Futboll Sport

ELIMINOI TIRANËN ME GOL NË MINUTËN E 118/ “Heroi” Skuka: S’e dija as që do të luaja, por eliminova “bardheblutë”

Korabi ishte surpriza më e bukur e Kupës së Shqipërisë. Eliminuan Tiranën me 10 lojtarë dhe tashmë janë në çerekfinale. Merita është kolektive, megjithatë heroi mbetet Xhuliano Skuka. Kush i ndjek dibranët, i njeh cilësitë e tij të jashtëzakonshme si shënues, por këtë e vërtetoi edhe në “Skënder Halili” përballë kampionëve në fuqi të Kategorisë Superiore. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” 20- vjeçari rrëfen emocionet e asaj rrjete dhe planet për të ardhmen.

Gol në të 118-ën minutë, e kishte menduar Skuka që do të eliminonte Tiranën?

Realisht nuk e kisha menduar. Unë vija nga dëmtimi dhe ndaj e nisa lojën nga stoli. Nuk isha i sigurt a do të luaja apo jo, por u futa në fushë dhe shënova. E megjithatë, goli ishte produkt i punës kolektive. Dhamë maksimumin që të gjithë.

E lodhshme një ndeshje që shkon në shtesë?

Është e lodhshme, sepse janë edhe emocionet që të krijon edhe kundërshtari që ke përballë, por kemi përgatitje fizike dhe dha efektet e veta.

Korabi, edhe pse pa zhurmë, e ka nisur më shumë se mirë sezonin. Cilët janë objektivat tuaj realë?

Ekipi ynë ka vërtet cilësi. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe e njohin mirë këtë kategori. Besoj se do të shkojmë shumë larg, pasi forca jonë është grupi dhe ajo nuk do të na lërë në baltë.

Sa e vështirë do të jetë me kundërshtare si Burreli, Dinamo apo Besëlidhja?

Çdo ndeshje është e vështirë dhe secila duhet të merret seriozisht. Nëse japim maksimumin, nuk do të na mungojnë rezultatet.

Shënoni vazhdimisht dhe gola me peshë, cili është objektivi personal i Skukës?

Objektivi është që ta ngjisim ekipin dhe më pas të shohim. Kam një kontratë që më duhet ta respektoj deri në fund, për ndonjë lëvizje.

Keni pasur shumë oferta. Nuk keni dashur vetë të lëvizni apo prej kontratës?

Në fakt, janë disa arsye. Kështu kemi rënë dakord, pastaj edhe ofertat nuk është se më kanë pëlqyer, ndaj vendosa që të qëndroja.

Related posts

NDRYSHIMI I NUMRIT TË LEJUAR PËR NJË LOJË/ Konfirmohen 5 zëvendësime edhe për sezonin tjetër, pritet fjala e Ligave

Delo.autor

Luciano Spalletti: Napoli, etalon matës për ne. Perisiç luan titullar

Q.Autor

NEYMAR TEK BARCELONA? Flet Presidenti i katalansve: Ne e dimë që PSG…

F.autor

Leave a Comment