Futboll Seria A Sport

ZBULOHET PRAPASKENA/ Nga largimi i yjeve te ulja e pagave, ja pse Conte shpalli divorcin me Inter-in…

Përfundoi, ashtu siç asnjë tifoz i Interit s’mund ta imagjinonte. Antonio Konte nuk është më trajner i zikaltërve. Pas dy sezonesh dhe një titulli kampion të fituar, ka ardhur fundi i marrëdhënies mes trajnerit italian dhe skuadrës nga Milano. Pasditen e djeshme u arrit marrëveshja për prishjen e kontratës, nga e cila Konte do të përfitonte 7.5 milionë euro.

Në bilancet e klubit peshonte 24 milionë në total kontrata e tij, ku trajneri merrte rrogë 13.5 milionë. “FC Internacionale Milano ka gjetur akordin për prishjen konsensuale të kontratës me Antonio Konten. I gjithë klubi dëshiron ta falënderojë për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për fitoren e titullit kampion për herë të 19- të. Antonio Konte do të jetë përgjithmonë në historinë e klubit tonë”, shkruhej në komunikatë.

KLAUZOLA – Dita e djeshme ka qenë intensive në selinë e klubit zikaltër, i cili pak ditë më parë festoi titullin. “Regjisori” i çdo lëvizjeje ishte administratori Bepe Marota, i cili tentoi deri në momentet e fundit të bindte Konten për vazhdimësinë e projektit të nisur, por ky i fundit nuk mund të pranonte idenë e Zhangut: nga merkato e kësaj vere Interi duhej të fuste në arkat e tij mes 70-80 milionë eurove.

E përkthyer, do të thoshte që të shitej një ose dy mes yjeve të ekipit, Lautaro, Lukaku, Hakimi apo Barela. Kjo gjë nuk u pranua me këmbëngulje nga Konte dhe palët arritën në përfundimin për zgjidhjen e kontratës. Mediat pranë klubit zikaltër bëjnë me dije se në këtë marrëveshje është përfshirë një klauzolë, sipas të cilës Konte nuk mund të stërvisë asnjë klub italian sezonin tjetër.

ARSYET – Klubi normalisht dëshiron të qëndrojë në nivele të larta, të konkurrojë për titullin dhe të paraqitet mirë në Europë, por kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia ka detyruar presidencën fillimisht të kërkojë një huazim të porsamarrë (275 milionë euro nga fondi amerikan “Oaktree”) dhe më pas të nisë bisedimet me lojtarët dhe këdo tjetër në rangjet drejtuese që të ulë pagën me 15-20 për qind. Këto kushte nuk i pëlqyen aspak Antonio Kontes, pasi trajneri prej muajsh ishte shprehur qartë: Nuk do të kishte pranuar idenë e hedhjes poshtë të punës së dy viteve, që përfundoi me fitoren e titullit.

Related posts

PAS SHKARKIMIT NGA TIRANA/ Egbo reagon për herë të parë: Kishte kohë që prisnin të më hiqnin…

Delo.autor

Ishte apo nuk ishte? Penalltia e Realit përçan gjyqtarët e botës

Sadik.Autor

ZYRTARE/ Tjetër largim nga Bayerni, “ylli” mbërrin te klubi i ri për testet mjekësore

F.autor

Leave a Comment