Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ “KORÇARËVE”/ Teuta humbet sulmuesin kryesor. Hoxha mban në ankth durrsakët

Blerim Krasniqi humbet duelin me ish-skuadrën. Sulmuesi i Teutës, edhe pse mendohej se mund të ishte i gatshëm për ndeshjen e 4 nëntorit, nuk ka asnjë shans të luajë nesër. Dëmtimi në shpatull gjatë muajit shtator ka kërkuar kohën e vet dhe tashmë te Teuta presin që të paktën Krasniqi të marrë disa minuta për sfidën e javës së dytë, që do të zhvillohet të dielën ndaj Tiranës.

Ndërkohë, duke shtuar këtu edhe mungesën e sigurt të mbrojtësit Fabjan Beqja, i cili vjen pas operacionit, trajneri Edi Martini është shqetësuar së fundmi edhe për Rustem Hoxhën. Qendërmbrojtësi ka ndjerë dhimbje në pjesën e kofshës dhe dje ka bërë një kontroll. Mësohet se mjekët kanë konfirmuar se nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz. Mirëpo, duke qenë se ndeshja me Skënderbeun është shumë afër, nuk ka garanci nëse Hoxha do të jetë në fushë nesër. “Panorama Sport” mëson se stafi mjekësor po bën gjithçka që shtatlarti durrsak të mos mungojë ndaj Skënderbeut.

FORMACIONI
Paraqitja e Teutës pritet me shumë interes në ndeshjen e nesërme në orën 16:45 në stadiumin “Niko Dovana”. Trajneri Martini e ka fiksuar prej javësh formacionin dhe vetëm ndonjë dëmtim i papritur mund të ndryshojë planet e tij. Kështu, në portë do të jetë si zakonisht Stivi Frashëri. Në qendër të mbrojtjes do të luajnë Arapi dhe Hoxha, por nëse ky i fundit nuk ia del, atëherë në krah të kapitenit do të jetë Denis Pjeshka. Nuk përjashtohet mundësia edhe e aktivizimit të Aleksit në qendër të mbrojtjes, por më parë duhet të verifikohet gatishmëria e Hoxhës. Në krahun e djathtë të mbrojtjes do të jetë Todorovski, ndërsa në të majtë rikonfirmohet Kuro. Mesfusha nuk parashikohet të ketë ndryshime, pasi Aleksi me Avdylin do të jenë në qendër të saj, ndërsa Emiliano Vila në të djathtë dhe Lorenco Vila në të majtë. Në rolin e një fantazisti do të jetë Dejvi Bregu, duke vepruar pas krahëve të Rubin Hebajt, i cili pozicionohet në majën e sulmit. Me shumë interes pritet të shihet vlonjati, i cili në debutimin e tij me fanellën e Teutës, si për ironi të fatit do të ketë kundër ish-ekipin, Skënderbeun, aty ku për dy sezone la gjurmë. Te Skënderbeu Bregu ka luajtur më tepër si një sulmues i majtë ose i djathtë, por tashmë te Teuta trajneri Martini e sheh shtatshkurtrin si një numër 10, pra në pozicionin që deri pak muaj më parë luante Sherif Kallaku. “Lufta” për një vend është e madhe tashmë te durrsakët, aq më tepër kur të rikthehet Krasniqi, i cili bashkë me Hebajn janë sulmuesit kryesorë.

Related posts

(FOTO) Renditja në La Liga pas ‘El Clasicos’, Reali ‘vite dritë’ larg Barcelonës

Q.Autor

PAS SHKARKIMIT NGA UNITED/ Mourinho mes kërkesash, pas Realit….

Isa.Autor

Barcelona, e ardhmja e Deulofeu vendoset në 3 ditë

Q.Autor

Leave a Comment