Futboll Seria A Sport

ANALIZA/ Donnarumma, Kessie dhe Ibrahimovic, aksi për ëndrrat e lojtarëve të Milan-it

Nëse do të ishin një trup i vetëm, Donaruma, Kesi e Ibrahimoviç do të ishin një mashkull i gjatë 6 metra dhe që do të peshonte 273 kilogramë. Në fakt, te Milani aktual, secili nga të tre shkon përtej parametrave fizikë.

Rendimenti i tyre ka qenë “XXL” dhe dëshmia e fundit vjen nga Firence ku Xhixho u vlerësua me notën 6, afrikani me 6.5 dhe Ibra me 8. Protagonistë absolutë të sezonit të deritanishëm, kjo treshe autorizon ekipin të ëndërrojë edhe pse 2021 nuk ka qenë shumë shpresëdhënës në këtë aspekt.

KUJDES E VETËDIJE – Termi “titull” në Milanon kuqezi mezi pëshpëritet sepse ekipi e ka të ndaluar të entuziazmohet pavarësisht se Interi nuk është fort lart as Juvja nuk duket se ka hequr dorë në “i dhjeti”. Nuk duhen harruar as skuadrat të tjera si Napoli, Atalanta e ndonjë tjetër që gjithsesi kanë shanset e tyre për të minuar rrugëtimin e Milanit që “zyrtarisht” konkurron për një vend në Champions. Ndoshta jo të gjitha mund të arrijnë titullin, por për një renditje Champions-i janë pa dyshim kandidate e këtu interesi është i përbashkët me atë të “Djallit”. Ky i fundit, gjithsesi, nuk mund të ketë frikë të synojë kampionatin, aq më tepër që historia dhe prestigji kanë edhe një lloj detyrimi të punojnë për kreun në renditjen përfundimtare. Fundja edhe Maldini e ka thënë: “Këmbët në tokë, por ëndrrat nuk janë të ndaluara”.

TRAU MBAJTËS – Pjesës tjetër të punës do të duhet ta bëjë Ibrahimoviçi, kampion vetëvlerësimi i tejskajshëm që di të infektojë me besim këdo që i qëndron pranë. Nën vëzhgimin e syrit të suedezit çdo shok stimulohet për të dhënë më tepër dhe këtë e dëshmojnë statistikat. Të kesh dikë si Ibra në skuadër, e sidomos në sulm, ka shumë rëndësi, por po aq rëndësi ka t’i besosh portën portierit të kombëtares italiane.

Xhixho i jep gjithnjë siguri ekipit dhe shton vlerën e lidershipit në grup. Pas tij vjen Kesi, i emëruar goditës penalltish nga vetë Zlatani disa muaj më parë. Jo vetëm sepse ekzekuton mirë, por sepse është një përgjegjësi që e ka merituar duke treguar vijimësi në rendiment.

Gardiani, mesfushori dhe pyka, një tra mbajtës për skuadrën e një urë lidhëse mes portës dhe sulmit. Aksi i Milanit është gati dhe bashkohet nga një linjë e drejtë siç ndodh në autostradat e mëdha. Nëse është një rrugë që të çon drejt titullit, do ta mësojmë pas pak kohësh, aq më tepër që të tilla arsyetime ishin të pamendueshme vetëm pak muaj më parë.

Related posts

Dënimi për Milanin është vetëm një vit, UEFA bëri lëmsh gjithë Europën

Sadik.Autor

HEROI I RUSISË NË KUPËN E BOTËS/ Denis Cheryshev nën hetim për doping

Isa.Autor

KËRKOJNË PËRFORCIM NË MBROJTJE/ “Topçinjtë” “SHËNJSTROJNË” lojtarin e Chelseat

Delo.autor

Leave a Comment