Futboll Seria A Sport

ANALIZA/ Zero duele të fituara, Juventus është ende në kërkim të një lideri në mesfushë

Sulmi duket sikur nuk mund ta përballojë asnjë mungesë sporadike të Kristiano Ronaldos, ndërsa mbrojtja nuk mund të bëjë pa Matajs de Ligtin. Ndërkohë, mesfusha e Juventusit është ende në kërkim të një lideri dhe mbi të gjitha të formës më të mirë. Në barazimin zhgënjyes ndaj Beneventos, për shembull, vështirësitë e mesfushorëve të brendshëm u dalluan qartë në filtrimin e lojës, me shumë topa të humbur në mënyrë fëminore dhe duke i hapur shumë telashe prapavijës torineze. Reparti që dikur lulëzonte dhe shkëlqente, kur pjesë e tij ishte edhe Andrea Pirlo si futbollist, është pikërisht ai që po i komplikon sezonin debutues si trajner “Maestros”.

ZERO DUELE TË FITUARA – Problematikat e qendrës së mesfushës janë një miks vështirësish të individëve dhe e gjendjes fizike që vazhdon të mungojë. Nëse është e vërtetë se Artur vazhdon që të shprehë me mjaft vështirësi kërkesat e trajnerit të tij, është Rabio ai që vazhdon të bjerë në disa pakujdesi që është pak t’i quash vdekjeprurëse. Sigurisht, disa dalje mjaft të mira nga ana e qendrës së mesfushës janë parë deri tani, por kur ndeshja bllokohet, është shumë e mbyllur, atëherë duket qartë se shtylla kurrizore e Juventusit nuk arrin të ofrojë ato shkëndija personaliteti që nevojiten për të shembur muret rivale. Fatkeqësisht, e njëjta gjë ndodh edhe kur ndeshjen e ka nën kontroll Juventusi, me mesfushën që zbret shumë metra larg portës rivale dhe në këtë mënyrë dërgon në vështirësi edhe mbrojtjen.

Kundër Beneventos, për shembull, e dhëna më e frikshme ishte ajo e dueleve të fituara nga reparti i akuzuar: praktikisht asnjë, zero… E thënë ndryshe, asnjë top i rikuperuar, asnjë mundësi kundërsulmi për t’u vënë turbon lojtarëve të shpejtë të sulmit si Dibala e Morata. Por, akoma më keq, zero duele të fituara do të thotë autostrada të gjera dhe të lira për aksionet e kundërshtarëve, qofshin edhe modeste, si Benevento, siç ndodhi në minutat finale të pjesës së parë, kur verdhekuqtë gjetën edhe barazimin.

MUNGON ZJARRI – Një prej lojtarëve që duket më pak se kushdo tjetër në këtë sezon është Rodrigo Bentankur, ose më saktë ai i vetmi që duket se ka cilësitë e vetme për t’u përplasur dhe për të fituar duelet me kundërshtarët. Ndoshta largimi i Pjaniçit, me të cilin kuptohej mjaft mirë, e ka nxjerrë disi nga shinat, pasi të paktën këtë theksojnë edhe shifrat. Deri në sezonin e kaluar, uruguaiani ishte lojtari më deciziv i mesfushës, ai që ishte rritur më shumë se kushdo tjetër, madje e mbylli sezonin me 7 asiste për gol dhe me një mesatare prej 1.28 rastesh për gol që ndërtoheshin nga vetë ai. Ndërsa sivjet një kanion negativiteti: zero asiste dhe vetëm 3 raste për gol gjithsej në 11 prezenca të akumuluara. Shkurt, Juves i mungon zjarri në mesfushë, i mungon dëshira për të përplasur brirët me rivalët…

Related posts

“DEKLARATA BOMBË”/ Zaneti: Ne argjentinasit nuk e kuptojmë çfarë përfaqëson MESSI…

Isa.Autor

ËSHTË ME NJËRËN KËMBË JASHTË CHAMPIONSIT/ Ja cili është dëmi financiar për Juventusin

Delo.autor

RRAHMANI “LË NAM” NË DEBUTIM/ Gatuzo e zëvendëson menjëherë

F.autor

Leave a Comment