Bundesliga Futboll Sport

BAYERN NISI VITIN 2021 ME PËRMBYSJE TË “ÇMENDUR”/ Trajneri Flick: Flemë gjumë në pjesët e para

Bajerni i Mynihut e ka nisur me spektakël vitin 2021, teksa ka mposhtur me rezultatin 5-2 me përmbysje Maincin në “Allianz Arena”. Edhe pse ndeshja nisi keq për skuadrën e Hansi Flik, që e mbylli pjesën e parë në disavantazhin e 2 golave, pasi miqtë nga Mainci shënuan dy herë në 45 minutat e para me anë të Burkardt në minutën e 32-të dhe Hak në minutën e 44-t, në fund bavarezët dolën të buzëqeshur nga fusha e lojës. Pjesa e dytë ishte një tjetër histori, me bavarezët që shënuan plot 5 herë, fillimisht me Kimish në minutën e 50-të, për të vazhduar më pas me Sane në minutën e 55-të, Zyle në minutën e 70-të dhe dopieta e Levandovskit në minutat 76- të dhe 83-të.

Polaku shkoi në 19 gola në 14 ndeshje duke u bërë kështu lojtari i parë në Bundesligë që arrin këtë numër golash. Ai është pranë arritjes së rekordit që mbahet nga Gerd Myler i cili në një sezon ka shënuar plot 40 gola. Me fitoren e së dielës ndaj Maincit, Bajerni mori kryesimin e renditjes me 33 pikë, 2 pikë më shumë se Lajpcigu i vendit të dytë dhe tetë nga rivalët e Dortmundit të cilët renditen në vendin e katërt. Sfida e radhës në kampionat për kampionët e Gjermanisë do të jetë ajo ndaj Gladbahut në transfertë më datë 8 janar në orën 20:30.

FLIK
Ndërkohë trajneri Hansi Flik tha pas ndeshjes se ishte pjesërisht i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij e cila u zgjua vetëm në 45 minutat e dyta të takimit. “Gabuam shumë në pjesën e parë duke humbur topin dhe shumë dyluftime në mesin e fushës.

Në pushim të ndeshjes u thashë lojtarëve që duhet të zgjohemi nëse duam ta fitojmë ndeshjen”, tha 55-vjeçari. Në fakt reagimi i skuadrës nuk mungoi, Bajerni shënoi 5 herë duke marrë tri pikët e para për 2021 dhe duke nisur vitin e ri me fitore. “Ishte e rëndësishme që të fitonim pas ndeshjes në Leverkusen. Reagimi ishte ai që prisja, por ato 45 minutat e para nuk duhet të ndodhin më pasi në një ndeshje tjetër mund të na kushtonte shumë. Më pëlqeu fakti që skuadra ka ruajtur mentalitetin fitues edhe pas pushimeve. Të gjithë e dimë që ndeshjet e para nuk janë asnjëherë të lehta për t’u luajtur. Kjo pasi ritmi është i ulët dhe lojtarët janë ende me mendje te pushimet edhe pse këtë herë ato(pushimet)ishin më të shkurtra se herët e tjera”, tha trajneri i Bajernit.

Related posts

FULHAM-MANCHESTER UNITED/ “Djatë e Kuq” dyfishojnë shifrat, shënon Martial

Delo.autor

Marca hedh ‘bombën’: Sanchez ka marrëveshje me Cityn

Q.Autor

ZYRTARE/ U turpërua nga kundërshtari në fundjavë, klubi i Serisë A shkarkon trajnerin

F.autor

Leave a Comment