Liverpuli nuk fiton në 5 ndeshjet e fundit në Pre mier Ligë dhe të enjten pa Bërnlejn t’i thyente rekordin e 68 ndeshjeve pa humbje në “Anfield”. Por në prag të përballjes së nesërme me Mançester Junajtidin në “Old Trafford” (1/16-at e Kupës FA) është momenti ideal për të nisur kthesën. Një javë pas përballjes në “Anfield” në kampionat javën e shkuar (0-0), skuadrat më të titulluara të Anglisë do të dhurojnë një tjetër pasdite emocionuese.
Pas humbjes me Bërnlejn, trajneri Klop u ankua se nuk është ai që thotë fjalën e fundit në merkaton e “Reds”-ave dhe në konferencën e djeshme iu kërkuan shpjegime pas një deklarate kaq të fortë. “Sigurisht që është dikush tjetër ai që i merr vendimet, kështu ka qenë gjithnjë”, tha gjermani. “Nëse njerëzit janë të surprizuar për këtë nuk kam çfarë të bëj. Ne diskutojmë çdo ditë për situatën. A mund të përmirësojmë diçka apo jo? Unë pastaj bëj rekomandimet, por nuk mund të shpenzoj para.
Nuk i marr unë këto vendime, nuk i kam marrë kurrë”. Kampionët kanë rrëshqitur në vend të 4-t në kampionat, ku nuk shënojnë prej 4 ndeshjesh: “Kur gjërat në fushë nuk funksionojnë siç ne do donim të funksiononin ka një problem. Nuk ua kam shpjeguar mirë djemve këtë problem. Duhet të ndryshoj mënyrën e të treguarit dhe më pas ata duhet të ndryshojnë mënyrën sesi luajmë. Në çdo situatë të vështirë ka një shans për të bërë diçka. Unë kam folur me djemtë pas Bërnlejt dhe do të flas sërish sot me ta. Duhet të punojmë me detajet”.
STATISTIKAT – Fitorja e fundit e Liverpulit në “Old Trafford” ka qenë ajo 3-0 në mars 2014. “Reds”-at dhe “Djajtë” janë përballur 17 herë në Kupën FA, përfshirë dy herë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur Mançester Junajtid njihej si Njuton Hith. Liverpuli ka humbur 9 herë përballë Junajtidit në Kupën FA, më shumë se ndaj çdo rivali tjetër.