303
Rrjedhimisht, gjithë manovra e skuadrës u bë më e ngadaltë dhe e lexueshme. Në uljen e lëvizshmërisë gjatë pjesës së dytë ndikoi lodhja te disa lojtarë. Mendoj se Manaj, por edhe Abrashi, e humbën freskinë për të ndërlidhur si duhet veprimet mbrojtëse me ato sulmuese. Gjasula luajti me pjekuri, por edhe atij i mungoi freskia fizike dhe në përgjithësi kjo ndikoi edhe te shpërndarja e forcave në veprimet sulmuese. Ndërrimi i Roshit dhe deri diku me vonesë i Balajt i dhanë ritëm ekipit, rritën rrezikshmërinë dhe si pasojë e një veprimi shumë të zgjuar nga Roshi që pasoi te Bare, çoi në rezultatin 2-0, çka përfundimisht vendosi fitoren për Shqipërinë.

“NDIHMA” NGA COVID
Unë mendoj se futbolli po përjeton një nga momentet më të vështira, ku ndikimi i publikut padyshim që do të rriste nivelin e lojës, agresivitetin dhe dëshirën për fitore. Kjo situatë është më pozitive për ne kur luajmë jashtë, sepse mungesa e publikut i jep lirshmëri dhe nuk ndikon moralisht te loja e Shqipërisë. Pra në përgjithësi ndeshjet që po shikojmë, qoftë edhe në ekipet e tjera, kanë zbehur nervin e një loje të vërtetë. E them këtë sepse ftohtësia e shkallëve dhe e tribunave, që ngjajnë si një pikturë e palëvizshme, e ulin në njëfarë mase edhe moralin, edhe dëshirën për të dhënë gjithçka në fushë. Por le të jemi korrektë: asnjëherë nuk ka fitore pa meritë, ndaj ekipi kombëtar fitoi me meritë dhe ishte i bindur se këtë rezultat do ta merrte. Kjo tregon se në aspektin e vetëbesimit ka një rritje. Lojtarët luajnë me më shumë profesionalizëm, kanë besim në aftësitë e tyre individuale dhe në lojën kolektive.

SKEMA 3-5-2
KOMBETARJA

Kjo nuk është thjesht një 3- 5-2… Po ta shikosh me një sy të vëmendshëm, ajo skemë është gjithnjë në varësi të kundërshtarit. Që do të thotë se edhe Hysaj me Trashin fillimisht janë mbrojtës, njihen si mbrojtës dhe pjesëmarrja në veprimet në mesfushë ose në sulm është dytësore. Pra, kur e kap topin kundërshtari vendosja kthehet në një 5-4-1 të pastër. Në bazë edhe të aftësive të lojtarëve, në varësi të kundërshtarit që ke përballë, në bazë edhe të detyrave që janë dhënë para ndeshjes, kjo skemë bëhet më e përshtatshme, si në veprimet sulmuese, ashtu edhe në veprimet mbrojtëse. E thënë qartazi: për momentin dhe për kundërshtarin ishte e drejtë.

Related posts

MILAN I PAPËRMBAJTSHËM/ Calhanoglu realizon nga pika e bardhë dhe ndëshkon Lazion (VIDEO)

Delo.autor

LIVE/ Tirana-Kukësi: Pa fat bardheblutë, Abibi shkakton penallti (VIDEO)

Isa.Autor

KATAR 2022/ Ëndrra e Shqipërisë kalon nga tetori i “nxehtë”, Play-Off kapet me dy fitore ndaj Hungarisë e Polonisë

Delo.autor

Leave a Comment