Futboll Premier League Sport

EUROPA LEAGUE/ Manchester United-Milan, përballë do të jenë mbretërit e transfertave

Po ndeshja në transfertë, në këtë periudhë pandemie, çfarë vlere ka? Kjo është pyetje e madhe që shumë mund ta bëjnë, pasi fakti që në stadiume publiku tashmë nuk ekziston më, sigurisht që një diferencë të madhe ka. Fundja, ka ndeshje që shpesh më shumë sesa nga cilësia teknike janë fituar apo përmbysur edhe nga zhurma dhe frika që bën tifozëria e shtëpisë… Të mos pasurit dhjetëra mijëra persona që të vërshëllejnë dhe të ofendojnë pak metra larg nuk është e njëjta gjë me shkallët e tribunave që janë bosh, por kujdes, pasi as ky fakt nuk mund të minimizojë atë që Milani ka bërë këtë sezon.

Pikërisht kështu, sepse faktet thonë se ecuria e kuqezinjve, të cilët kryesuan për shumë muaj me radhë Serinë A dhe tashmë janë në një pozitë të rëndësishme për t’u kualifikuar në Champions, ka ardhur edhe si rrjedhojë e faktit se larg “San Siros”, ata kanë bërë gjëra madhështore, duke treguar se transfertat nuk e trembin, përkundrazi duket se e motivojnë. Fitore me peshë – Milani, larg statujës së Madoninës ka bërë sivjet një kryevepër dhe këtë e nisim me një shifër madhështore: nga qershori i vitit të kaluar, pra nga rifillimi i kampionatit postkarantinë, “Djalli” ka humbur vetëm një herë në transfertë.

Këtë e bëri në mënyrën më të keqe kundër Specias, ku askush nuk mund ta kishte imagjinuar atë humbje 2-0. Sepse, siç treguan 7 muajt e gjysmë të fundit, kuqezinjtë ishin të zotët të fitonin në “Olimpiko” me dy romanet (Lacio e Roma), por edhe në Napoli, po pa harruar edhe suksesin në derbi, nëse kjo vlen, me Interin si pritës. Ndaj, nëse hyjmë në statistika në pesë ligat më të mëdha të Europës, vetëm Mançester Junajtid (një emër që nuk është se të ngre shumë humorin në këtë periudhë të vitit) ka mundur të bëjë më mirë sesa Milani, duke qenë i pamposhtur. Gjithsesi, ajo që mund të krenojë “Djallin” mbi rivalin e ardhshëm të 1/8-ave të Ligës së Europës është se anglezët kanë fituar 12 ndeshje në transfertë, ndërsa italianët 14 të tilla.

UDHËTIM (THUAJSE) PERFEKT – Gjithsesi, duke mbetur në Itali, Milani komandon renditjen e pikëve në transfertë: 31 pikë nga 36 të mundshmet në 12 takime, fryt i 10 fitoreve, një barazimi (me Xhenoan) dhe një humbjeje, pikërisht me Specian. Pas kuqezinjve qëndron Interi me 28 pikë dhe Atalanta me 25. Ky sprint i Milanit larg “San Siros” është thuajse perfekt, gjatë të cilit kanë shënuar 23 gola (sulmi i tretë më i mirë jashtë fushe) dhe kanë pësuar 11 (mbrojtja më e mirë në transfertë, madje kanë pësuar 8 gola më pas, sesa ata në “San Siro”). Prandaj, në pritje të ndeshjes së vajtjes me Mançester Junajtid, të enjten në Ligën e Europës, “Djalli” nuk ka pse të trembet kaq shumë, ndonëse djemtë e Solskjaerit sapo kanë frenuar edhe vrullin e Sitit, pas 21 fitoresh radhazi. Fundja, ky Milan në transfertë nuk njeh emocione dhe duket se ingranazhet i punojnë më mirë. Ndaj, nuk ka pse të shkojë dhe të luajë me llogari apo akoma më shumë t’i trembet “Djajve të Kuq” anglezë.

Related posts

PLAS SHAMPANJA/ MILANI në JANAR transferon këtë SULMUES “VRASTAR”

Isa.Autor

Tronditet futbolli, mbrojtësi 21 vjeçar gjendet i vdekur (FOTO)

Q.Autor

E kërkon Milani/ Sulmuesi kolumbian “shpërfill” kuqezinjtë për këtë arsyje…

Sadik.Autor

Leave a Comment