Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ SKËNDERBEUT/ Trajneri Kamarata: Nuk duhet ta shohim si “jetë a vdekje”, por humbja nuk ka justifikim

Javë përcaktuese, por jo përfundimtare për fatin e kampionatit për Apoloninë dhe Skënderbeun. Për fierakët shikohet si çasti i duhur për fitoren e munguar prej 10 javësh. Në prag të duelit me korçarët, trajneri i Apolonisë, Fabricio Kamarata paralajmëron fitoren e skuadrës së tij, përmes intervistës së dhënë për “Panorama Sport”.

Apolonia ka dhuruar surpriza të këndshme gjatë javëve të fundit…

Jo aq sa duhet, sepse kemi një skuadër që mund të merrte më tepër se 4 pikë në këto ndeshje. Për ata që janë jashtë Apolonisë, quhen surpriza këto rezultate, ndërsa për ne që punojmë përditë, nuk ka gjë të jashtëzakonshme, madje, kemi marrë më pak nga sa kemi merituar.

Ku e bazoni këtë deklaratë?

Në lojën e skuadrës sonë. Mbase do ta quani të tepruar, por unë them se në 4 ndeshjet e fundit, ne kemi humbur 8 pikë, që do të thotë se meritonim fitoren ndaj secilit kundërshtar.

Gjithsesi, Apolonia e parafundit, -5 pikë nga Bylisi…

Nuk shohim këtë gjë, se na ngarkon si ekip. Ne shohim ecurinë tonë, sfidën e radhës dhe në fund do të bëjmë llogaritë. Detyra jonë në këto 12 javë të mbetura është: të fitojmë sa më shumë ndeshje.

Cila nga 4 barazimet e fundit ju ka “dhembur” më shumë?

Të gjitha, por sidomos dy të fundit, me Laçin dhe Kukësin, ku na u mohuan penallti të pastra. Aty i keni pamjet e këtyre ndeshjeve, rastet që unë përmend. Analiza e specialistëve pas çdo ndeshjeje, më jep të drejtë mua në atë që them.

Nuk keni dëshirë që Apolonia të quhet “skuadër e re”. Pse?

Janë lojtarë me moshë relativisht të re, por kanë shumë kohë që luajnë bashkë. Nëse vazhdojmë me shprehjen “skuadër e re”, më shumë e dëmtojnë sesa e ndihmojmë ekipin. Lojtarët s’duhet të justifikohen me këtë term, por të kuptojnë mirë që ka ardhur koha të shfaqin vlerat e tyre, që i kanë shumë më cilësore se një i ashtuquajtur “ekip i ri”. Duhet të kuptojnë forcën e tyre reale. Apolonia e ka kaluar stadin e të qenët ekip i ri.

Ndeshja e radhës me Skënderbeun, që vjen si një “derbi” mbijetese. Çfarë parashikoni për këtë përballje?

Nuk duhet ta shohim si “jetë a vdekje”, sepse do të krijonte trysni të panevojshme te skuadra. Është ndeshje radhe, ku i kemi mundësitë për të dalë të fituar. Ekipi është në formën e duhur në të gjitha aspektet dhe nuk ka justifikime nëse nuk marrim rezultat maksimal kundër Skënderbeut. Është momenti më i përshtatshëm që ta bëjmë këtë gjë.

Related posts

AKSIDENTI I RËNDË/ Juventusi rrezikon të humbasë yllin për sfidën ndaj… (FOTO)

Delo.autor

ZBULOHET LISTA E SPEKULIMEVE PËR LARGIME/ Ja 10 trasferimet që pritet të ndodhin në këtë merkato

Delo.autor

Petkovic: Kulturat e ndryshme, sekret i suksesit të Zvicrës

Isa.Autor

Leave a Comment