Paolo Maldini beson te puna, beson te Milani. Drejtori teknik ka analizuar ecurinë e skuadrës dhe sidomos dinamikat e merkatos ku theksi duhet vendosur te rinovimet e kontratave të yjeve në ekipin e Piolit. Në një intervistë për “Sky”, legjenda ka analizuar situatat më pikante kuqezi.
Si e gjykoni këtë moment të skuadrës?
Historia jona e muajve të fundit merr fill pas izolimit. Uroj që të vazhdojmë sa më gjatë në këtë drejtim, megjithëse e dimë që është e pamundur të mos pësosh humbje përgjatë gjithë sezonit. Mendoj se duhet të vijojmë të tregohemi guximtarë sepse kur shfaq kurajë, të ndihmon edhe fati.
Po Interi si ju duket?
Konte ka në dispozicion organikën më të plotë të kampionatit dhe me gjasë janë favoritë për të fituar titullin. Mua më duket një formacion solid dhe shumë i fortë.
Si e gjykoni zgjedhjen e Piolit për të aktivizuar Leaon titullar?
Ky është guximi për të cilin po flisja. Ne duhet të sulmojmë gjithmonë, pavarësisht se në ndonjë rast mund të detyrohemi të vuajmë.
Si po ecin bisedimet për rinovimet e Xhixhos dhe të tjerëve?
Do të flasim me secilin prej tyre sepse, përveç Xhixhos, janë Ibra e Çalhanoglu. Bëhet fjalë për diskutime me të cilat nevojitet të përballemi e me disa jemi aktualisht duke u përballur. Nuk kemi pasur asnjë minutë të lirë, por e di që janë gjëra që na përkasin neve si klub, lojtarëve dhe menaxherëve. Milani e ka për detyrë që t’i mbajë këta lojtarë, por nga bisedimet duhet të dalin të dyja palët të lumtura. Nga ana ime uroj të jetë kështu.
Çfarë distancash ka mes Milanit dhe të tjerave?
Sezoni i kaluar ishte i çuditshëm dhe kishim një hendek të madh pikësh me të tjerat. Sivjet ndihemi më afër të tjerave. Kjo është një bindje e cila na është krijuar në bazë edhe të paraqitjeve të mira që kemi bërë në pesë muajt e fundit.