Futboll Sport

“DO T’I THOJA LAUTAROS TË RRIJË I QETË”/ Rrëfehet sulmuesi Higuain: Jam i vetmi që kuptova Messin e CR7

La Juventusin për të shkuar tek Interi, por bëhet fjalë për atë të Majemit. Gonzalo Higuain është ambientuar mirë në Amerikë, ku ka dhënë edhe një intervistë për argjentinasit e “La Nacion”.

Si po shkon aventura në Shtetet e Bashkuara?

Jam shumë i lumtur sepse i kam shpëtuar trysnisë që kisha. Tifozët dhe mediat më kritikonin, ndërsa në Amerikë nuk të ofendon njeri se pse ke humbur një rast apo ke shënuar një gol. Jetoj më i qetë dhe ndihem mirë.

Pa flokë, i shëndoshë dhe mjekrosh. Ndiheni i tillë?

Siç thashë, askush nuk më ofendon e as më gjykojnë për paraqitjet, por sapo rrita mjekrën, u bëra lajm. Dikur kritikat më lëndonin, por pasi lindi ime bijë, çdo gjë ndryshoi.

Jeni ndër të paktët që keni luajtur me Ronaldon dhe Mesin…

Nëse kam luajtur me të dy, atëherë kam qenë ai që i ka kuptuar më mirë. Nuk ka rëndësi se cilin duhet të kuptosh, problemin e ke gjithmonë ti, ndaj mund të them se i kam kuptuar më mirë se kushdo. E dija çfarë u pëlqente e çfarë jo, ndaj ishin rehat me mua pranë.

Keni ndonjë këshillë për Lautaro Martinezin?

Do t’i thosha që të rrinte i qetë sepse tani gjithçka i duket e bukur, por mund të vijë koha, mbase në një Kupë Bote ose në Copa America, kur ai do të ketë fatin e keq të humbasë një gol themelor dhe atëherë Lautaro nuk do të jetë më Lautaro. Ai as nuk duhet të besojë se është më i miri dhe as të besojë se është më i keqi.

Ju keni shkëlqyer kudo keni luajtur. Si ka mundësi?

Unë luaj për të fituar. Jam shpallur kampion në të gjitha klubet ku kam luajtur, mendoni se kam ardhur tek Inter Majemi për një shëtitje? Jo sepse kurrë nuk do t’ia falja vetes diçka të tillë. Unë dua të jem kampion me Inter Majemin për të qenë kampion me të gjitha klubet e karrierës sime.

Të ardhmen e shihni larg futbollit?

Nuk do të qëndroj në futboll. E kam vendosur. Kur u largova nga ekipi kombëtar, fillova të përgatitesha për të ardhmen dhe tashmë e di që ajo e ardhme nuk do të jetë në futboll. Jeta ime do të shkojë diku tjetër. Do të isha mazokist nëse do të vendosja të qëndroja në këtë ambient!

Së pari, do të qëndroj më shumë me familjen time. Dhe pastaj do të bëj gjithçka që më pëlqen të bëj. Por, unë insistoj: Jam i bindur që nuk do të jem në futboll. Do të doja të studioja gatim dhe enologji, sepse këto janë dy aktivitete që më pëlqejnë. Do të doja të luaj “paddle” (tip tenisi), sport të cilin e dua e që nuk mund ta praktikoj për shkak të futbollit. Më pas do të shohim.

Related posts

ARRIHET MARRËVESHJA/ Alexis Sanchez lojtar i Interit

Delo.autor

Në Kamzë rikthehet idea “Sebino Plaku”, sulmuesi i verilindorëve pranë rikthimit?

Isa.Autor

SHËNOHET GOLI I VITIT/ Gervinho MREKULLON me stilin  “alla” Weah (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment