Futboll Seria A Sport

LUFTOI KUNDËR LEUCEMISË DHE COVID-19/ Trajneri Mihajlovic: Pata frikë për jetën, mezi pres të më thonë “cigan” m*ti

Sinisa Mihajloviç luftoi kundër leucemisë dhe Koronavirusit duke dalë fitimtar nga dy beteja shumë të mëdha për jetën. Tashmë kërkon të japë shembullin e tij nëpërmjet biografisë së titulluar “Ndeshja e jetës”, e cila së shpejti do të jetë në treg. Trajneri i Bolonjës me këtë rast ka dhënë një intervistë për “Corriere della Sera”, ku ka përmendur disa nga momentet më vendimtare të betejave të tij në fushë, por siç thamë, edhe jashtë saj.

Përse ajo ndaj kancerit quhet luftë?

Vetëm sot e kuptoj domethënien e kësaj pyetjeje. Nuk është faj të sëmuresh dhe mund t’i ndodhë gjithkujt. Të duket sikur bota shembet nën këmbët e tua dhe mundohesh të reagosh. Reagimin gjithkush e bën në mënyrën e tij. Personalisht kam pasur frikë, kam qarë dhe si të gjithë, i përgjërohesha Zotit për ndihmë. Këshilla e vetme që kam, është që të mos humbë dëshira për të jetuar.

Përse për biografinë zgjodhët të rrëfeheshit nga dhoma e spitalit?

Nuk kisha rrugë tjetër. Tani po jap këtë intervistë në shtëpinë time në Romë, duke pirë pure e duke shijuar momentin. Përpara sëmundjes nuk e bëja këtë, por tani e di që asgjë nuk vjen përpara shëndetit.

Kush është Cgikjltfr Drnovsk, 69-vjeçari pa adresë?

Në spital më dhanë një identitet fals që të mos ngjallja kureshtje duke shqetësuar kështu edhe të tjerët. Më dukej si ironi e fatit pasi për rivalët e mi në çdo stadium kam qenë “cigani i m…”. Gjatë karrierës kam ndikuar edhe unë për të merituar atë epitet sepse bëja si i fortë duke folur dhe bërë gjëra që nuk duhej.

Si për shembull?

Po në një ndeshje Lacio-Arsenal të vitit 2000 e quajta Patrik Evranë “zezak m…” dhe ai ma ktheu me “cigan”. Unë u dënova sepse e quajta “m…”, ndërsa atij asgjë sepse unë mbetesha cigan.

Kur e kuptuat që Jugosllavia do të “shkrihej”?

Në finalen e Kupës së vitit 1990 kur shoku im te kombëtarja jugosllave e të rinjve, kroati Igor Stimaç, më tha: “I lutem Zotit që tanët të të vrasin familjen në Borovo”.

Ju ishit edhe mik i Arkanit?

E kam takuar për herë të parë te Vojvodina dhe e kam sharë duke mos e ditur cili ishte. Kur kalova tek Ylli Kuq i Beogradit, më ftoi në shtëpinë e tij dhe kujtoja se do të më vriste. Ishte shumë i sjellshëm dhe më dha numrin personal të telefonit për çdo nevojë që mund të kisha. Në vitet e mia në Beograd mund të kem kaluar 200 mbrëmje në vit pranë tij sepse për mua ishte Zeljko, miku im dhe jo komandanti Arkan apo shefi i Tigrave.

Përpara se t’ju jepet titulli “Qytetar Nderi i Bolonjës” ju kërkojnë që të bëni një deklaratë ku dënoni gjenocidin dhe krimet e luftës….

Kam folur për atë aspekt. Nuk jam dakord për atë që ka bërë Zeljko, gjithsesi unë nuk e përbuz një raport që ka qenë pjesë e jetës sime apo të asaj që unë kam qenë sepse do të isha hipokrit. Një herë, “Messagero” publikoi një foto me tre fëmijë të vrarë. Njëri prej tyre ishte një shok imi i fëmijërisë. Lufta na vrau të gjithëve.

Ju ndiheni më shumë serb apo italian?

Në vitin 2000, kur nisën bombardimet në Kosovë, im atë që asokohe punonte si kamionist, vendosi të kthehej në fshat. E urreva në atë çast. Ai jetonte me mua në Romë dhe nuk i mungonte asgjë, megjithatë zgjodhi rrënjët duke shkuar në një fshat në mes të hiçit. Mezi u pajtova me idenë e tij, por më në fund e kam kuptuar.

MIHAJLOVIC

Asokohe patët edhe një takim me kryeministrin D’Alema…

Ma mundësoi presidenti i Lacios, Kranjoti. Zoti D’Alema u tregua i sjellshëm dhe më tha se bombardimet i kishin vendosur amerikanët. Që nga ajo kohë i urreja amerikanët, por ironia e fatit deshi që palcën të ma dhuronte pikërisht një amerikan.

Përse u kthyet aq shpejt në pankinë?

Peshoja 75 kilogramë dhe kisha vetëm 300 rruaza të bardha në trup, por iu luta mjekëve të më lejonin të drejtoja ekipin. Ndieja mëshirën e gjithkujt që pata kontakt atë ditë, megjithatë doja të jepja një mesazh sepse nga sëmundjet nuk duhet të na vijë turp e jeta duhet jetuar në maksimum, qoftë edhe në ditët e fundit të saj.

Po sot kush është Sinisha Mihajloviç?

Një burrë që mundohet ta shohë gotën gjysmë të mbushur. Tri ditë më parë u vizitova dhe megjithëse e përsëris këtë ritual prej kohësh, gjithmonë trembem.

Ndërkohë të gjithë po ju duartrokasin. A nuk jeni lodhur?

Më ndihmojnë shumë, por më ka ardhur në majë të hundës. Mezi pres të më quajnë përsëri “cigan m…”.

Related posts

E BUJSHME/ Përfundoi si zgjedhje e dytë nga trajneri Inzagi, ja e ardhmja e Thomas Strakoshës…

Delo.autor

LIVE/ Derbi i Londrës: Mbyllet ndeshja Tottenham-Chelsea. Rezultati 0-1

Delo.autor

LËVIZJE NË PARAVIJËN E KUQEZINJVE/ Milani siguron talentin serb, por rrezikon të humbasë…

F.autor

Leave a Comment