Futboll Seria A Sport

“PËRBINDËSHI” NUK NJEH LIMITE/ Ronaldo barazon Puskas, tani ka vetëm 3 legjenda përpara historisë

Ky njeri nuk njeh limite dhe çdo shifër që mund të duket e pakapshme për këdo, për Kristiano Ronaldon është një stimul që të mund të japë edhe më shumë sesa mundësitë e tij. Rekordet e kanë përndjekur gjatë gjithë karrierës së tij, por ndërkohë kapiteni i Portugalisë kërkon edhe më shumë sesa kaq: CR7 kërkon primatin e historisë.

Kundër Andorrës rezultati final ishte sipas pritshmërive, një 7-0 “modest” duke parë kundërshtarin, por më shumë sesa golat e Netos, Sançesit e Feliksit apo dhe dopietës së Paulinjos, të gjithë prisnin atë se çfarë do të mund të bënte Kristiano Ronaldo. Dhe jashtëtokësorit luzitan i mjaftuan 45 minuta për të bërë një nga katër hapat e parë drejt historisë.

Nëse në minutën e 76-të, teksa përgatitej të godiste në rrjetë, ai sheh kundërshtarin Emil Garsia në tentativën për të spastruar zonën të devijojë në portën e tij, kalojnë më pak se 10 minuta dhe Ronaldo ngre duart nga qielli: sulmuesi i Juventusit shënon me kokë golin e 746-të në karrierën e tij (mes klubeve dhe kombëtares A), duke barazuar legjendën hungareze, Ferenc Puskas dhe duke u shndërruar në golashënuesin e katërt më të mirë të historisë së futbollit.

Gjithsesi, një gol ndoshta ishte shumë pak për të, si minutazhi i djeshëm, por duke parë problemin në kavilje, ndoshta ndaj Andorrës shifrat mund të kishin qenë edhe shumë më të gjera për vetë juventinin, ashtu sikurse për Portugalinë, ndonëse ndeshje ka ende shumë në program, të paktën deri në vitin 2022, kur ai ka lajmëruar se do të heqë dorë nga kombëtarja.

Ndërkohë, pas arritjes së Pushkashit, Ronaldo sheh përpara vetëm 3 pengesa dhe çfarë pengesash madje, duke parë emrat e tyre. Më i afërti është një i pavdekshëm si braziliani Pele, me 761 gola; më lart një tjetër brazilian si Romario me 772, ndërsa në majën e “Olimpit” është Josef Biçan, legjenda austriako-çekosllovake me 805 golat e tij në karrierë. Nga ky objektiv Kristianon e ndajnë vetëm 59 gola, një shifër qesharake ndoshta kjo, duke parë se mes ndeshjeve me Juventusin dhe atyre të radhës me Portugalinë, pa dyshim që rastet për të shënuar do të jenë ende të shumta.

Por, ndërkohë, ai i djeshmi me Portugalinë ishte një tjetër gol, një tjetër hap drejt një tjetër aspekti historik, për sa u përket vetëm ndeshjeve me kombëtaret. Iraniani Ali Daei në kuotën 109 gola nga mbrëmë është vetëm 7 realizime larg (CR7 shënoi të 102- tin me Portugalinë)… Shkurt, për këtë njeri, nëse vërtet është i tillë, asgjë nuk është e pamundur dhe nuk do të jetë deri në ditën që do të vendosë të varë këpucët në gozhdë!

Related posts

Kontratat mbeten peng i gjyqit në CAS, e ardhmja e Skënderbeut ende në pikëpyetje

Sadik.Autor

FUTBOLLI SHQIPTAR NË ZI/ Ndahet nga jeta ish-trajneri i klubit të… (FOTO)

Delo.autor

LIVE/ Shqipëri-Maltë: Penallti për kuqezinjtë, nga 11 metra nuk gabon sulmuesi i Partizanit (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment