Futboll Kategoria Superiore Sport

PARTIZANI MË NË FUND BËN “JACKPOT”/ Daja gjen “bomberin”, sulmuesi i të kuqve tregon sekretin e tij

Partizani duket se më në fund e ka gjetur bomberin të cilin e kërkonte me shumë ngulm. Stenio Zhunior ka shënuar në dy ndeshje radhazi dhe është në kuotën e 3 golave në total pas 11 ndeshjesh të luajtura.

Kundër Bylisit dhe Kastriotit, Zhunior ishte një prej lojtarëve më të dalluar në fushën e blertë, duke qenë i kudondodhur dhe duke shënuar në të dyja sfidat. Daja duket se më në fund e ka profilin e lojtarit që kërkon në majë të sulmit. Pasi provoi Solomonin, Kardozon dhe Çinarin, strategu 54-vjeçar më në fund bëri “bingo”, me Zhuniorin që po ia shpërblen të gjithë besimin e dhënë.

GOLAT – Për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Bylisin, Zhunior tha se kërkonte të realizonte edhe 9 gola në 9 sfidat e mbetura dhe e nisi mbarë kundër Kastriotit, duke shënuar. Por, nuk ka rëndësi vetëm fakti që shënoi, por edhe mënyra si realizoi. Bomberi brazilian tregoi cilësitë tipike të një numri 9, duke i shpëtuar markimit të dy qendërmbrojtësve dhe duke arritur i pari te krosimi i Malës, për të shënuar me “dhunë”.

Ky gol kishte peshë të rëndë, pasi kaloi Partizanin në avantazh kundër një Kastrioti tepër agresiv, vetëm 15 minuta nga fundi i sfidës. Edhe pse Zhunior ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij si sulmues i majtë, te Partizani po tregon se është më se i aftë të luajë dhe si numër 9 dhe të jetë një rrezik konstant për mbrojtjet kundërshtare.

BESIMI – Stenio Zhunior beson shumë në Zot dhe para çdo ndeshjeje, kryen lutjet dhe ritualet e tij të zakonshme. Besimin e tij sulmuesi e tregon edhe në rrjetet sociale, ku për formën e mirë që po kalon, ka bërë një postim:

“Faleminderit Zot për të gjitha herët që kam qenë i dobët dhe më ke bërë të fortë, të gjitha herët që kam qenë i trishtuar dhe më ke bërë të lumtur, për të gjitha momentet e trazuara dhe më ke kujtuar të kaluarën, për të gjitha mundësitë që më ke dhënë në jetën time, në mënyrë që ta tregoj veten se sa i madh dhe i fortë jam, kur ju më zgjasni dorën”.

Për sa kohë Stenio vazhdon të ruajë këtë formë të mirë, pa diskutim që do të shndërrohet në një prej “beniaminëve” të tifozëve të Partizanit.

Related posts

FOTO+VIDEO/ Derbi i Beogradit shndërrohet në masakër, prezent në stadium Olsi Rama dhe Gaz Demi

Q.Autor

SUKSES HISTORIK NË “MINSK 2019″/ Ja momenti kur Majlinda Kelmendi merr medaljen e artë (VIDEO)

Delo.autor

FITORJA NDAJ EINTRACHT/ “GJYSHI” Ribery shkruan historinë, Bayern e mbyll vitin në vendin e dytë

Delo.autor

Leave a Comment