Futboll Kategoria Superiore Sport

MADHËSHTOR/ Vllaznia mposht Skënderbeun në “Air Albania” dhe shpallen Kampionë të Shqipërisë

Kupa është e Vllaznisë! Shkodra feston sot sepse skuadra e saj fitoi një trofe të rëndësishëm! Të merituar! Të duartrokitur nga e gjithë Shqipëria! Kuqeblutë e drejtuar nga Brdariç mundën në finale Skënderbeun me rezultatin 1-0 në “Air Albania” dhe çoi në delir tifozët e Vllaznisë që ishin në stadium, por edhe mijëra të tjerë që e kanë ndjekur nga TV.

Sot për herë të parë u lejuan zyrtarisht tifozë në stadium që pas 15 muajsh mbylljeje prej pandemisë. (Ka pasur thuajse në të gjitha ndeshjet së fundmi, por jo me lejen e qeverisë…). Ishte një ndeshje e dominuar më së shumti nga shkodranët që me kombinime të shkëlqyera vunë në vështirësi Skënderbeun. Skuadra e Memellit luftoi burrërisht, por strategjia për një mbrojtje të ngjeshur dhe pasim te Mensah, nuk bëri dot një mrekulli tjetër, pas mbijetesës në Superiore.

Goli i vetëm erdhi në minutën 39’, kur Jonuzi kombinoi bukur me Isaevskin. Ky i fundit menjëherë gjeti të lirë në zonë Da Silvën, i cili në ecje e sipër goditi me të majtën dhe topi pasi u devijua nga mbrojtësi Vitija përfundoi në rrjetën e Rexhepit. Pjesa tjetër është histori: Vllaznia që dominon, por nuk gjen dot rrugën e rrjetës, ndërsa Skënderbeu tenton ta shfrytëzojë kundërsulmet. Situata nuk ndryshon deri në fund, edhe pse në minutën e 85-të Zguro del me të kuq pas një ndërhyrje të ashpër nga mbrapa në dëm të Markut në mesfushë!

Kjo është kupa e shtatë që fiton Vllaznia në historinë e saj, ndërsa të fundit e kishte marrë më 2008. Fitimi i një trofeu të rëndësishëm është padyshim fryt i punës së skuadrës dhe stafit, me në krye trajnerin Tomas Brdariç, por edhe i angazhimit të kryebashkiakes Voltana Ademi, sponsorit Alban Xhaferi dhe drejtorit sportiv Matko Djarmati. Ishte një sezon i vështirë, por fantastik për Vllazninë.

Titullin e humbi vetëm me golavarazh ndaj Teutës, ndërkohë i shtoi “gjerdanit” të trofeve edhe një Kupë. Ka një skuadër mesatarisht të re dhe mbi të gjitha ka kaq shumë entuziazëm rreth vetes, saqë mund të nisë një cikël prej një skuadre të madhe. Ashtu siç i takon në fakt…

Related posts

SURPRIZA E BUKUR/ Portieri më i mirë në Europë luan me ITALI me ekipin e…

Isa.Autor

FORMULA 1/ Piloti Sainz gati për debutimin: Dua ta shijoj aventurën te Ferrari

Delo.autor

Gazetari sportiv solidarizohet me Xhakën e Shaqirin, bën shqiponjën në transmetim direkt

Isa.Autor

Leave a Comment