Futboll Kategoria Superiore Sport

VAZHDON KONFLIKTI MES LIMAJ DHE “VERILINDORËVE”/ Kontrata e “burgos”. Mesfushori i Kukësit i vendosur për të…

Vazhdon konflikti mes klubit të Kukësit dhe mesfushorit Vesel Limaj. Drejtuesit vendosën javën e kaluar që ta dërgonin lojtarin për t’u stërvitur me ekipin U-21, pasi bisedimet mes palëve për një rinovim të kontratës kishin dështuar.

Fillimisht Limajt iu hoq shiriti i kapitenit, teksa u gradua Agim Ibraimi, ndërsa javët e fundit, mosmarrëveshjet u thelluan për çështjen e kontratës, të cilën palët e kanë të lidhur deri në muajin qershor. Në klub kurrsesi nuk dëshirojnë ta humbasin atë me parametra zero.

“Panorama Sport” zbulon se në momentin që drejtuesit i kanë kërkuar Limajt të rinovojë kontratën dhe ky i fundit ka refuzuar, ka ardhur urdhri nga “lart” për ta spostuar lojtarin te Kukësi B. Vetë trajneri Rraman Hallaçi deklaroi pas ndeshjes në Laç se shumë shpejt gjërat do të zgjidhen dhe lojtari, pasi të firmosë kontratën e re, do të rikthehet në ekip.

Mirëpo, gazeta mëson se deri tani Limaj nuk ka ndërmend të firmosë kontratën e re, edhe pse klubi po këmbëngul. 24- vjeçari mungoi për herë të parë për këtë arsye në ndeshjen ndaj Laçit, por duket se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në takimin e radhës kundër Vllaznisë, që do të zhvillohet të premten në orën 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Situata është shumë e ndërlikuar, pasi edhe nëse lojtari rikthehet i gatshëm, rendimenti dhe dëshira e tij për të kontribuar mbetet për t’u parë nëse do të jetë e njëjtë si më parë, edhe pse profesionalizmi i Vesel Limajt nuk vihet në diskutim. Ish-kapiteni nisi stërvitjen me U-21 të enjten e shkuar, pikërisht një ditë para ndeshjes Laçi-Kukësi.

SITUATA

Klubi verilindor ka humbur për momentin shërbimet e një prej lojtarëve më të mirë në vitet e fundit, duke qenë titullar konstant në mesfushë. Kukësi gjykon se ka investuar te lojtari dhe nuk do që ta lërë të largohet pa përfituar një shumë të caktuar, por Limaj është i vendosur për të mos rinovuar.

Gjithsesi, konflikti mes palëve ka ekzistuar edhe më parë, ndonëse klubi e kishte bindur të qëndronte. Mesfushori arriti akordin në janar të vitit që shkoi për zgjatjen e kontratës edhe për një vit e gjysmë. Pasi u gjet gjuha e përbashkët me klubin, mesfushori rinovoi deri në përfundim të sezonit, pra deri në fund të qershorit të vitit 2021.

Në muajin gusht 2020 lojtari bëri një kërkesëankesë në FSHF për shkak të kontratës së tij. Ai nuk ishte pajisur me një kontratë pune dhe kur e ka kërkuar atë pranë klubit, i është refuzuar për ta marrë. Kjo ka mjaftuar që ai t’i drejtohet FSHF-së. Për këtë arsye lojtari ka kërcënuar se nëse nuk pajiset me kontratën e nënshkruar, do të ndërmarrë hapa ligjorë.

Më tej pretendimi ka qenë nga lojtari se kontrata e re nuk është zbatuar nga klubi, pasi nuk është hedhur në bankë shuma për të cilën palët kanë rënë dakord. Gjithsesi, çështja më pas u shua kur Kukësi nisi aventurën europiane.

mala

ESAT MALA

Duket se Kukësi po ndjek ekzaktësisht shembullin e Partizanit me Esat Malën në sezonin e kaluar. Mesfushori u “ngujua” për afro 6 muaj, fillimisht duke mos u lejuar të stërvitet me ekipin e parë e më pas kaloi te Partizani B. Por, pas shumë kohësh u gjet akordi për rinovim dhe më pas Mala vazhdoi normalisht me të kuqtë e kryeqytetit.

Related posts

VLLAZNIA-TEUTA/ Pas një krosimi në zonë, Kuembembanjë ndëshkon me kokë “Shkodranët” (VIDEO)

Delo.autor

Kristal Abazaj larg Skënderbeut, dy ekipet belge duan ta rrëmbejnë

Sadik.Autor

MBYLL VITIN NË KRYE TË RENDITJES/ Bayern, mbreti i 2020 edhe me statistika në Bundesligë

Delo.autor

Leave a Comment