Futboll La Liga Sport

SHIFRA TË FRIKSHME/ Një krizë pa fund për Barcelonën. Pa para, pa projekt. “Pleshti” ikën me zero

Numrat tashmë dihen, por më e keq ja është se ata janë tmerrësisht të frikshëm. Pastaj ekzistojnë edhe ato ndjesitë që janë edhe më të rrezikshme, që trembin mbi të gjitha ata që bëjnë tifozllëk për kuqeblutë. Shkurt, Barcelona po përjeton një krizë pa fund, por jo vetëm nga e marta, por prej shumë kohësh tashmë. Dhe çfarë është më e keqja është se nuk duket asgjë në horizont nga e cila të dilet shpejt dhe sa më lehtë. Juventusi nga ana e tij e shfrytëzoi në maksimum këtë moment dhe me shumë seriozitet dhe dëshirë, i dha grushtin e fundit një skuadre që ka humbur shpirtin, por me sa duket edhe cilësinë!

NUMRAT – Prej 13 vitesh, Barcelona i mbyllte grupet e Champions-it gjithmonë si e parë. Disfata 3-0 e pësuar nga Ronaldo me shokë do t’u dhurojë atyre një fazë 1/8-ash me siguri drithëruese, pasi kjo skuadër kishte 7 vite që nuk humbte në shtëpi, në Europë (0-3 ndaj Bajernit në vitin 2013). Por, Juventusi i dha të martën fund një serie fantastike prej 34 fitoresh dhe 4 barazimesh në 38 ndeshje, por në të njëjtën kohë regjistroi edhe një tjetër rekord 11-vjeçar, duke parë se sërish në “Kamp Nou”, Barcelona nuk humbte me Mesin në fushë, në fazën e grupeve, që prej vitit 2009 (ndërsa nëse llogarisim ndeshjet me Mesin në fushë, në fazën e grupeve të Champions-it, si brenda dhe jashtë fushe, katalanasit nuk humbnin që nga 2016-ta). Pikërisht këto shifra tregojnë madhështinë e fitores së Juventusit…

TITUJT E MEDIAS – “Mund të kishte shkuar edhe më keq”, shkruante “Esportiu”, e përditshme katalanase, duke iu referuar rënies së shëmtuar të kuqebluve. “Kristiano shtyn Barçën në greminë”, lexohej në faqen e parë të “Marca”-s, ndërsa “Sport” u limitua me një fjalë: “Kalvar”, shoqëruar me një foto të Mesit kokulur. Ndërsa për katalanasen tjetër, “Mundo Deportivo”, ishte thjesht “Katastrofa e radhës”, shoqëruar edhe me rikujtesën e humbjeve me Romën në vitin 2018, me Liverpulin në 2019-ën dhe 8-2 e pësuar nga Bajerni 4 muaj më parë.

PERSPEKTIVA – Por çfarë është më e keqja, lidhet me të ardhmen e katalanasve… Barcelona aktualisht është pa president, zgjedhjet për të cilin do të mbahen në fund të janarit 2021. Klubi ka mbetur pa asnjë euro në arkat e tyre, duke qenë se pagat janë ulur në 172 milionë euro në total, por akoma më keq se kaq duket se ky klub nuk ka një projekt, nuk ka një ide loje dhe mbi të gjitha duket se nuk ka më as cilësi në fushë. Por, ajo që të gjithë i tremben më shumë, sidomos tifozët, është se shumë shpejt, Barcelona do ta gjejë veten edhe pa Lionel Mesin.

“Pleshti” kishte kërkuar që të largohej në verën që lamë pas, por edhe pse u detyrua të qëndronte, gjithsesi është në skadencë kontrate më 30 qershor 2021 dhe Barça duket se nuk ka më as mundësi që t’ia rinovojë atë me shifrën e 50 milionë eurove në sezon. Shkurt, Barcelona po mbahet në një fije peri, pasi edhe në kampionat po tregon se nuk është e aftë të luftojë, pasi ka humbur 4 ndeshje nga 10 të luajtura dhe e sheh veten 12 pikë larg Atletikos kryesuese.

FRIKA E MADHE – Çdo ndeshje është një kalvar më vete, çdo rival tashmë jo vetëm nuk i ka më frikë kuqeblutë, por beson se mund të fitojë si i barabartë ndaj ekipit të Ronald Kumanit. Ky i fundit ndryshoi sistemin e lojës nga 4-3-3 në 4-2-3-1 pa gjetur ende një ekuilibër loje, por fatmirësisht për trajnerin askush nuk ka guximin ta shkarkojë, sepse jo vetëm nuk ka alternativa, por as para. Ndaj, me të drejtë te Barcelona ka nisur të ndiejë frikën se mund ta mbyllë shumë keq këtë sezon të gjatë që e pret ende, një ndjesi e kompromentuar që nga sezoni i kaluar, kur për herë të parë Mesi me shokë e mbyllën vitin pa asnjë trofe, pas një periudhe shumë të gjatë, në të cilën ata ndoshta mund të mos ishin “diktatorë” apo në elitë, por të paktën nuk dilnin pa dhurata për tifozët e tyre.

Related posts

Tre futbollistë anglezë përfundojnë në pranga…

Sadik.Autor

LAZIO I AFROHET JUVENTUSIT/ Kryeqytetasit mundin Interin dhe i marrin vendin e dytë

F.autor

ELIMINIMI NGA “EURO 2020″/ Zbulohet fjalët e teknikut Enrique drejtuar yllit Morata para goditjes së 11-metërshit

Delo.autor

Leave a Comment