Futboll Kategoria Superiore Sport

“FUNDI I SEZONIT VJEN SHUMË SHPEJT”/ Mesfushori i Partizanit zbulon të ardhmen: Menaxherët po punojnë, shpresoj të transferohem…

Rron Broja ka folur hapur për të ardhmen e tij. Mesfushori i Partizanit pranoi se menaxherët e tij po punojnë për të gjetur një ekip të ri në verë, duke shpresuar që transferimi i ardhshëm të mos dështojë si ai transferim te Sivaspori disa vite më parë. Gjithashtu, 24-vjeçari u shpreh për “Koha.net” se dëshiron edhe të grumbullohet nga përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa për sezonin aktual me Partizanin, shpreson të fitojë titullin kampion.

DËSHTIMI I TRANSFERIMIT – Në janar të vitit 2018, Rron Broja ishte shumë pranë transferimit te Sivaspori në Turqi, por siç e thotë dhe vetë mesfushori, nuk e kuptoi se pse dështoi në momentet e fundit: “Kalimi te Sivaspori dështoi në fund. Isha shumë afër firmës. Ka qenë e komplikuar dhe nuk e di as vetë se çfarë ndodhi. Por, ajo që e di është se dështoi. Nuk kam ndonjë informatë shtesë, por besoj se dështimi ndodhi prej menaxherëve. Shqipëria ka kampionat më të fortë. Ka biseda, po ende asgjë konkrete”.

E ARDHMJA – Kontrata e Brojës me Partizanin skadon në fund të këtij sezoni dhe rinovimi duket larg. Gjatë muajit janar, Broja kërkohej nga ekipi hungarez i MOL Fehervar, megjithatë nuk u arrit akordi. Ndërsa në merkaton e verës, Broja pranoi se e sheh të vështirë të qëndrojë te Partizani, duke thënë se kontrata e tij skadon dhe se menaxherët i kanë kontaktuar se po punojnë për t’u transferuar diku tjetër: “Deri në fund të këtij sezoni, jam pjesë e Partizanit e më pas të shohim, sepse më përfundon kontrata. Ka fjalë nga menaxherët dhe shpresoj të bëhet diku. Fundi i sezonit vjen shumë shpejt, por besoj që do të bëhet diku këtë herë. Shpresoj të dalim edhe kampionë me Partizanin dhe pastaj, do të jetë edhe më e lehtë për mua”.

KOSOVA – Paraqitjet e Brojës këtë sezon kanë qenë mjaft pozitive. Mesfushori ka treguar një ritëm të kënaqshëm dhe ka bërë mirë në rolin e mesfushorit para mbrojtjes. Falë këtyre paraqitjeve, Broja mendon se e meriton një vend në përfaqësuesen e Kosovës, si dhe një transferim në një skuadër jashtë Shqipërie do ta ndihmonte edhe më shumë për të arritur këtë objektiv të tij personal: “Në Shqipëri, gjërat po shkojnë mirë, shumica e ndeshjeve kanë qenë pozitive. Është koha dhe shpresoj që gjatë verës të arrij të transferohem jashtë vendit. Me kalimin tim te ndonjë skuadër e mirë ku do të aktivizohesha rregullisht, besoj se do të isha kthyer edhe te Kosova”.

Related posts

Goli që shënoi Rusia është shoqëruar me një gjest nga Vladimir Putin

Sadik.Autor

RRITJA METEORIKE E KOSOVËS/ Fitorja e Feronikelit rrit koeficientin në UEFA

F.autor

“DO TË IKI NË OQEANI NËSE LIVERPOOL DEL KAMPION”/ Ish-mbrojtësi anglez “zhduket” pas suksesit të “Të Kuqve” (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment