Futboll Sport

“FAT QË U SHTY KAMPIONATI”/ Ramazan Ndreu: Ky është viti më i vështirë në karrierë

Ramazan Ndreu “zbërthen” Kastriotin. Pas një faze të stërgjatë përgatitjesh dhe afrimeve në masë, trajneri mendon se janë thuajse gati për të nisur garën. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai skanon gjithçka ka ndodhur gjatë kësaj periudhe dhe me sinqeritet maksimal e thotë që bojkoti i ka ardhur për shtat. Jo vetëm për rikuperimin e të dëmtuarve, por edhe për të mos u nxituar në merkato.

Profesor, si është gjendja e skuadrës pas kësaj faze të stërgjatë përgatitjesh?
Në përgjithësi është e mirë, pavarësisht se në këto ndeshjet miqësore nuk i kemi marrë ato rezultatet që ne kërkonim. Gjithsesi, jemi një skuadër e re, në ndërtim e sipër. Fatmirësisht, shtyrja e kampionatit na ndihmoi shumë dhe shpresojmë që në këto ditë që kanë mbetur të konsolidohemi e të bëjmë 11-shen që të jetë gati për kampionatin.

Nëse do të flisnim me përqindje, sa ka ndryshuar skuadra juaj nga ajo e vjetshmja?
Duke marrë në konsideratë faktin që kampionati është shtyrë, nuk jemi ngutur në marrjen e dy-tre lojtarëve të tjerë. Shpresojmë që deri në fundjavë të kompletohemi duke filluar që nga porta. Veç katërkëndorit, janë edhe dy lojtarë të tjerë që ne mendojmë se do na e rrisin cilësinë. Dhe në javën që vjen, mendoj se është java e fundit e bojkotit dhe ne do hyjmë në ciklin e kampionatit dhe të përgatitemi shumë për ndeshjen e parë zyrtare.
sEBINO PLAKU
Çfarë do të thotë për ju rikthimi i Plakut?
Është një vlerë e shtuar në skuadrën tonë. Por përsëris që janë 3-4 lojtarë që nuk e kanë formën e duhur, pavarësisht nivelit të mirë që kanë. Kështu që edhe Plaku nuk është ende në 100% sa i takon aspektit fizik. Dhe kjo është logjike, pasi ka një periudhë të gjatë pushimi. Mendoj që dhe ai në ditët në vazhdim do ta marrë veten dhe do të na japë atë pjekurinë që na mungon pak. Do të na ndihmojë shumë.

Stërvitje në kushte të mira, por pse kanë munguar rezultatet në ndeshjet miqësore?
Futbolli është një lojë delikate, nuk është boks dhe del në ring 1 kundër 1. Këtu duhet të ndërtosh një ansambël dhe nëse çalon një hallkë, çalon e gjithë skuadra. Ndaj do të thosha që duhet shumë kujdes. Të ndërtosh një skuadër është e vështirë, aq më tepër ne që kemi bërë ndryshim total të skuadrës. Ndaj jam i bindur që me kalimin e ditëve, ekipi do vijë të konsolidohet dhe do të marrim frytet e punës së bërë gjatë verës. Kuptohet që kampionati është i vështirë, ka skuadra që kanë potencë, kanë nivel. I kanë treguar vlerat, por absolutisht, ne do hyjmë në kampionat me potencë, dhe me dëshirën e madhe për të treguar vlerat.

Shumë dëmtime, sa shqetësuese janë?
Ky vit ka qenë shumë i vështirë. Në historinë time si trajner nuk më kishte ndodhur. Pandemia bëri të vetën dhe krijoi një hendek shumë të madh. Me luhatje të stërvitjes, puno një muaj e pusho dy, puno dy e pusho një, plus probleme të tjera të lojtarëve që kemi pas raste që kanë munguar gjatë për shkak të “COVID”. Ndaj ka qenë vit i vështirë, dhe kur nuk stërvitesh rregullisht, problemet fizike janë prezente. Ndaj mendoj se kjo periudhë që kemi kaluar, ka qenë delikate. Kemi pas raste që në ndeshje miqësore na kanë munguar 8 njëherësh, të gjithë lojtarë të formacionit. Kështu që e thashë dhe pak më lart, ndoshta jemi me fat që kampionati u shty, pasi rehabilitimi i lojtarëve është gati. Pritja e gjatë për startin e sezonit, sa problem ka krijuar te ju dhe skuadra? Ndoshta për skuadra të tjera, kjo shtyrje mund të ketë sjellë probleme. Edhe te ne mund të sillte nëse do ta kishim skuadrën gati për lojë. Por e thashë, ne na ka ndihmuar dhe jemi mbase me fat.

Related posts

Drejtori i klubit SERB/ Ja pse SHQIPTARËT s’mund të luajnë KURRË për ne, SEPSE…

Isa.Autor

MOMENTE PANIKU GJATË NDESHJES/ Lojtari bie në fushë dhe po lufton me jetën (VIDEO)

Delo.autor

MILAN-LIVERPOOL/ Pioli i beson nga minuta e parë Messias, Klopp me ndryshime (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Leave a Comment