Futboll Kategoria Superiore Sport

“DY FITORET NA NDIHMUAN TË NGRIHEMI NË RENDITJE”/ Mbrojtësi Hoxha: Në garë për titull janë…

Qendërmbrojtësi i Teutës, Rustem Hox ha, është i mendimit se skuadra e ka gjetur ritmin dhe fitorja 3-1 me Skënderbeun është treguesi real. Për “Panorama Sport”, Hoxha u shpreh se Teuta e këtij edicioni është pa dyshim për titullin kampion, por për trofeun do të jetë një garë e ashpër. 29-vjeçari është i bindur se ndaj Tiranës ekipi do të thyejë tersin e fushës brenda, pasi deri tani akoma nuk e kanë marrë fitoren e parë në kampionat në “Niko Dovana”.

A është më e qetë situata te Teuta pas dy fitoreve radhazi?

Para këtyre dy fitoreve kishim marrë dy rezultate jo të mira. Ndaj, sukseset e fundit ishin pothuajse detyrim për ne dhe falë Zotit ia arritëm. Por, tani duhet të shtojmë ritmin akoma më shumë, sepse ndeshjet sa vijnë e vështirësohen. Dy fitoret na ndihmuan të ngrihemi edhe në tabelë dhe rivalet tanë të mos shkëputeshin më shumë.

A jeni gati për të mundur Tiranën, duke bërë një tjetër hap të madh në kampionat?

Stërvitemi fort gjatë gjithë javës dhe hyjmë në fushë me mentalitetin për të fituar ndaj çdo kundërshtari. Pavarësisht se do jetë një ndeshje shumë e vështirë, ne po bëjmë përgatitjet e duhura që ta fitojmë këtë sfidë dhe shpresoj se do t’ia arrijmë qëllimit.

Çfarë ndeshjeje parashikoni se do të luhet të dielën në “Niko Dovana”?

Siç e thashë edhe më lart, do të jetë një ndeshje e fortë, sepse dhe Tirana ka një ekip shumë të mirë, është kampionia në fuqi. Mendoj që të dyja skuadrat do të hyjnë në fushë për fitore. Ai ekip që do jetë më i përqendruar, do japë maksimumin dhe do të luftojë për çdo top, do të arrijë të marrë fitoren. Unë shpresoj dhe kam besim se ekipi që do fitojë do të jetë Teuta.

Kujt i druheni më tepër në këtë takim?

Tirana është një ekip që luan mirë futboll. Ata kërkojnë që ta luajnë topin poshtë, gjithashtu dhe ne këtë gjë kërkojmë. Nuk i druhem ndonjë gjëje. Nëse do jemi të gjithë në formë, nuk i druhemi asgjëje.

Si e shpjegoni faktin që në Durrës keni vetëm barazime?

Mendoj që ekipet që kanë ardhur në Durrës për të luajtur, më shumë kanë ardhur për një pikë dhe janë mbyllur shumë mbrapa në zonën e tyre dhe ky ka qenë një problem. Por, edhe fati nuk ka qenë me ne. Shpresoj që ndaj Tiranës të bëjmë kthesën dhe të fitojmë në shtëpi.

Çfarë mendoni se mund ta bëjë diferencën dhe a keni ndonjë parandjenjë për rezultatin?

Në ndeshje të forta dhe me rivalitet mendoj se diferencën do ta bëjë përqendrimi që do kemi gjatë 90 minutave dhe duhet të luftojmë për çdo top. Parandjenjë nuk kam, por meqë i kam shënuar shpesh Tiranës, uroj që dhe në këtë ndeshje t’i shënoj sërish gol.

Cilat skuadra shikoni në garë deri në fund për titullin kampion?

Deri tani asnjë ekip nuk ka bërë diferencën, por mendoj se janë 5-6 skuadra që do të rivalizojnë deri në fund. Mendoj se do të jetë një garë e fortë, si për titull dhe për pjesëmarrjen në Europë. Do të jenë të gjitha aty-aty, ndaj nuk besoj se do të krijohet diferencë e madhe në fund të kampionatit.

Related posts

Viviani suksesi i tretë në Xhiro, Zhupa protagonist i një shkëputje

Sadik.Autor

Mohamed Salah kushton më shumë se Neymar…

Sadik.Autor

Spektakli i tribunave nuk mbetet pas, ja disa nga imazhet më të bukura nga finalja e Moskës (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment