Futboll Kategoria Superiore Sport

ANALIZON DERBIN I KRYEQYTETIT/ Tekniku Egbo: Ju tregoj “armët” e “bardhebluve” kundër Partizanit

Emanuel Egbo analizon derbin. Njeriu që solli në krahun bardheblu fitoren në derbi pas pesë viteve, në një intervistë për “Panorama Sport”, pranon se Tirana e tij u shkatërrua pa u mbyllur sezoni kampion, por nëse gjërat do t’i kishte bërë mirë, sot do të flitej ndryshe. Thotë se në këtë sfidë Partizani është nën presion për të marrë fitoren dhe Tirana është më e qartë dhe e kthjellët psikologjikisht. Ish-trajneri i parë i këtij sezoni thotë se nuk ka dëshirë t’i japë këshilla Shehit, por nga ana tjetër pranon se nëse bardheblutë mundin Partizanin, janë shumë afër titullit, mjafton që të mos gabojnë me ekipet e vogla.

Si e keni parë Tiranën gjatë gjithë këtyre muajve që nuk keni drejtuar skuadrën?

Ekipi është përmirësuar. Me fitimin e tri ndeshjeve rresht, janë rritur në vetëbesim si ekip. Tirana është ringritur, sidomos me atë fitore kundër Vllaznisë që është ekipi i vendit të parë.

A besoni që mund të afrohej Tirana me vendin e parë kur ekipi ka qenë shumë larg, më saktë 15 pikë?

Nëse gjërat do t’i kishte bërë tamam që para se të mbaronte kampionati i vjetshëm, Tirana nuk do ta diskutonte fare titullin dhe vendin e parë.

A është apo jo për vendin e parë sot?

Shumë gjëra janë ngatërruar që në fillim dhe prandaj Tirana është ku është sot. Për mua, duhet të diskutohet për çështje besimi, sepse edhe vjet ekipi ishte 15 pikë larg vendit të parë dhe arriti të fitonte kampionatin. Kështu që, nuk duhet diskutuar për pozicionin e ekipit. Tirana është kampione në fuqi dhe duhet të ishte në vendin e parë pa diskutim. Unë kisha besim të plotë se së bashku me ekipin e vjetshëm që mund të dilnim kampionë edhe kur çdo njeri tjetër nuk kishin besim te ne.

Çfarë ndryshoi te skuadra gjatë gjithë kësaj kohe? Ekipi ka parë shumë ulje-ngritje…

Disa gjëra kanë ndryshuar. Tek ekipi kanë filluar të kenë më besim te njëri-tjetri, jo siç ka qenë në fillim që lojtarët nuk kishin besim te njëri-tjetri. Plus, ekipi e ka parë që nuk kanë çfarë të humbasin më dhe tani po luftojnë për karrierën e tyre, sepse minimalisht Tirana duhet të luajë në Europa League ose në të kundërt do të jetë dështim dhe dëm kolosal për të gjithë.

Te Tirana po përmendin fjalën titull. Është një fjalë që duhet të mendohet nga skuadra?

Ka akoma lojtarë të mirë në skuadër. Pjesa më e madhe e lojtarëve që doli kampion vjet janë në ekip. Dhe ata e kanë parë çfarë është bërë dhe si ia dolën që të dilnin kampionë. Atë eksperiencë e kanë marrë tashmë. Kjo është gjëja e veçantë që ka ekipi i Tiranës. Kanë një të kaluar të ndritur dhe të prekshme.

Si vjen Tirana në këtë derbi, është më e fortë, më e dobët apo më lart se Partizani?

Mendoj qe ekipi është në momentin më të mirë nga ana psikologjike. Më mire se Partizani, por në derbi gjithmonë nuk duhet merret parasysh gjendja e ekipeve. Derbi është derbi dhe nuk ka diferenca midis ekipeve. Vjet Partizani ishte në gjendje psikologjike maksimale, shumë më mirë, ndërsa Tirana ishte në pikën më të ulët të të gjitha kohërave por arriti të fitonte derbin.

Cila është arma më e fortë e Tiranës në këtë ndeshje derbi dhe ku duhet ta godasë Partizanin?

Arma më e fortë e Tiranës është që nuk janë ata nën presion në këtë ndeshje. Gjithë presioni është te Partizani pas rezultateve jo të mira që kanë bërë në tri ndeshjet e fundit. Partizani do fitore me çdo kusht. Edhe Tirana duhet të fitojë për të vazhduar këtë ecuri duke u bërë presion ekipeve që janë përpara në renditje. Vetëm kështu i afrohet objektivit.

Çfarë duhet të bëjë Tirana që të fitojë ndeshjen derbi me Partizanin në këtë kampionat?

Kjo është puna e trajnerit dhe e stafit. Nuk më pëlqen të fus hundët në punët e të tjerëve, kështu që unë mendoj se trajneri dhe stafi bashkë me lojtarët e dinë çfarë dhe si duhet të veprojnë për të marrë një rezultat të mire në këtë ndeshje. Çdo trajner ka filozofinë dhe mënyrën e vet dhe nuk jam nga ata që u jap mendje trajnerëve të tjerë. Mënyra ime është komplet ndryshe nga të gjithë trajnerët e tjerë, prandaj jam këtu ku jam. Kam filozofinë dhe mënyra ndryshe nga të tjerët. Kështu që, mënyra ime mund të mos përputhet me trajnerë të tjerë. Stafi e di si kanë fituar këto tri ndeshjet e fundit, pa marrë mendimin e njerëzve nga jashtë.

Nëse fiton derbin Tirana, çfarë mund të presim nga kjo skuadër në 12 javët e mbetura të kampionatit?

Është diçka që dihet. Kur një ekip fiton derbin, merr një besim tjetër dhe skuadra ndryshon e ka ecuri pozitive siç e ka pasur Partizani mbas derbit të fundit që fituan me Tiranën. Një fitore e Tiranës do të fusë frikë dhe panik tek ekipet e tjera dhe normal që do të futet në luftë për kampionatin. Sepse, edhe ekipet e tjera kanë ndeshje të vështira. Nuk ka ndeshje të lehta. Çdo ndeshje është e vështirë, sidomos me ekipet që janë në fund të tabelës. Ata kundërshtarë janë më të vështirë për t’i mundur.

Related posts

SHPËRTHEN “LUFTA CIVILE” NË SPANJË/ Barcelona dhe Real Madrid refuzojnë marrëveshjen e La Liga-s

Delo.autor

BEFASUESE/ Kriza ekonomike nuk kursen as Del Piero-n dhe bashkëshorten e tij, ata detyrohen të…

Delo.autor

FLET PËR NATYRËN KONKURRUESE TË SUEDEZIT/ Ylli i “Djajve të Kuq”: Ibrahimovic më bëri të ndryshoja si…

Delo.autor

Leave a Comment