Tirana në volejboll për meshkuj vjen me ambicie të mëdha për sezonin 2021-2022. Klubi bardheblu disa ditë më parë ka nënshkruar me trajnerin Arben Sako, i cili ka marrë tashmë drejtimin e skuadrës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Sako flet për rikthimin e tij pas 5 vitesh te kryeqytetasit: “Më pëlqeu projekti i drejtoreshës së klubit, Deborah Keçi, e cila kërkoi një bashkëpunim me mua dhe unë pranova me kënaqësi që të rikthehem te Tirana”, shprehet Sako.
Përveç trajnerit te Tirana, janë afruar edhe dy elementë të rëndësishëm nga Erzeni, si Norgen Baruti dhe Klaudio Qerraxhija. Sako tregon se si do të jetë Tirana e tij, ndërsa bën të ditur edhe objektivat: “Tirana e këtij sezoni do të jetë një skuadër me shumë pak ndryshime, por do të jetë një skuadër shumë e vështirë për t’u mundur. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, me moshë relativisht të re, të cilët janë të etur për të luftuar dhe për të fituar. Së bashku me dy lojtarët që kemi marrë nga Erzeni, besoj do ta ndihmojmë ekipin për t’i realizuar objektivat. Tirana do të luftojë për t’i marrë të gjithë trofetë e volejbollit shqiptar. Ne po stërvitemi rregullisht çdo ditë, po punojmë me shumë seriozitet për të bërë të mundur përmbushjen e objektivave”. Në fund nuk mund të linte pa falënderuar ish-klubin e tij, Erzenin, me të cilin në 4 vite fitoi një kampionat, një Kupë të Shqipërisë, u shpall nënkampion, fitues i klasifikimit nga FSHV në sezonin kur kampionati u ndërpre nga pandemia.
Këto arrtije e bëjnë Erzenin skuadrën e dytë më të titulluar të viteve të fundit, pas Partizanit. Pa harruar që edhe euroderbin, me shijakasit që eliminuan pikërisht Partizanin në Kupat e Europës. “Në Shijak kam pasur një eksperiencë fantastike. Në këto vite kam njohur vetëm suksese dhe rritje. Dua t’i përshëndes, sepse atje jetova dhe punova në kushte shumë të mira dhe besoj që ua kam shpërblyer. Dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë sportdashësit e Erzenit, pasi na kanë dhënë një mbështetje shumë të madhe mua dhe skuadrës. Kështu që i uroj gjithë të mirat skuadrës shijakase dhe do të thosha që këtë vit Tirana nuk ka vetëm Partizanin rival, por edhe Erzenin, Vllazninë, Skënderbeun apo Farkën. Mendoj që do të kemi një kampionat shumë agresiv”, përfundoi prononcimin e tij Arben Sako.
