Futboll Sport

FINALJA EUROPIANE NË STADIUMIN “AIR ALBANIA”/ Flet Edi Reja: Ju tregoj çfarë fiton Shqipëria

Stadiumi “Air Albania” do të presë një finale europiane në vitin 2022, teksa do të zhvillohet finalja e “Conference League”. Për këtë ka folur edhe trajneri i Kombëtares, Edi Reja, i cili për portalin e FSHF është shprheur se kjo është diçka e shkëlqyer për Shqipërinë, jo vetëm nga ana sportive, por mund të jetë edhe një reklamë për vendin tonë.

“Jam surprizuar për mirë kuptohet nga ky vendim i UEFA-s. Sigurisht me stadiumin e ri të ndërtuar së fundmi edhe faktin që Shqipëria po rritet, ky është motiv i madh kënaqësie veçanërisht për Federatën Shqiptare të Futbollit. Sepse një ngjarje e këtij lloji, pra organizmi dhe pritja e finales së një kompeticioni të UEFA-s është diçka historike për Shqipërinë. Kjo do të thotë që vendi tashmë ka besueshmëri edhe në nivel evropian.

Sigurisht, më duhet të them se meritë të madhe ka edhe Presidenti Duka, i cili me raportet që ka krijuar ndërkombëtarisht, me besueshmërinë që ka fituar në forumet e larta evropiane ka bërë që edhe UEFA të ketë besim te projekti i Shqipërisë. Në fakt, pas ndërtimit të stadiumit Presidenti Duka më pati thënë se synimi i tij ishte që të luhej një finale e madhe në Shqipëri dhe sigurisht që ai ka pasur rol kyç në këtë mes. Në aspektin sportiv shqiptarët do të kenë mundësi të shohin ‘live’ një finale ku vlerat teknike janë të një niveli të lartë, duke shpresuar që në këtë sfidë të vijnë skuadra të rëndësishme. Të organizosh një finale të tillë në stadiumin e ri, që është një vërtetë një xhevahir, do të thotë shumë edhe për imazhin e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar.

 

Urojmë të shohim një ndeshje të bukur dhe stadiumi të jetë plot, pasi deri atëherë shpresoj që edhe pandemia të ketë mbaruar. Është e vështirë që UEFA të të japë një organizim të tillë nëse nuk ka garancitë e duhura që vendi është në gjendje të presë një finale evropiane. Edhe në aspektin turistik pritja një eventi të tillë është shumë e rëndësishme pasi do të ketë të ardhura për të gjitha baret, restorantet, hotelet. Nëse të huajve do t’u pëlqejë vendi mund të kthehen sërish për pushime.

Shqipëria po rritet, po zhvillohet dhe po përpiqet të bëhet gradualisht si vendet e tjera të BE-së. Madje, në futboll ka ecur shumë përpara dhe ka treguar se është në nivel me vendet e tjera të unionit. Pastaj janë edhe shkëmbimet kulturore, eksperienca të reja për mentalitete të ndryshme dhe raporte të reja që krijohen në këto raste të pasurojnë dhe e ndihmojnë vendin të zhvillohet. Ky event nuk vlen vetëm për natën e finales, por ka efekte të shumta pozitive javë para ndeshjes dhe më pas me jehonën e ndeshjes”, – u shpreh trajneri i Kombëtares, Edi Reja.

Related posts

“El Chiringuito”: Ronaldo merr katër trajtime të ndryshme në ditë për t’u rikuperuar për finale, ai do të luajë kundër Liverpoolit

Sadik.Autor

“ME KËNAQËSI JU NJOFTOJMË SE…”/ Ronaldo ndan gëzimin e madh me fansat, “shpërthejnë” rrjetet sociale (FOTO)

Delo.autor

VIDEO/ Tifozët e vërshëllejnë, Ronaldo me gjestin e tij i lë me ‘gisht në gojë’

Q.Autor

Leave a Comment