Futboll Seria A Sport

MILAN-ROMA/ Dzeko kundër Ibrahimovic, quajeni sfida e… “ashensorëve”

Zlatan Ibrahimoviç është ai lloj futbollisti për të cilin koncepti i vertikalizimit mund të shtrihet nga fusha e në çdo sektor tjetër të jetës futbollistike të një klubi. Ibra shton numrin e fanellave të shitura, numrin e ndjekësve të ekipit në rrjete sociale, por sidomos rrit nivelin e ekipit. Shembulli i thjeshtë është rendimenti i Milanit pas zbarkimit të suedezit.

Pas frenimit të Sasuolos dhe rrëshqitjes së Atalantës, sot në mbrëmje kuqezinjtë do të kenë epërsi në krye të renditjes dhe për më tepër në vetmi. Hendeku me rivalet nuk dihet se cili do të jetë, ndaj duhet pritur sfida e mbrëmjes me Romën e Xhekos. Ashtu si Ibra, edhe boshnjaku rrit nivelin e skuadrës, ndaj ajo e sotmja mund të jetë vërtetë një sfidë “ashensorësh” pasi do të jenë 193 centimetrat e romanistit kundër 195 të numrit 11 kuqezi.

ZAKONE TË MIRA – Si Zlatan, ashtu edhe Edin kanë nisur të luajnë gjatë viteve 2000, por rrugët e tyre nuk janë kryqëzuar kurrë më parë. 39- vjeçari i Milanit e ka Romën mes viktimave të preferuara, teksa në 12 ballafaqime i ka shënuar 8 herë. Hera e parë e Ibrës kundër verdhekuqve ka qenë njëzet vjet më parë, kur luante me Ajaksin.

Ai realizim ishte i pari europian për sulmuesin aktual të “Djallit” që skuadrës së kryeqytetit italian i ka shënuar edhe me fanellat e Juves, Interit dhe Milanit. Suedezi, në fakt, është një demokrat i rrugës së rrjetës pasi nuk bën dallim kur i duhet të ushtrojë profesionin. Në përballjen e fundit me Romën nuk luante për shkak të dëmtimit, por mjaftoi prania e tij për të ndihmuar ekipin të thyente tabunë e fitoreve ndaj të mëdhave.

TË GJITHË MË LART – Tri prezencat e Xhekos janë shoqëruar me dy gola në këtë sezon, ndërsa Ibra është që tani në kuotën katër pas dy dopietave në dy ndeshje. Milani me 39- vjeçarin ndryshon shpesh herë. Kur mbrojtjet janë të ngjeshura suedezi shërbehet në ajër, teksa nuk është e rrallë ta shohësh në mesfushë duke drejtuar manovrën ofensive.

Në zonën e rreptësisë është një histori e njohur teksa shokët e tij kanë mësuar të shënojnë edhe kur nuk është në fushë sepse ai i ka mësuar hilet e kampionit. Funksion më i ngushtë ai i Xhekos te Roma, që gjithsesi është “kanali” ku derdhen shumica e aksioneve të ekipit të Paulo Fonskesës. Me dy sulmues të mësuar me ndikim, kampionati për skuadrat që do të përballen sot në “San Siro” ka shumë gjasa të zhvillohet në lartësi marramendëse, megjithatë askush nuk ka parë dy gjigantë që të kenë frikë lartësitë.

Related posts

“TRIPLETA PËR KËTË SEZON”/ Festë “HOT” pas fitores së TITULLIT nga Man City (VIDEO)

F.autor

MERKATO E VERËS/ Ballkani josh titullarët e Teutës, pranë firmës me portierin rekordmen…

Delo.autor

MATIC FLET HAPUR/ Ja kush është FAJTORI për KAOSIN tek Man United

Isa.Autor

Leave a Comment