Futboll Kategoria Superiore Sport

“MARADONA MË MËSOI SI TË JETOJA”/ Torasa: Për ne argjentinasit do jetë i përjetshëm dhe një legjendë

“Diego Armando Maradona ishte Zoti në tokë për argjentinasit”. Në ditën e funeralit ndoshta të lojtarit më të madh të të gjitha kohërave, Diego Armando Maradonës, ai që flet për futbollistin e madh është argjentinasi i Tiranës, Agustin Torasa. Ky i fundit në një intervistë të shkurtër tregon se çfarë është për gjithë Argjentinën Diegoja, si ka ndikuar ai në jetën e Torasës dhe çfarë ndodhi në ditën e lutjes për Armandon në Argjentinë. Torasa rrëfen se çfarë do të thotë Diego Armando për Argjentinën.

“Maradona pothuajse për gjithë Argjentinën apo popullin argjentinas, do të thotë krenari, do të thotë futboll e magji. Ishte Zoti tokësor që ka jetuar ndonjëherë në rruzull. Si çdo tokësor, edhe ai kishte gabimet e tij, çmenduritë e panumërta, por edhe sukseset e mëdha. Ka mbrojtur ngjyrat e kombit tonë si asnjë tjetër, duke bërë që ne argjentinasit ta puthnim, të ndienim krenari në çdo cep të botës. Për ne argjentinasit do të jetë i përjetshëm dhe një legjendë”, thotë në fillim Torasa. Agustini foli si argjentinas, si një futbollist dhe admirues i Maradonës, ai tha mendimin e tij për të madhin e topkëmbës. Për Torasën, Maradona ka ndikuar në jetën e tij.

“Për mua Maradona është lojtari më i madh i të gjitha kohërave. Për mua ishte heroi dhe lojtari më i madh i kombëtares së Argjentinës. Nga ata që nuk është parë ndonjëherë në fushat e lojës. Nuk e gjykoj për atë që ka bërë në jetën dhe me jetën e tij. E dua për atë që ka bërë për jetët tona. Për jetët e gjithë Argjentinës dhe atyre që e dashurojnë këtë sport. Fama e madhe që e shpëtoi nga varfëria, e burgosi gjatë gjithë jetës së tij të mëpasme. Kjo më ka treguar dhe mësuar edhe çfarë duhet të jem dhe të mos jem në jetë, çfarë duhet të bëj dhe nuk duhet të bëj në jetë. Do të jetë gjithmonë në zemrën time”, vazhdoi më tej Agustin Torasa. Lojtari i Tiranës rrëfeu edhe se si miqtë dhe familjarët e tij po përballen me situatën dhe çfarë po ndodh në vendin e tij të lindjes.

“Në Argjentinë ka shumë trishtim. Kam biseduar me të gjithë miqtë dhe familjen time. Askush nuk mund ta besojë se Diego nuk është më me ne. Çdo klub ka bërë homazhe në nder tij. ‘Kupa e Superligës’ (ky është emri i kampionatit që tani po luhet në Argjentinë), tani e tutje do të quhet ‘Kupa Diego Armando Maradona’. Presidenti i vendit ka dekretuar 3 ditë zie kombëtare dhe homazhet u bënë në ‘Shtëpinë Rozë’ e cila është selia e pushtetit ekzekutiv të Republikës Argjentinase. Më saktë aty është presidenca. Njerëzit gjatë gjithë ditës së djeshme bënë homazhe në nder të tij. Një pjesë e futbollit ka vdekur, më i miri nuk është më”, mbylli Agustin Torasa.

Related posts

LIVE/ Ndërpritet ndeshja në Kamëz, portieri i Kukësit duhet të ndërrojë fanelën e zezë

Isa.Autor

NË PRAG TË SFIDËS NDAJ FROSINONES/ Allegri: Duhet të bëjmë një ndeshje serioze dhe më pas të…

Delo.autor

MANCHESTER CITY-TOTTENHAM/ Ndodh e pabesueshmja, 4 gola brenda 11 minutash (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment