Futboll Kategoria Superiore Sport

BYLIS RREZIKON MBIJETESËN/ Kalendarin e kanë kundër, skuadra e Dovedan ndien rënien nga elita

Humbja me Vllazninë sigurisht që ka lënë shije të keqe në Ballsh, teksa fill pas ndeshjes me skuadrën shkodrane, sapo është dëgjuar vërshëllima e kryesorit Kreshnik Barjamaj, lojtarët dhe stafi nuk u kanë besuar syve.

Pa thënë se mjaft i zhgënjyer ka qenë edhe presidenti Kapllanaj që priste një rezultat ndryshe, nisur edhe nga nevoja për pikë e të tijve në një duel shtëpie, ndërkohë që vetëm një fazë më parë, Bylisi mori 3 pikët në Shkodër. E megjithatë, dje ballshiotët kanë zbritur në fushën e stërvitjes. Natyrisht që tashmë nuk e kanë më vetë në dorë mbijetesën, por do të luajnë dhe do të respektojnë garën. Ballshiotët kanë dy sfida në transfertë, duke filluar që nga ajo e së hënës me Kukësin në “Elbasan Arena” si dhe me Kastriotin në Kamzë. Ndërsa në ndeshjen e fundit, Bylisi do të luajë në fushën e vet me skuadrën e Partizanit.

Janë tri finale, ndërsa skuadra mallakastriote luan mirë, por nuk gjen dot rrugën e rrjetës, ashtu sikurse ka një dukuri që pëson gol shumë kollaj, si në transfertë ashtu edhe në fushën e vet. Në gjashtë ndeshjet e fazës së katërt, skuadra e Bylisit nuk ka bërë paraqitje të mira, madje duhet theksuar se ka vetëm 4 pikë, pra 1 fitore ndaj Apolonisë në Ballsh si dhe një barazim me Tiranën po në Ballsh, ndërsa nuk ka provuar ende shijen e pikës jashtë fushës. Ndryshe nga faza e tretë që kulmoi me ecurinë e skuadrës e cila pati një ecuri mjaft të mirë, duke grumbulluar plot 14 pikë, me një ecuri prej pretendenti.

Bylisi nuk do të ketë lojtarë të pezulluar në ndeshjen e radhës në transfertë me Kukësin, ashtu sikurse janë drejt rikuperimit të plotë Marçelino Preka si dhe Kreshnik Nebihi që mungoi me shkodranët, ndërsa edhe Kojiç ende nuk po shfaqet aty ku duhet sepse dëmtimi i fundit ia prishi jo pak ritmin.

Për t’u theksuar është se me të dyja ekipet që luajnë në transfertë, Bylisi nuk ka marrë asnjë pikë, si me Kukësin në “Elbasan Arena”, ashtu edhe me Kastriotin në Kamzë. Megjithatë, sfidat tashmë janë ndryshe, finale, dhe skuadrat luajnë “gjithçka për gjithçka”. Ndaj, edhe në Ballsh do të tentojnë që të mos dorëzohen, sidomos me dy skuadra që në ndeshjet direkt nuk është se kanë bërë diferencë të madhe me skuadrën e Dovedanit.

Related posts

Peter Crouch bën kosh me këmbë nga 20 metra! (VIDEO)

Sadik.Autor

NDESHJA NDAJ UKRAINËS PËR “EURO 2020″/ Sulmuesi Depay: E dua presionin, Koeman më ndryshoi jetën

Delo.autor

EIBAR-BARCELONA/ Manual futbolli nga “Katalanasit”, Messi ndëshkon me “Tiki-Taka” (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment