Futboll Kategoria Superiore Sport

“SHTATË FINALE PËR ËNDRRËN E ÇDO SHKODRANI”/ Mbrojtësi Shehi: Ja kush e parandjeu golin tim

Dajan Shehi është në vendin dhe kohën e duhur sërish për Vllazninë. Qendërmbrojtësi elbasanas po konfirmon se është një pikë e fortë e kuqebluve në sezonin e tij të dytë në Shkodër. Goli i barazimit që shënoi ndaj Skënderbeut i hapi rrugën e fitores shkodranëve. Pas ndeshjes, mbrojtësi foli për “Panorama Sport”, teksa u shpreh i lumtur për këtë triumf kaq të rëndësishëm që e riktheu Vllazninë në krye. Sipas tij, kuqeblutë do të shkojnë në Tiranë vetëm për fitore.

Shehi, jo vetëm në mbrojtje, por i vini ekipit në ndihmë edhe me gol…

Së pari, jam shumë i lumtur për fitoren që arritëm ndaj Skënderbeut dhe që shënova. Ia dedikoj këtë gol familjes time dhe në veçanti gjyshit tim, që e kishte parandier këtë gol.

E kishit menduar kaq të vështirë këtë përballje?

Normalisht që e kishim menduar një gjë të tillë, sepse ky kampionat po tregon që nuk ka skuadra të lehta. Janë të gjithë të forta dhe diferencat janë shumë të pakta me njëratjetrin. Ia dolëm me sukses dhe tashmë kemi 7 finale të tjera për të arritur ëndrrën e çdo shkodrani.

Pavarësisht se nuk e keni nisur titullar sezonin, sërish kur jeni aktivizuar keni marrë vlerësim maksimal nga trajneri. Është ky sezoni juaj më i mirë?

Nuk mund të them që është sezoni më i mirë, sepse kam luajtur pak këtë kampionat. Unë ndihem mirë që po ndihmoj ekipin dhe shpresoj t’ia dal deri në fund, pasi po kaloj një formë të mirë.

Si i shikoni javët e mbetura?

Normalisht që fundi është shumë i vështirë, pasi dihet që nuk duhet të gabosh me asnjë ekip që të shkosh drejt titullit. Sigurisht që do jetë e vështirë, por ne do luftojmë deri në fund.

Të mërkurën përballë do të keni Tiranën. Çfarë prisni nga ky takim, do t’ju kënaqte edhe një pikë?

Për mendimin tim, Tirana ka një ekip shumë të fortë dhe do të jetë një ndeshje e luftuar. Të dyja skuadrat duan fitore për të realizuar objektivat. Edhe ne do të shkojmë në Tiranë vetëm për fitore.

Mund të thuhet që objektivi minimal i Vllaznisë, Europa, kalon nga kjo përballje?

Detyra jonë është që ta sigurojmë Europën nga kampionati dhe normalisht që kalon nga kjo përballje.

Related posts

Mourinho flet pas turprimit nga skuadra e Xherdan Shaqirit

Sadik.Autor

NIS ME KËMBË TË MBARË/ Teuta mposht Partizanin në “Elbasan Arena” falë golit të Gjiorgev

Delo.autor

Wenger për të ardhmen: Më pëlqen bari i gjelbër, dua të eci në të çdo mëngjes

Sadik.Autor

Leave a Comment