Futboll Sport

“UEFA E KA HUMBUR BETEJËN NË GJYQ”/ Flasin avokatët: Ja precedentët e mëparshëm në çështje të tilla

Klubet e Super Ligës kanë një shans të mirë për ta fituar çdo betejë ligjore me UEFA-n, nëse qeveria europiane e futbollit përpiqet t’i bllokojë planet e tyre për shkëputjen nga kompeticioni. Këtë paralajmërim e bëjnë ekspertët ligjorë. UEFA, federatat aderuese dhe kompeticionet e tyre janë të vendosura për të përdorur forcën e rregullave për të prishur planet e 12 klubeve të para për krijimin e këtij kompeticioni të ri.

UEFA paralajmëroi se do të ndalojë pjesëmarrjen e klubeve në kompeticionet vendëse dhe lojtarët në kompeticionet europiane me kombëtaren. Kjo do të thotë se 12 klubet e Super Ligës do të përjashtohen nga kampionatet e tyre nëse plani i tyre bëhet realitet. Super Liga nga ana e saj ka thënë se ka nisur veprimet ligjore në gjykatat përkatëse për të ndalur çdo sfidë nga UEFA dhe planet e saj radikale. Por, kush do ta fitonte këtë betejë nëse shkon në gjyq?

Një ekspert i njohur i konkurrencës në sport, avokati Mark Orth, i “MEOlaw” me bazë në My nih, tha për “Daily Mail” se ai mendon se rebelët do t’ia dalin nëse kjo përballje shkon në gjykatë. Ai bazohet në ligjin e konkurrencës dhe precedentët e rasteve të ngjashme në të shkuarën. “Unë jam i mendimit se ata kanë një çështje të fortë, – thotë Orth, i cili ka këshilluar klubet e futbollit në këtë pjesë të ligjit.

– Gjykata është vendi i duhur për të shkuar. Ata kanë një mundësi të mirë për të fituar. Ka shanse të mira për nisjen e Super Ligës dhe klubet që marrin pjesë në të”. Besimi i Orthit në rastin e Super Ligës bazohet pjesërisht te fakti që dy gjykata europiane kanë shqyrtuar tashmë çështje të tilla, duke rrëzuar federata të tjera sportive në të shkuarën. Komisioni Europian ka vendosur më herët se Federata Ndërkombëtare e Patinazhit nuk mund t’i ndalojë patinatorët nga pjesëmarrja në turne të rinj që prodhojnë shumë para.

Ky vendim u mbështet në një gjykim edhe në gjykatën e dytë më të lartë të Europës, Gjykata e Përgjithshme në Luksemburg në muajin dhjetor. Dhe në janar, një gjykatë gjermane mori këtë vendim si precedent kur ndaloi Federatën Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Mundjes që të bllokonin krijimin e një kompeticioni të ri.

Orth përmend edhe precedentë të tjerë në Suedi dhe Itali. Super Liga nuk ka treguar se në cilat gjykata i ka dërguar letrat e saj, por Orth besoj se me gjasë ato mund të jenë në Gjykatën e Lartë në Londër dhe në Itali. Pavarësisht se Britania është jashtë BE-së, ligji që aplikohet në këtë vend nuk ka shumë ndryshime. Duke e dërguar këtë çështje në një gjykatë të kontinentit, Super Liga i hap rrugën një gjykimi në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Edhe avokati italian Pierfilipo Kapelo beson se Super Liga do triumfojë.

“Nuk shoh në këtë moment asnjë arsye për të përjashtuar 12 klubet themeluese të Super Ligës nga kompeticionet kombëtare dhe ndërkombëtare në vijim. Sjellja e tyre mund të sjellë sanksione, por nuk do të ndikonte në të drejtën e pjesëmarrjes në një kompeticion. Të paktën nëse UEFA nuk gjen një levë juridike që për momentin e shoh të pamundur. Përjashtimi i lojtarëve nga kombëtaret? Të marrim një shembull:

Nëse një klub i kërkon një lojtari që të përdorë substanca dopingu, lojtari mund të refuzojë. Në të njëjtën mënyrë, nëse federatat arrijnë të tregojnë se Super Liga është e paligjshme nga pikëpamja sportive, atëherë lojtari do të gjendej përballë situatës së zgjedhjes: të ndjekë punëdhënësin e tij ose jo”.

Related posts

FLET PËR NGJARJET NË SHKODËR/ Ernest Gjoka thyhen heshtjen: Kam pasur kërcënime deri në…

Delo.autor

PO BËHET VIRALE/ Mauro Icardi alarmon tifozët me postimin e fundit në rrjetet sociale

Delo.autor

LIVE/ Po luhet ndeshja Bylis-Vllaznia, mbyllet pjesa e parë. Rezultati 0-0

Delo.autor

Leave a Comment