Futboll Sport

“ELIMINIMI NGA EUROPA LEAGUE NA BËRI QË NE TË MARRIM MASA”/ Presidenti Halili: Arbitri na dëmtoi dy herë

Refik Halili ka një peng. Tirana e tij nuk siguroi dot grupet e Europa Ligës, por kreu i bardhebluve e konsideron gjithçka të merituar dhe falënderon futbollistët e tij për çfarë kanë dhuruar deri më tani. Në intervistën për “Panorama Sport”, menjëherë pas ndeshjes së djeshme, Halili analizon përballjen, ndalet te veprimet arbitrare, përmend dëmtimet e gjata para kësaj ndeshjeje të lojtarëve si Batha e Hoxhallari. Ndërkohë, Halili nuk e fsheh që për nivele të tilla Tiranës i duhej që të kishte edhe më tepër lojtarë cilësorë.

Si e patë skuadrën në këtë ndeshje dhe sa i mërzitur jeni për eliminimin?
Kjo humbje na bën që ne të marrim masa. Jo masa për të ndëshkuar futbollistët, por për t’u përgatitur, sepse të shkosh deri në “play off” siç shkuam ne këtë radhë, për të kaluar në grupe, kërkohet një mobilizim edhe më i mirë. Më mirë të themi që duhet të kesh lojtarë më tepër. Lojtarë më cilësorë. Jo se i mungojnë ekipit tonë lojtarët e tillë, por kemi pasur edhe disa lojtarë që kanë qenë gjatë të dëmtuar, gati për një muaj. Lojtarë si në rastin e Bathës, lojtari i ri që sapo erdhi. Hoxhallari i dëmtuar, etj. Megjithatë nuk është momenti për t’u justifikuar. Unë gjej rastin nëpërmjet jush që të falënderoj çunat për çfarë kanë bërë përgjatë gjithë kampionatit. Për çfarë kanë bërë edhe përgjatë këtyre ndeshjeve. Do të ishte mirë që ne ta kalonim edhe këtë tur, të shkonim në grupe. Ja që nuk ishte e thënë që ne të shkonim.
Pse nuk u arrit kalimi i turit sipas jush?
Edhe pak prej fatit, por edhe pak dëmtim nga ana e arbitrave. Nëse e vutë re, mua m’u duk që edhe goli, por edhe kartoni i kuq i Torasës… Jo për t’u justifikuar, them se nuk ishte për t’u dhënë, ai karton i kuq. Gjithashtu edhe goli m’u duk ofsajd.
Gjatë gjithë kësaj fushate, a keni ndonjë peng?
Kemi një peng. Siç patëm fatin që të kalonim në “play off”, patëm edhe fatin që të vinim të luanim në Bernë. Në një fushë paksa të vështirë, sepse kam dëgjuar nga vetë njerëzit brenda në skuadrën e tyre, të cilët e përmendin shpesh që krahas skuadrës, një nga sukseset e tyre është edhe fusha me bar artificial. Aty e kanë pësuar humbjen edhe shumë skuadra të tjera në atë fushë me bar artificial. Megjithatë, nuk është ora e justifikimit. Duhet ta pranojmë se ishim më të dobët sesa kundërshtari. Skuadra e tyre e meritoi fitoren. Le të vazhdojmë tani që të ecim para, të mendojmë për kampionatin dhe të sistemojmë gradualisht për të ardhmen gjërat që duhen sistemuar në klub.
VANGJELI
Pritet merkato, ndonjë afrim i fundit?
Jo. Flasim për sezonin e ardhshëm. Gjatë kohës, ne edhe mund të kemi merkato, por do të jetë kur të përfundojë ky kampionat. Gjatë kësaj periudhe, kur ekipi të nisë kampionatin, e kemi kontingjentin dhe nuk besoj që të kemi merkato.
Në fillim, e mendonit që do të shkonit kaq larg?
Kam pasur besim. Edhe sot (dje) kam pasur besim të jashtëzakonshëm, vetëm duke u nisur nga çunat, nga grupi. Por të them të drejtën nuk ia vendos fajin njeriu, por kemi pasur edhe futbollistë të dëmtuar që i përmenda në fillim. Kaq ishte kjo. Shpresojmë që në vazhdimësi të bëjmë më të mirën. Deri këtu, them se kemi bërë mirë, e kemi merituar këtë që shkuam deri në këtë fazë “play off”.
Kampionati, titulli është sërish objektiv?
Ne si klub, gjithmonë hyjmë për të bërë më të mirën. Shpresojmë që me lojtarët që kemi, të respektojmë kampionatin, të respektojmë të gjitha skuadrat dhe në fund fare le ta bëjmë analizën.

Related posts

SHKËLQEN NË KAMPIONATIN ANGLEZ/ Talenti i Shqipërisë protagonist në fitoren me përmbysje ndaj Charlton

Delo.autor

Tefik Osmani “thumbon” edhe kur është me pushime: Do luajmë domino deri sa… (FOTO)

Sadik.Autor

“DUA TA MBYLL KARRIERËN TEK BAYERN”/ Boateng: Dua ta fitoj prapë Championsin

Delo.autor

Leave a Comment