Futboll Kategoria Superiore Sport

DERBI I KRYEQYTETIT/ Ilir Daja: Është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit shqiptar

Partizani luan të premten derbin ndaj Tiranës, në një ndeshje ku të kuqtë vijnë si kryesues. Për këtë ka folur edhe trajneri i Partizanit, Ilir Daja, i cili është shprehur se do të jetë një ndeshje e veçantë dhe shton se derbi nuk ka favoritë. Gjithashtu në intervistën e dhënë për “Rtsh Sport”, ai është shprehur se ndihet krenar që është trajner i vetëm shqiptar që ka drejtuar 3 ekipet e kryeqytetit.

Në momentin që u vendos që Partizani nuk do bënte merkato, shumë njerëz nuk kishin dyshime tek ju si trajner, por tek cilësitë e grupit që gjete. Por aktualisht jeni të parët…

Në nivel paragjykimi, unë nuk mendoj se kanë pasur të drejtë. Unë një prej arsyeve që kam pranuar të jem tek Partizani, pavarësisht se është një respekt të marrësh drejtimin e Partizanit, një nga ekipet më të titulluara në Shqipëri, pra një prej arsyeve ishte edhe se brenda këtij grupi kishte lojtarë cilësorë. Një trajner kur merr një ekip që ka objektiva maksimale, sigurisht që fokusohet edhe tek pjesa e lojtarëve që ka në dispozicion. Mendoj që nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, si stafi pa lojtarët ashtu edhe lojtarët pa stafin. Prandaj është një binom që tek Partizani ekzistonte dhe prandaj ne besuam dhe vazhdojmë të punojmë fort me grupin për të marrë maksimumin e mundësive që kemi.

Vendi i parë ndoshta është i lehtë për tu arritur, por më e vështirë është për tu mbajtur…

Kjo është shumë konkrete, sepse jemi vetëm në javën e 5-të. Mendoj që kemi bërë një start të mirë veç ndeshjes së parë. Madje edhe atë ndeshje me Kastriotin kemi pasur një performancë të mirë të lojës. Por mendoj që vazhdimësia është një element shumë i rëndësishëm për të treguar se çfarë potenciali ka grupi dhe se ku duhet të arrijmë të gjithë bashkë në fundin e kampionatit.

Nëse merkato nuk zhbllokohet në 15 dhjetor që është edhe data e gjyqit. Sa mund të vazhdohet me këtë kontigjent lojtarësh?

Që të bësh një projekt afatgjatë në këtë lloj situate është pak e vështirë, por besoj se kontigjenti është i duhuri për të përballuar një pjesë të mirë të kampionatit, por patjetër që nëse do ishim situatë normale, nëse përforconim ekipin me role të dubluara do ta jepte një qetësi akoma më të madhe.

Nëse jepet drita jeshile për merkato, ku do të kërkoni përforcime, duke ditur që edhe janari nuk të jep shumë mundësi?

Nëse hapet merkato, kemi një projekt që të përforcohemi për të dyja ekipet. Siç e dimë përveç Partizanit në Superiore kemi edhe skuadrën B në Kategorinë e parë.  Sigurisht fokusi do të jetë në dublimin e roleve sidomos në repartin e mbrojtjes.

Të premten luhet derbi i kryeqytetit. Luani kundër Tiranës, ekip që ju keni luajtur me moshat e më pas e keni trajnuar.

Unë e kam filluar futbollin me një nga emrat më të mëdhenj të të gjitha kohërave, me Skënder Halilin, me grupmoshat e Tiranës deri në 15 vjeç. Më pas kam kaluar tek Dinamo për të vazhduar gjatë gjithë kohës si futbollist me Dinamon përveç dy viteve që kam luajtur me Besën e Kavajës. Mendoj që është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit shqiptar. Kam qenë trajner edhe tek Dinamo edhe tek Tirana dhe sot drejtoj Partizanin. Mesa di, jam i vetmi trajner që kam drejtuar tre ekipet e kryeqytetit dhe ky është një bonus shumë i madh për mua dhe vlerësim shumë i madh në karrierë. Derbi asnjëherë nuk ka favoritë. Sido që të jetë gjendja e ekipeve për momentin, derbi është specifik. Do mundohemi jo që të ulim presionin, por ta kanalizojmë në sensin pozitiv në mënyrë që të vazhdojmë ecurinë e rezultateve të deritanishme.

Rruga drejt titullit është shumë e gjatë sepse jemi në javën e 5-të. Por nëse fitoni derbin, a mendoni se kjo është një rrugë e mbarë drejt këtij objektivi të madh?

Fitorja në derbi na jep një aspekt psikologjik më të mirë për vazhdimësinë, por nuk do të thotë që me një fitore në derbi mbyllet kampionati. Ashtu si vlerësohet derbi duhen vlerësuar edhe ndeshjet e tjera, sepse në fund çdo ndeshje ka 3 pikë. Prandaj mendoj që element më i rëndësishëm se derbi është vazhdimësia nëse duam që në fund të kampionatit të pozicionohemi sa më mirë, sepse ne deri tani nuk e kemi përmendur fjalën “kampion”, por që të bëjmë më të mirën e mundshme dhe pse jo të marrim maksimumin.

Related posts

FOTO/ Parashikimet e ekspertit italian: Ja ndeshjet që mund t’iu bëjnë me para sot

Q.Autor

“SPINACOLA? ËSHTË NJË HUMBJE E TMERRSHME”/ Mourinho: Italia është më e fortë, por…

Delo.autor

Trajneri i Meksikës vrer ndaj Nejmarit: Është i turpshëm, ky është një sport burrash!

Isa.Autor

Leave a Comment