Futboll Kategoria Superiore Sport

PRAPASKENAT/ Debate të forta. Partizani dhe Vllaznia dalin kundër rrymës për bojkotin

Tone të larta, klube që bojkotojnë mbledhjen, debate për vazhdimin ose jo të kampionatit dhe në fund… shumica në një mendje.

Liga Profesioniste konfirmoi gjatë ditës së djeshme se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kërkesat drejtuar qeverisë për një të ardhme më të mirë të futbollit dhe mbi të gjitha formalizim të klubeve. Në kushtet kur nga instancat më të larta shtetërore që kanë në dorë plotësimin e kërkesave të Ligës ka një heshtje të frikshme, situata po precipiton për faktin se moszhvillimi i kampionatit ka një kosto të madhe.

Lojtarë që presin të paguhen dhe që stërviten, por nuk luajnë ndeshje zyrtare. Hallet janë të mëdha, por paraprakisht u vendos që bojkoti të vazhdojë deri në reagimin zyrtar të qeverisë. Por çfarë ndodhi dje në mbledhjen me dyer të mbyllura në “Air Albania”…? “Panorama Sport” mundohet të zbulojë disa nga detajet më pikante.

DEBATI – Që në fillim të mbledhjes pati një kaos për mënyrën e diskutimit. Nuk munguan tonet e larta dhe mendimet e ndryshme, qoftë për heshtjen e qeverisë ashtu edhe për vazhdimin ose jo të kampionatit. Presidenti i Laçit, Pashk Laska, është parë të ngrijë disa herë zërin, ndërsa shpesh ka pasur një kakofoni që ka detyruar presidentin e Ligës, Edvin Libohova, të kërkojë mirëkuptimin e klubeve. Në një moment është kërkuar dalja nga salla e një prej zyrtarëve të FSHF-së dhe një fotoreporteri.

Në mbledhje pati 9 përfaqësues klubesh, pikërisht Refik Halili i Tiranës, Ardjan Takaj i Skënderbeut, Nderim Nexhipi i Kukësit, Alban Xhaferi i Vllaznisë, Pashk Laska i Laçit, Enid Furxhi i Teutës, Besnik Kapllanaj i Bylisit, Koço Kokëdhima i Apolonisë dhe Gazmend Vogli i Kastriotit. Në mungesë të presidentit Armand Duka që ndodhet pranë Kombëtares, FSHF përfaqësohej nga sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku, si dhe shefi i sektorit të garave, Marjus Sulejmani. Pas mendimeve të ndryshme për bojkotin, presidenti Libohova kërkoi në fund që klubet të shprehnin prerë atë që kërkonin.

Pati një ndërgjegjësim që në këtë moment, përtej faktit se situata po rëndohet, klubet nuk duhet të tërhiqeshin aspak nga vendimi për vazhdimi i bojkotit. “Këto ditë mund të ketë zhvillime për mirë, të presim dhe pak”, mësohet të jetë shprehur para drejtuesve të klubeve numri një i Ligës, Libohova.

TË KUQTË – Partizani ishte i vetmi klub që nuk kishte dërguar përfaqësues zyrtar në mbledhjen e djeshme të Ligës. Nëse në çdo takim që është bërë më parë të kuqtë janë kujdesur të përfaqësohen vazhdimisht qoftë me presidentin Demi, drejtorin Rama apo zyrtarë të tjerë të klubit, këtë herë kanë menduar të injorojnë mbledhjen. Nga klubi nuk ka një qëndrim, por mungesa në mbledhje duket një shenjë e qartë se Partizani mund të mos jetë dakord me vazhdimin e bojkotit.

XHAFERI – Shtatë lojtarë të infektuar me “COVID-19”, por te Vllaznia duan që kampionati të nisë sa më shpejt. “Jemi nën presion edhe prej tifozëve, mos ndoshta do të ishte më e mira që të vazhdonim kampionatin?! Natyrisht nga kërkesat nuk duhet të tërhiqemi”. Ky ishte një nga qëndrimet e sponsorit të Vllaznisë, Alban Xhaferi, gjatë mbledhjes, por që në fund të gjithë vendosën për vazhdimin e bojkotit.

(PanoramaSport)

Related posts

VIDEO/ Reali ‘Knock Out’, Barça dyfishon rezultatin me Leo Messin

Delo.autor

VEDAT MURIQI KËRKOHET NGA SHUMË KLUBE/ Drejtori sportiv i Torinos thur elozhe: Ka forcë fizike dhe është i fortë në…

Delo.autor

LIVE/ Flamurtari-Kukësi: Pollozhani shënon super gol me roveshatë, gjyqtari e anulon. Shpërthejnë vlonjatët (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment