Futboll Seria A Sport

NGA GOLAT TEK TITULLI/ Ronaldo një “poker” objektivash për të qëndruar tek Juventus, ja misionet e CR7…

Do të qëndrojë apo do të largohet? Liga e Kampioneve është një objektiv i dështuar mes shumë nervozizmi e zhgënjimi, por Juventusi duket se ka dalë gjithsesi më i bashkuar nga ajo mbrëmje e zezë me Porton dhe është mbështjellë edhe më fort rreth Kristiano Ronaldos. Madje, siç nënvizon “Corriere dello Sport”, brenda grupit bardhezi ka edhe një pakt të fortë mes senatorëve, një “poker” objektivash i cili ndoshta ka bërë që edhe vetë CR7 të ndërrojë mendje pas heshtjes së zhurmshme, të cilën e theu me anë të një postimi, pas tripletës me Kaljarin:

“Po i pres me padurim ndeshje e ardhshme, në të cilat dua të vendos rekorde të tjera personale dhe të fitojmë të tjerë të trofe. Më besoni, kjo histori me Juven është shumë larg të mbaruarit. Kemi ende shumë gjëra për të fituar së bashku, shumë rekorde për të vendosur, pikërisht ato gjëra që më mbajnë gjallë”. Manifestimi i “dashurisë” së Ronaldos ndaj Juventusit, brenda të cilit gjithsesi nuk mungon edhe ideja e një rikthimi të madh te Reali i Madridit, apo një aventurë ndoshta e fundit në një tjetër ligë, si ajo franceze, me bluzën e PSG-së, shpresohet që të zerohet nga pjesa tjetër e grupit juventin.

“POKER” OBJEKTIVASH

Që t’i heqin çdo dyshim portugezit, Juventusi është gati që ta ndihmojë 36-vjeçarin të bëjë realitet gjithçka kishte nënvizuar në postimin e tij. Pikësëpari qëndron fitorja e titullit të golashënuesit më të mirë në Serinë A, diçka që nuk mundi ta arrinte në dy sezonet paraardhëse, ndërsa sivjet është në një pozicion komod, duke qenë se me 23 gola të realizuar dhe me një avantazh prej 4 realizimesh nga interisti Romelu Lukaku, ndoshta 2021 mund të jetë viti i duhur për të qenë mbreti i golave edhe në Itali. Objektivi i dytë dhe ndoshta më i lehti është ai i arritjes së numrit jubilar, 100 gola, shifër nga e cila Ronaldo është vetëm 5 realizime larg (në të gjitha kompeticione), ndonëse edhe me 95 aktualët (në 122 ndeshje) është i 11-ti në renditjen e të gjitha kohërave të klubit bardhezi.

Për të kuptuar hapin më shumë se pozitiv me të cilin ka ecur ai me bluzën e Juves në dy sezone e gjysmë bardhezi, mjafton ta krahasosh me Paulo Dibalën, që në 6 sezone me “Zonjën e Vjetër” ka shënuar “vetëm” 98 herë. Objektivi i tretë është Kupa e Italisë, trofe i cili është vetëm një ndeshje larg, finalja e 19 majit në Romë kundër Atalantës, e cila do ta çonte në dy trofe sezonal “buxhetin” e portugezit dhe juventinëve, pas suksesit në Superkupën e Italisë. Dhe në fund objektivi i katërt dhe më i vështiri: përmbysja e distancës prej 10 pikësh (me një ndeshje më shumë për të luajtur) nga Interi në Serinë A. Ky sprint nuk do të jetë aspak i lehtë, por jo i pamundur nëse Juventusi i fiton të 13-ta ndeshjet që i kanë mbetur deri në fund, mes të cilave është edhe dueli direkt me zikaltrit. Dhe ndoshta, nëse ky “poker” objektivash bëhet realitet, Ronaldo do të harrojë Realin e PSG-në dhe do respektojë e pse jo do të rinovojë kontratën me Juventusin edhe për një tjetër sezon.

Related posts

Griezmann kërkon shumë para, ngecin bisedimet

Q.Autor

ARRIHE MARRËVESHJA/ Drejt transferimit tek “Djajtë e Kuq” ylli i Juventus…

Delo.autor

ATAK NË ZEMËR GJATË NDESHJES SI ERIKSEN/ Ish-futbollisti i Laçit shpëton për mrekulli

F.autor

Leave a Comment