Futboll Seria A Sport

SFIDA NDAJ PORTOS NË CHAMPIONS/ Nis turneu e tij, “Përbindëshi” Ronaldo di të bëjë mrekullira

Nuk është “Hoze Alvalade”, stadiumi i pagëzimit të tij si talent botëror në kohët e Sportingut, por do të luajë gjithsesi në Portugali. Dhe në atdheun e tij, Kristiano Ronaldo është një hyjni kudo që shkel: nga veriu në jug, duke kaluar për çdo ishull luzitan. Sepse, fundja, legjenda e CR7 nisi në Madeira, por më pas vazhdoi në Lisbonë. Gjithsesi, Ronaldo udhëton shpesh edhe në Porto, ku ndodhet edhe selia e menaxherit të tij të fuqishëm, Zhorzh Mendez, ndonëse nesër do të zbarkojë për të pushtuar me Juventusin e tij strofkën e “Dragonjve” dhe për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

NIS CR7… LIGA

Në vitet e fundit, Champions-i është pagëzuar edhe me emrin e CR7… Liga. Arsyeja lidhet me faktin që është pikërisht Ronaldo rekordmeni i këtij kompeticioni, me 134 gola të shënuar në total, por me një fakt shumë të veçantë: gjysmën e këtyre golave, saktësisht 67 të tillë, i ka shënuar vetëm në fazën me eliminim direkt, pikërisht ajo pjesë e turneut e cila e bën edhe më të pashpirt 36-vjeçarin. Ka nga ata që thonë se golat më shumë sesa duhen numëruar, duhen peshuar, por në rastin e 5 herë fituesit të “Topit të Artë” dhe po aq herë të Champions-it, nuk ndryshon asgjë. Thjesht, sa më shumë rritet temperatura, aq më shumë Kristiano di të bëjë diferencën. Kjo ndodhte në kohët e Mançester Junajtidit (1 Champions me anglezët) dhe të Realit të Madridit (4 Champions me spanjollët), por e njëjta gjë ndodh edhe me bluzën e Juventusit, në dy sezonet e fundit. Vërtet CR7 nuk ka shkuar përtej çerekfinaleve me “Zonjën e Vjetër”, por në fazën me eliminim direkt, të gjithë golat e shënuar nga kampionët e Italisë mbajnë firmën e tij: 5 në sezonin 2018- 2019 mes Atletikos (tripletë në 1/8-at) dhe Ajaksit (dy gola në çerekfinale), ashtu sikurse dy të tjerët ndaj Lionit në 1/8- at e sezonit 2019-2020.

ME MISION

Ronaldos, gjithsesi, më shumë sesa numrat personalë i intereson diçka tjetër dhe ai është trofeu i Champions-it. Duke qenë se nuk është një ndër ata tipat që dorëzohet lehtë, përkundrazi, CR7 ka gjithmonë në kokë një mision të caktuar: të rikthejë kupën me veshët e mëdhenj në Torino, ku mungon që prej vitit 1996. Dhe gjuetia ndaj të gjashtës në karrierën e tij (me 3 klube të ndryshme) nis nesër në mbrëmje, në vendlindjen e tij. Kristiano do të prezantohet në Porto me petkun e goleadorit: 4 gola në 4 ndeshje në Europë, apo e thënë ndryshe me numrin e 23 gola në 26 prezenca sezonale, shifra shumë më të larta sesa në dy sezonet e mëparshme me Juven. Ndoshta, kjo është edhe një meritë e marrëdhënies së fortë që ka lidhur me trajnerin e ri të Andrea Pirlos, i cili pret të tjera magji nga lideri i skuadrës së tij.

PORTO I SJELL FAT

Në Champions, Ronaldo është ndeshur 4 herë me Porton, ku në 201 minuta lojë të grumbulluara i ka shënuar vetëm një gol. Gjithsesi, në stadiumin “Do Dragao”, juventini ka treguar se di të ekzaltohet. Në tempullin e bardhebluve, CR7 ka qenë mahnitës sidomos me bluzën e kombëtares portugeze, duke qenë se i shënoi një tripletë Zvicrës në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve në 5 qershor 2019, ndërsa katër ditë më vonë (9 qershor 2019) ngriti në qiell trofeun e Ligës së Kombeve me Portugalinë, i dyti në rang përfaqësueseje pas Europianit të vitit 2016. Prandaj, Ronaldo dhe Juventusi do të kenë, pse jo, një marsh më shumë në “Do Dragao”.

Related posts

E RËNDË/ Portieri argjentinas MASAKROHET me THIKË, ARRESTOHET sulmuesi 

Isa.Autor

E BUJSHME/ U dëmtua përpara sfidës ndaj Spezias, ja koha e rikuperimit të sulmuesit Rebic…

Delo.autor

LIVE/ Serie A: Mbyllet ndeshja Milan-Crotone. Rezultati 4-0

Delo.autor

Leave a Comment