Futboll Seria A Sport

SKANDALI NË DERBIN E MADONINËS/ Sy të nxirë e brinjë të thyera, karriera e Ibrahimovic mes… sherreve

Në të mirë e në të keq, Zlatan Ibrahimoviç mbetet i njëjti. Pa fjali përgjysmë apo nënkuptime e gjithmonë agresiv ndaj kujtdo, shokë ose rivalë. Shkëndijat kokë më kokë me Lukakun në derbin e Kupës së Italisë nuk përbëjnë ndonjë risi, duke qenë vetëm episodi i radhës në një karrierë të stërmbushur me raste të bujshme që sot i vlejnë për famën e “djalit të keq”.

Konfirmimet mund t’u kërkohen emrave të njohur në botën e gjaknxehtësisë si Materaci, Onievu, Mido, Vander Vart e ndonjë tjetër. Lista e viktimave në 22 vite karrierë është e gjatë dhe e pasur me anekdota që kanë dalë në pah shumë kohë pasi kanë ndodhur e ne po ju ofrojmë disa prej tyre.

FILLESA E NERVOZIZMIT – “Nuk jam i keq, por të gjithë e mendojnë kështu e mua nuk është se më bezdis”, rrëfente Zlatan Ibrahimoviçi në biografinë e publikuar në vitin 2011. Asokohe e dinin të gjithë se sa lehtë mund të provokohej sepse Ibra e kishte bërë të qartë që në sezonin e dytë të karrierës së tij tek Ajaksi ku zbarkoi në vitin 2001. Në gjirin e “Harkëtarëve” pati një debat të ndezur me egjiptianin Mido i cili në nerva e sipër tentoi ta godiste nga distanca me një gërshërë. Për fat, episodi nuk pati pasoja fizike, por siç tregon Ibra:

“E pashë shtrembër dhe i kërkova Midos ta mbyllte gojën. Nuk qe e nevojshme që të kalonim te konfrontimi fizik sepse e kuptoi që do ta kisha bërë të vdekur”. Kjo histori, në fakt, është vetëm një antipastë e ngjarjeve që do të pasonin. Në një ndeshje mes Suedisë dhe Holandës, Ibrës iu desh të përballej me Rafael Van der Vartin, të cilin e kishte gjithashtu shok skuadre tek Ajaksi.

Mesfushori u dëmtua dhe e akuzoi se suedezi e kishte goditur qëllimisht. “Nuk më pëlqen se si vepron Rafaeli që hedh akuza pa bazë. Nëse më akuzon përsëri pa arsye do t’ia thyej të dyja këmbët që të kuptojë se çfarë mund të bëj kur dua ta bëj qëllimisht”.

SY TË NXIRË E BRINJË TË THYERA – Kur shkoi te Juventusi e dashuruan të gjithë, përveç Zebinasë që në stërvitje e sipër pësoi një goditje që e detyroi të dilte disa ditë në publik me një sy të nxirë. Ishte një “zënkë” do të deklaronte francezi, por vështirë ta besosh duke parë pasojat. Edhe Oguçi Onievu e ka pësuar nga nervat e Ibrës. Te Milani sherri mes tyre është i famshëm teksa për t’i ndarë u desh ndërhyrja e gjysmës së skuadrës.

“Po të mos na kishin ndarë do të ishim rrahur për vdekje, por më e çuditshmja ndodhi pasi u grindëm. Onievu bënte kryesin e i lutej Zotit me lot në sy. Në atë moment u tërbova më keq sepse m’u duk si provokim”, shpjegonte suedezi në biografinë “Unë Ibra”. Në Milano, por në anën tjetër të qytetit e ka pësuar edhe Materaci që në një derbi të sezonit 2010-’11 mori një goditje në fushë nga Ibra. Teksa mbrojtësi internist lëngonte, Stankoviç i kërkonte shpjegime Ibrës që iu përgjigj se e priste atë “hakmarrje” prej katër vitesh pasi kishte qenë Materaci i pari që e kishte goditur në një Inter – Juventus.

KUNDËR TË GJITHËVE – Siç thamë, Zlatan Ibrahimoviç nuk është nga ata që bën dallime. Kur i duhet të ngrejë zërin e bën, pa pasur problem se kë ka përballë. Diçka të tillë e ka mësuar edhe Markos Roho. Argjentinasi pak kohë më parë ka zbuluar një prapaskenë shumë interesante nga aventura e tij me Zlatan Ibrahimoviç, kur ky i fundit luante bashkë me të në radhët e Mançester Junajtidit. Në intervistën e tij për “Cielosports radio”, mbrojtësi argjentinas deklaronte se ai dhe ylli aktual i Milanit kanë pasur një zënkë gjatë ndeshjes në Europa League kundër Rostovit”.

Ibra ka karakter të fortë! I do të gjithë topat, por unë pasova për Pogbanë disa herë. Ibrës i mbaroi durimi dhe nisi të më shante. Në atë moment edhe mua m’u ngritën nervat dhe iu drejtova:

“Çfarë ke, hundëmadh? Qepe! Në daljen nga fusha diskutuam më zë të lartë dhe unë mbërrita i pari në dhomat e zhveshjes. Më pas erdhi Ibra që nisi të godiste me shkelma gjithçka që i dilte përpara. M’u afrua dhe më kërkoi të përsërisja ato që i kisha thënë në fushë. Unë iu përgjigjja me nervozizëm, por ndërkohë shpresoja që dikush nga shokët të ndërhynte pasi Zlatani mund të më vriste. Si përfundim ndërhyri Murinjo i cili na qetësoi dhe kur u futëm në fushë në pjesën e dytë fituam ndeshjen.

M’u duk se gjithçka përfundoi aty, por në stërvitjen e ditës pasardhëse Ibra erdhi të më kërkonte përsëri llogari mbi fjalët e mia, madje kujtoj që më kapi nga fyti. Për fat, po qeshte, nuk e kishte seriozisht. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe mes Ibrës dhe Adrien Rabios kur të dy luanin për PSG-në.

“Përplasja e parë ishte gjatë një miqësie verore në SHBA. Zlatani m’u hakërrye sepse nuk mendonte se bëra lëvizjen e duhur për të marrë një pasim. Shkëmbyem fyerje dhe disa ditë më vonë shkëmbyem disa goditje në stërvitje. Ndërhyrja e shokëve të mi më parandaloi nga më e keqja”, tregonte Rabio pak kohë më parë.

NË FUSHË – Në stërvitje mund të ndodhë gjithçka, por edhe në fushë Ibra nuk është kursyer. Në një ndeshje si Milan – Bari godiste me grusht në bark Marko Rosin, ndërsa në sezonet amerikane ka pasur të tjera ndodhi. Por, pa shkuar shumë larg në kohë, i njëjti fat i ndodhi të Majkëll Petrasos, lojtari i Montrea lImpakct,që në 2019, mori një goditje në fytyrë vetëm sepse shkeli këmbën e Ibrahimoviçit, sjellje qësiç demonstrohen nga grindjet me Lukakun, janë akoma pjesë e natyrës së Ibra-s. Në të mirë e në të keq.

Related posts

Gabriel Barbosa do të rikthehet në Seria A

Sadik.Autor

NDODHTE 19 VJET MË PARË/ Kur Ronaldo qante dhe Buffon tallej, Lazio i hoqi titullin Inter-it dhe ia dha… (VIDEO)

Delo.autor

“EURO 2020″/ Pas një harkimi në zonë, mesfushori Pasalic ndëshkon me kokë Spanjën (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment