Futboll Seria A Sport

“MAT” TAKTIK E FRESKI/ Si Interi triumfoi në derbin ndaj Milanit Ecuria e rezultateve në tetë javët e fundit të kampionatit

Ecuria e rezultateve në tetë javët e fundit të kampionatit tregon se fitorja e qartë e Interit në derbi nuk është false. Arratia zikaltër merr formë në një moment delikat, teksa tregon edhe shanset e dy ekipeve të vendeve të para për të vënë duart mbi titull. Shifrat nuk gënjejnë sepse ekipi i Kontes ka fituar pesë herë, barazuar dy dhe humbur vetëm në një rast. 17 gola të shënuar kundrejt pesëve të pësuar.

Ekipi i Piolit ka shënuar një rënie të dukshme me katër humbje (dhe 4 fitore) në tetë javë. 11 gola të realizuar dhe 12 të pasur. Përballjet ndaj rivaleve teorike Interi i ka fituar gjithmonë, me Juven, Lacion dhe Milanin që i janë nënshtruar ritmit të kryesuesve të Serisë A.

Kuqezinjtë kanë hedhur hapa falsë, të rëndë, kundër Juves, Atalantës dhe Interit (dje), ndaj derbi i humbur nuk është pasojë e fatit të keq. Në këto kushte edhe zona e Champions-it mund të pësojë tërmete, teksa forma fizike e “Djallit” nuk duket më ajo e fillimit të sezonit.

REPARTET – Pioli e mohon faktorin fizik, por qasja e paraqitjeve të fundit ka vënë në dukje një mungesë të theksuar ekuilibri mes reparteve. Hallkat e zinxhirit kuqezi janë të shkëputura dhe korridoret e krijuara ofrojnë kushtet ideale për ekipe që kanë kampionë si Lukaku apo Hakimi.

Të mos harrojmë edhe Barelën, prototipi i lojtarit i cili i bën të dyja fazat, që kur gjen hapësirë di të lëndojë si pak të tjerë. Edhe në derbi, Milani dukej sikur vinte bast me fatin sepse duke mbajtur shumë lojtarë në gjysmëfushën rivale, rrezikon të dukesh “mazokist”.

Kuqezinjtë i vuajnë edhe më tepër goditjet rivale kur dy mesfushorët e qendrës nuk garantojnë cilësi dhe sasi. Dje, Kesi me Tonalin në krah nuk patën ritmin e duhur duke krijuar “livadhe” në të cilat lojtarët e Interit “kullotën” sipas dëshirës. Kjo qasje vuri në vështirësi edhe mbrojtësit e krahut të cilët sulmoheshin sistematikisht.

“MAT” TAKTIK – Nëse Interi fitoi, edhe Konte mund të gëzojë sepse mundi dukshëm në taktikë rivalin Pioli. Shpërthimet e Perisiçit dhe Hakimit e zbuluan prapavijën e Milanit, në mënyrë që Lukaku dhe Martinez të bënin sa më tepër dëme. Eriksen, i kthyer në një pikë kyçe, me zbritjen e tij krijoi edhe më tepër vështirësi në të dyja korsitë e prapavijës së Milanit. Hernandez dhe Kalabria vuajtën si kurrë më parë prej danezit, ndërkohë që kuqezinjtë nuk reaguan dot me zbritjet e Selemekersit apo me idetë e Çalhanoglusë.

Pioli tentoi edhe shpejtësinë e Leaos, por ndeshja ishte e kompromentuar dhe rreziqet e krijuara nga “Djalli” mund të jenë thjesht një alarm fals për Interin e Konten që, ndërkohë, kishte nisur të menaxhonte energjitë e të besuarve të tij. Mbeten edhe 15 javë kampionat dhe asnjë dënim nuk është përfundimtar.

Por, ndoshta një korrigjim i përkohshëm i Milanit 4-2-3-1 në 4-3-3 mund të jetë i përshtatshëm. 3-5-2 i Interit duket se është një dogmë, së cilës po i përshtaten edhe Erikseni dhe Perisiçi. Ndoshta ndeshjet nuk fitohen me module, por ka momente të sezonit që janë më delikate se të tjerat. Sigurisht që do të jetë, me Roma-Milan dhe Inter-Xhenoa, të dielën e fundit të këtij shkurti që mund të rezervojë të tjera surpriza dhe kampionati i Serisë A të kthehet totalisht përmbys.

Related posts

KORONAVIRUSI/ Superliga e Kosovës sfidon kampionatet e rajonit, luan futboll, por pa… tifozë

Delo.autor

Shaqiri në mëdyshje për të ardhmen, peshkohet nga një ekip i Premier League

Sadik.Autor

“JAM MASAKRUAR ÇDO DITË”/ Shpërthen Xhenaro Gatuzo: De Laurentis më ka zhgënjyer…

Delo.autor

Leave a Comment