Futboll Kategoria Superiore Sport

“MEZI PO PRISJA TË MBARONTE PJESA E PARË NDAJ VLLAZNISË”/ Trajneri Shehi: Ja çfarë na duhet për titullin

Tirana do të luajë në Ballsh ndaj Bylisit në kampionat. Gjithsesi, Orges Shehi pas ndeshjes së fituar me Vllazninë, ka analizuar këtë takim. Shehi u pyet për gjendjen e skuadrës, por edhe çfarë pret nga Tirana e tij në këtë sezon.

Trajneri i bardhebluve pranoi se për të dhe skuadrën që drejton tani e në vazhdim nuk pranohet gabimi, ndërsa përpara ka gjashtë finale që mund ta ngrenë apo ulin skuadrën bardheblu. Shehi thotë gjithashtu se mezi priste që të mbyllej pjesa e parë që të ndryshonte ekipin, pasi e pa që grupi po luante keq.

“Jemi të gëzuar dhe të kënaqur që erdhi kjo fitore. Sigurisht që nuk ishim në ditën tonë më të mirë. Ama futbolli ka edhe fitore kështu. Ka fitore duke vuajtur. Fituam përballë një kundërshtari që ishte në vendin e parë dhe kjo ka vlerë të dyfishtë”, tha fillimisht Shehi. Trajneri i Tiranës foli edhe për ngërçin e ekipit, sidomos në pjesën e parë. Ai pranoi se mezi priste që loja të ndalej që të ndërhynte në 11-she. Mjafton të kujtosh se ekipet kuadratin për herë të parë e goditën në minutën e 52-të të takimit.

“Nuk dua të flas për skuadrën kundërshtare. Do të flas për ekipin tim. Në pjesën e parë çdo gjë na shkoi keq. Nuk ishin askund. Mezi po prisja të mbaronte pjesa e parë. Nuk po i ushtronim presion Vllaznisë. Po gabonim në pasime dhe repartet ishin të shkëputura. Çdo gjë ishte keq. Tirana nëse nuk mban topin nën zotërim, bëhet nervoze dhe është një kohë në vonesë. Në pjesën e dytë ndryshuam, por paçka se nuk bëmë gjuajtje në portë, e zgjidhi goditja e dënimit e Bathës.

Në këtë fazë të kampionatit duhet të jesh shumë cinik për të fituar ndeshjen”, vazhdoi trajneri. Shehi ka fjalë të mira edhe për kapitenin e skuadrës. Sipas Orgesit, Batha i ka nxjerrë disa herë nga balta dhe për këtë trajneri shpreson që ta ribëjë. “Sa për Bathën mund të them se është lideri i skuadrës, kapiteni i ekipit. E gjithë skuadra i ka sytë te lideri dhe këtë po e bën shumë mirë.

Nuk është hera e parë që po na jep fitoren. Shpresoj të jetë në këtë ritëm, sepse na ndihmon shumë, si në fushë e jashtë saj”, tha Shehi. Njëzet e nëntë pikë në pesëmbëdhjetë takime ka Orges Shehi në stolin e Tiranës. Ekipi nuk njihte asnjë barazim për më shumë se një fazë kampionati, por me Shehin e provoi në Korçë dhe me Kukësin. Bardheblutë kanë edhe 3 humbje, ndërsa në 15 javë kanë humbur 16 pikë. Titulli duket në horizont, por Shehi nuk e nxjerr fjalën nga goja.

“Tani jemi në luftë për ndeshjen e radhës. Është një kampionat shumë i egër. Po e shohim dhe çfarë rezultatesh po dalin javë pas jave. Duhet të jemi të përqendruar dhe në formë çdo ndeshje. Për më tepër që kemi grumbulluar 29 pikë në 15 javë dhe jemi ende 6 pikë nga kreu”, mbylli Orges Shehi.

Related posts

I përballon vet shpenzimet/ Xhorxhina Rodriguez nuk ka nevojë për RONALDON

Isa.Autor

BUNDESLIGA/ Wolfsburg pëson humbjen e parë, Leipzig mposht me GOLEADË Hertha Berlin

Delo.autor

TEUTA-FLAMURTARI/ Pas 13 minutash lojë, Haruni zhbllokon sfidën për “Vlonjatët” (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment