Futboll Seria A Sport

STATISTIKAT E MILAN/ Vendosi 5 rekorde ndaj Beneventos, “Djalli” pret “Zonjën e Vjetër” me eufori

Milani pret sot në mbrëmje Juventusin, pas një fitoreje heroike të radhës, 2-0 në transfertë kundër Beneventos, pasi kishin mbetur me 10 lojtarë, që në pjesën e parë, pas kartonit të kuq të Sandro Tonalit. Në takimin e javës së 15-të ai që zhbllokonte sfidën ishte Frenk Kesi me penallti në minutën e 15-të dhe Rafael Leao, me një magji në të 48-ën, dy gola që konfirmuan kuqezinjtë në krye të renditjes me 37 pikë, një më shumë sesa Interi i vendit të dytë, +7 nga Roma (e treta me 30 pikë) dhe +10 nga Juventusi (27 pikë, por me një ndeshje më pak). Por kaq mjafton që për Milanin të jetë një rekord historik, madje jo një por plot pesë të tillë të vendosur pas vetëm 9 minutash.

NUMRAT E MILANIT – Me 37 pikë të grumbulluara pas 15 javësh, Milani i sezonit 2020-2021 ka vendosur primatin absolut të historisë së tij të lavdishme. Kjo, sepse kurrë më parë kuqezinjtë nuk kishin grumbulluar kaq shumë pikë pas 15 javësh. Dhe jo vetëm kaq…

– Milani gjen të paktën një gol prej 18 transfertash radhazi në Serinë A dhe vetëm një herë kishte mundur që të bënte më mirë se kaq: mes marsit të vitit 1992 dhe prillit të 1993-shit gjente golin në 19 transferta me radhë.

– Ndërkohë, Milani është gjithashtu e vetmja skuadër në Serinë A që shënon të paktën dy gola për ndeshje prej 17 takimesh radhazi. Në Itali askush nuk ka mundur të bëjë asnjëherë më mirë, por nëse llogarisim 5 ligat më të mëdha të Europës, vetëm Bajerni i Mynihut numëron 20 sfida radhazi me dy gola për ndeshje, rekord i vendosur në marsin e vitit 2014.

– Por për të bërë edhe më madhështorë shifrat e kuqezinjve, ka edhe aspekte personale që i pasurojnë ato. Me golin fenomenal të realizuar kundër Beneventos, Rafael Leao, është lojtari i huaj i dytë më i ri që arrin kuotën 10 gola me Milanin në Serinë A (21 vjeç e 207 ditë). Më mirë se portugezi ka mundur të bëjë vetëm Aleksandre Pato (19 vjeç e 19 ditë).

– Rafael Leao, me perlën e realizuar në transfertën e fundit është futbollisti i katërt te Milani që ngjitet në kuotën e 4 realizimeve. Dhe ajo që konfirmon uebsajti i statistikeve “Opta” është se në pesë ligat më të mëdha në Europë, për sezonin 2020- 2021, asnjë skuadër përveç Milanit nuk numëron më shumë futbollistë që të kenë shënuar të paktën 4 gola. Në rastin e kuqezinjve ata që kanë prekur ose kaluar këtë shifër janë Zlatan Ibrahimoviç, Teo Hernandez, Frenk Kesi dhe së fundmi portugezi Rafael Leao.

Related posts

BASTI I SHEKULLIT/ Shtylla e Perisic i kushton bastexhiut 140 mijë paund (FOTO)

Isa.Autor

E BUJSHME/ Probleme për Solarin, Ramos mungesë e radhës për Realin

Isa.Autor

U DIAGNOSTIKUA ME KANCER NË FYT/ Gazidis mesazh nga Amerika: Nuk ma merrte mendja kurrë që…

Delo.autor

Leave a Comment