Futboll Sport

SHKËLQEN QË NË SEZONIN E PARË/ Uzuni nominohet për “lojtarin e vitit” në Hungari

Sezoni që po mbyllet ka qenë mjaft i suksesshëm për disa nga futbollistët e Kombëtares shqiptare, të cilët jo vetëm kanë qenë titullarë me klubet e tyre në Europë, por kanë marrë rol protagonisti me nivelin e lojës, apo edhe me golat e shënuar.

Mbrojtësit thuajse të gjithë kanë pasur aktivizim të rregullt në Serinë A, por ai që mund të veçohet është pa dyshim Berat Gjimshiti, titullar në kampionat dhe Ligën e Kampionëve me Atalantën. Në mesfushë mund të veçohet Keidi Bare, lojtar kyç me Espanjolin dhe tashmë në nivelin më të lartë të futbollit spanjoll. Po ashtu, edhe Nedim Bajrami është ngjitur me Empolin në Serinë A.

Por ata që fiksohen në memorien e tifozëve janë sulmuesit, sepse në fund të fundit janë ata që finalizojnë qëllimin e vetë futbollit, janë ata që shënojnë golat. Dhe Sokol Cikalleshi, Myrto Uzuni dhe Rei Manaj kanë pasur një ecuri vërtet të mirë këtë sezon. Rritjen më të madhe pa diskutim e ka pasur sulmuesi beratas, i shpallur kampion në Hungari me Ferencvaroshin.

Që në sezonin e parë me ekipin e njohur hungarez, Uzuni ka rrëmbyer skenën, duke qenë ndër më të mirët. Jo më kot ai është nominuar për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit në Hungari. Sulmuesi 25-vjeçar zuri vend në skemën me 3 sulmues të trajnerit Sergei Rebrov dhe ka shënuar 12 gola. Uzuni ka luajtur 26 ndeshje gjatë këtij sezoni, 23 nga të cilat si titullar, 1924 minuta në total.

Një ecuri mbresëlënëse, që mund të ishte edhe më e mirë, nëse futbollisti kuqezi nuk do të ishte infektuar nga Covid-19, çka e detyroi të qëndronte jashtë fushave për disa ndeshje. Goli në Ligën e Kampionëve ndaj Juventusit ishte pa dyshim një nga momentet më të bukura për Uzunin, të cilin e pret një klub më i madh në të ardhmen. Zërat e merkatos kanë nisur dhe disa e çojnë në Angli e disa tek Olimpiakosi. Me siguri talenti beratas do të veshë shumë shpejt një fanellë më të rëndë, e ardhmja është përpara.

Related posts

TASHMË MERR FUND/ Ylli i PSG Rabiot arrin akordin me Barcelonën për në…

Delo.autor

FITORJA E TRETË RADHAZI/ Juventus mposht Torinon në Derbi falë golit të Locatelli-t

Delo.autor

PAS PARABURGIMIT/ Alban Hoxha dënohet nga klubi i Partizanit

Isa.Autor

Leave a Comment