Futboll Seria A Sport

NGA VIDAL TEK MAUTIDI/ Weston McKennie është vetëm “pitbulli” i radhës tek Juventus

Mesfushorët e mëdhenj që kanë ndihmuar në shtimin e trofeve prestigjiozë bardhezinj, por edhe dështime të mëdha kanë kaluar jo pak herë në Torino, pa lënë shumë gjurmë.

Gjithsesi, tani të gjithë presin që të shohin se pjesë e kujt do të jetë blerja më e re e Juventusit, Ueston MeKeni, “pitbulli” i ardhur nga gjermanët e Shalke 04, futbollisti që Andrea Pirlo e kërkoi me ngulm, pasi sheh te amerikani “kafshuesin e denjë të kaviljeve” të kundërshtarëve.

Kjo, duke u bazuar te deklarata në prezantim e trajnerit të ri bardhezi: “Në mesfushë dua njerëz që jo vetëm të dinë të organizojnë lojën, por mbi të gjitha lojtarë që të kenë dëshirën që të rikuperojnë sa më shpejt topin, sa herë që e humbasim”.

MODELET POZITIVE – Dhe duke mbetur te mesfushorët që kanë bërë epokën e bukur të Juves, i paharrueshëm do të mbetet Xhuzepe Furino. Mes viteve ’70-’80, heroi i 12 trofeve (8 tituj kampion, 1 Kupë dhe 1 Superkupë Italie, plus 1 Kupë UEFA dhe 1 Kupë kupash), mbetet ende sot e kësaj dite i paharrueshëm.

Furino ishte një pitbull, që përveçse dinte të kafshonte rivalët, në të njëjtën kohë ofronte edhe cilësi, pasi kishte një dozë jo të vogël teknike në këmbët e tij. Ndoshta, ai që i afrohej më shumë Furinos ishte Edgar Davids, ndonëse mes të dyve mund të mos mbetet pa u kujtuar edhe Romeo Beneti, që së bashku me Furinon dhe Tardelin kompletonin një ndër mesfushat më të forta të historisë së “Zonjës së Vjetër”.

Por duke u rikthyer te Davids, që “Pitbull” kishte edhe pseudonimin e vërtetë, holandezi luajti për Juven mes viteve 1997-2004, duke qenë protagonist i 3 kampionateve dhe 2 Superkupave të Italisë, por akoma më shumë se kaq përmblidhte në vetvete potencial dhe personalitet për të cilët kishte nevojë Juventusi. Përkrah Davidsit luajti edhe Antonio Konte (në Torino mes 1991-shit dhe 2004-ës). Pas tyre të paharrueshëm do të mbeten edhe Arturo Vidal (2011-2015), por edhe Blez Matuidi në tri sezonet e fundit. Të gjithë këta emra garantonin jo vetëm mbulim në shumë territore të fushës, por edhe një ndihmë jo të vogël në zonën e sulmit.

Dhe ndoshta te MeKeni, drejtuesit e Juves dhe sidomos Andrea Pirlo ka parë pikërisht maskimin e cilësive të shkëlqyera që kishin Furino, Tardeli, Konte, Vidal, Matuidi dhe Davids. Sepse, amerikanit të ardhur nga Shalke, të paktën nga ajo çfarë ka treguar në Bundesligë, cilësia e parë që nuk i mungon është dinamizmi dhe shpejtësia me të cilën i bën presion kundërshtarit, ndonëse edhe kontrolli i topit duket se është mjaft i mirë. Prandaj, pritshmëritë janë më shumë se të larta për Ueston MeKenin.

SHEMBUJ NEGATIVË – Sigurisht që mesfushori më i ri bardhezi ka nevojë edhe për pak mbështetje, por akoma më shumë për pak kohë, pasi është vetëm 22 vjeç dhe në Gjermani nuk është se Shalke i ka ofruar që të luftojë në nivelet e larta. Prandaj, në sezonin e parë, MeKeni mjafton që të mos ndjekë shembujt negativë të së kaluarës bardhezi.

Një prej të cilëve që mund të përmendim është Sundai Oliseh, i zbarkuar në Torino me shumë pritshmëri, por… E njëjta situatë edhe me Felipe Melon, një ndër investimet më të mëdha të Juves post-“Calciopoli”, por që në fund, së bashku me Oliseh mbetën në histori më shumë për kartonët, sherret dhe skualifikimet e shpeshta të grumbulluara.

Prandaj, nëse Ueston MeKeni do të jetë i zgjuar, bën mirë që në studimet e tij të mesfushorëve të kaluar të Juventusit të zgjedhë CD-të e duhura, ato të Arturo Vidalit dhe Edgar Davidsit mbi të gjithë, jo të Melos… Dhe kaq do të mjaftonte që amerikani të fitonte shumë shpjet zemrat e tifozëve bardhezinj.

Related posts

AGJENTËT E FIFA-S/ Shifra tronditëse për komisionet: të dhënat në Serinë A. “Peshkaqenët” e parametrave zero

Delo.autor

LIVE ARGJENTINË-ARABI/ E pabesueshme! 2 gola për 5 minuta, sauditët bëjnë përmbysjen e çmendur

F.autor

“TRONDITET PORTA”/ RONALDO shënon një gol të jashtëzakonshëm nga 30 METRA (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment