Futboll Seria A Sport

FRIKA E RENDITJES SË PËRZIER/ Juventus ka vetëm një shans, ja rregullorja e të gjitha kryqëzimeve të mundshme…

Atalanta, Milan, Napoli dhe Juventus, por pse jo edhe Lacio, ndonëse vetëm matematika e mban në lojë edhe pse është një mision më shumë se i pamundur.

Prandaj është më e saktë që të thuhet se janë 4 skuadra në lojë për tri vende, për kualifikimin në Ligën e Kampioneve, në fundin e këtij sezoni 2020-2021 të Serisë A.

Lufta nuk ka dyshime që do të zgjasë deri në frymën e fundit, vetëm me Interin që tashmë është në fazën e grupeve, madje duke kapërcyer brenda një sezoni nga vazo e tretë në të parën, si kampione.

Aktualisht Juventusi është skuadra që rrezikon më shumë, ku me 72 pikë renditet i pesti, Napoli i katërti me 73 pikë dhe më pas Atalanta e Milan me 75 respektivisht në vendet dy dhe tre. Situata është tmerrësisht intriguese, por me kritere të qarta.

KRITERET BAZË

* Pikë të grumbulluara në ndeshjet direkte

* Diferencë golash në ndeshjet direkte

* Diferencë e përgjithshme golavarazhi

* Gola të shënuar nga dy skuadrat

* Short në rast baraspeshe të katër pikave më lart

– Duke mbetur në skenarin se në fund me pikë të barabarta do të përfundojnë vetëm dy skuadra që pretendojnë Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, atëherë mjaftojnë kriteret bazë të renditjes për të shpallur fituesen ose më saktë siç tregohet më poshtë:

SITUATA ME DY EKIPE ME PIKË TË BARABARTA

* Juventus dhe Milan: Avancon Milani si rrjedhojë e golavarazhit më të mirë në përballjet direkte (nga një fitore secila).

* Juventus dhe Napoli: Avancon Napoli për diferencë golavarazhi të përgjithshëm në kampionat deri tani (nga një fitore secila dhe golavarazh i barabartë në duelet direkte).

* Juventus dhe Atalanta: Avancon Atalanta, për diferencë pikësh në përballjet direkte (kanë barazuar në Torino, por zikaltrit kanë fituar në Bergamo ndaj “Zonjës së Vjetër”).

* Milan dhe Napoli: Avancon Milani si rrjedhojë e golavarazhit më të mirë në përballjet direkte.

* Milan dhe Atalanta: Atalanta është në avantazh në çdo aspekt (pikë e gola në ndeshjen direkte, por edhe golavarazh të përgjithshëm), por duket pritur ndeshja e kthimit, në javën e fundit të Serisë A.

* Napoli dhe Atalanta: Avancon Napoli si rrjedhojë e golavarazhit më të mirë në përballjet direkte (nga një fitore secila)

RENDITJA E PËRZIER

– Por, çmenduria mund të ndodhë në rast se në fund të kampionatit, Seria A do të ofrojë tri apo më shumë skuadra me pikë të barabarta, që duan të shkojnë në Champions.

Në këtë rast do të hynte në lojë renditja e përzier, e cila do të “eliminonte” fillimisht kriteret bazë dhe do të fokusohej vetëm në krijimin e një renditjeje pikësh në duelet direkte mes skuadrave. Kjo do të thotë që aspekti i golave në sfidat direkte dhe golavarazhi do të dilnin në një pikë të parë jashtë loje.

Shembull: Milani nuk do të ishte më në avantazh ndaj Juves, ndonëse ka humbur 3-1 dhe ka fituar 3-0, nëse përfundon me pikë të barabarta për shembull edhe me një mes Napolit apo Atalantës… Por, si ta kuptojmë më qartë “renditjen e përzier”:

Nëse në fund Juventusi, Napoli dhe Atalanta do ta mbyllnin me pikë të barabarta, atëherë për secilën skuadër do të grumbulloheshin fillimisht pikët mes tyre.

Konkretisht: Juventusi ka një fitore dhe një humbje ndaj Napolit, ndërsa me Atalantën ka barazuar dhe ka humbur. Në total për bardhezinjtë bëjnë 4 pikë në total. Ndërkohë, Atalanta ka fituar dhe ka humbur me Napolin, ndërsa ka fituar dhe ka barazuar me Juventusin, për një total prej 7 pikësh.

Ndërsa Napoli ka humbur dhe ka fituar me Atalantën, por gjithashtu ka humbur dhe ka fituar edhe me Juventusin. Në fund totali do të ishte 6 pikë në këto duele direkte dhe renditja finale do të thoshte:

Atalanta 7 pikë, Napoli 6 dhe Juventusi 4, me bardhezinjtë që do të ishin jashtë zonës Champions, pavarësisht pikëve të barabarta me të dyja rivaleve dhe pa llogaritur golavarazhin në ndeshjet direkte etj, siç kërkojnë kriteret bazë.

Por në rast të shembullit tjetër, kur të tria apo të katërta ekipet do të ishin në të njëjtën kuotë pikësh (pra si në rastin e shembullit konkret, Juve, Milan, Napoli), këtu do të futeshin sërish në lojë kriteret bazë, duke përdorur golat në duelet direkte, e deri te golavarazhi i përgjithshëm, apo faktin kush ka shënuar më shumë, për të rishkruar renditjen.

Gjithsesi, më poshtë shpjegohen të gjitha situatat në rast baraspeshe pikësh të tri apo katër ekipeve…

SITUATA ME TRI EKIPE ME PIKË TË BARABARTA

* Juventus, Milan e Napoli: Nëse llogarisim përballjet direkte, të tria përfundojnë me një renditje prej 6 pikësh (Milani ka 1 fitore dhe një humbje me Juven; Milani ka një fitore dhe një humbje me Napolin; dhe Napoli ka një fitore dhe një humbje me Juven).

Në këtë situatë futen në lojë kriteret bazë dhe në fund avancon Milani si rrjedhojë e diferencës së golave më të mirë të ndeshjet direkte me Juven (ka shënuar 4 dhe ka pësuar 3), por edhe me Napolin (ka shënuar 3 dhe ka pësuar 2); avancon edhe Napoli si rrjedhojë e golavarazhit të përgjithshëm më të mirë të golave deri tani, pasi në dy duelet me Juven ka shënuar 2 dhe ka pësuar sërish dy gola.

* Juventus, Atalanta e Napoli: Në këtë renditje kryeson Atalanta me 7 pikë (kanë fituar dhe kanë barazuar me Juven, plus ka fituar dhe ka humbur me Napolin), Napoli me 6 (ka humbur dhe ka fituar me Atalantën, ka humbur dhe ka fituar me Juventusin) dhe Juventusi me 4 (ka barazuar dhe ka humbur me Atalantën dhe ka fituar e ka humbur me Napolin).

Prandaj avancon Atalanta për çështje pikësh në përballjet direkte (ndaj Juves); avancon edhe Napoli si rrjedhojë më shumë pikësh në renditjen e përzier (sërish ndaj Juves)

* Juventus, Atalanta e Milan. Renditja në këtë rast thotë: Atalanta 7 pikë, por në pritje për të luajtur me Milanin në javën e fundit (ka mundur kuqezinjtë dhe i ka marrë 4 pikë Juves), Juventusi 4 pikë (1 pikë më Atalantën dhe 3 me Milanin), dhe Milani 3, por ka ende ndeshjen për të luajtur me Atalantën, në javën e fundit.

Deri në këtë moment do të kalonte Atalanta dhe Juvja, por nëse Milani fiton në ndeshjen e fundit, atëherë do të digjte Juven, por edhe nëse barazonte falë golavarazhit në ndeshjet direkte, do ta “eliminonte” sërish Juven.

E vetmja mundësi për “Zonjën e Vjetër” në këtë rast do të ishte që Atalanta të mundte Milanin (gjithmonë nëse torinezët bëjnë 6 pikë ndaj Interit e Bolonjës).

* Milan, Napoli e Atalanta: Renditja aktuale thotë Napoli e Atalanta nga 6 pikë, Milani 3, por në pritje për të luajtur me bergamaskët.

Gjithsesi, duhet pritur edhe dueli i javës së fundit në Bergamo, për të kuptuar se kush do të kalojë, por në rast fitoreje të Milanit, të tria ekipet do të barazoheshin në kuotën 6 pikë në përballjet direkte dhe këtu do të hynin në lojë diferenca e golave në duelet direkte e deri te golavarazhi i përgjithshëm.

Në rast të kundërt, nëse Milani barazon apo humb, do të ishte jashtë (gjithmonë nëse Juventusi do të bënte më shumë pikë se “Djalli”).

SITUATA ME KATËR EKIPE ME PIKË TË BARABARTA

* Juventus, Milan, Napoli e Atalanta: Kalon e para Atalanta për diferencë të përgjithshme golavarazhi në kampionat; kalon Napoli i dyti për diferencë të golave në kampionat; kalon edhe Juventusi për diferencë të përgjithshme golash (ndaj Milanit), por duhet të luhet edhe Atalanta-Milan për të saktësuar totalisht situatën.

Related posts

MIQËSORE/ Gjermania dhe Turqia “paqe” me 6 gola, Italia “asfalton” Moldavinë

Delo.autor

E FUNDIT/ Messi bojkoton stërvitjen e radhës, Barcelona e tërbuar! Babai i Leos niset nga Argjentina

Delo.autor

E BUJSHME/ Gattuso flet pas humbjes ndaj Juventusit: Janë skuadër më e fortë se ne, ata…

Isa.Autor

Leave a Comment