Futboll Kategoria Superiore Sport

MENDON PËR SEZONIN E RI/ Nga trajneri tek lojtarët, Vllaznia në udhëkryq prej… ankandit

Vllaznia duket se ende nuk ka nisur nga puna për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri. Pasi kanë rinovuar me drejtorin sportiv Matko Djarmati e më pas me zëvendëstrajnerin e parë Elvis Plori dhe pas firmës së hedhur me futbollistin shkodran Egzon Shimaj, drejtuesit e klubit nuk kanë deklaruar lëvizje të tjera për sa i përket rindërtimit të skuadrës.

Nuk janë pak, por 8 lojtarë që janë ende pa kontratë nga formacioni i sezonit të shkuar. Duhet thënë se të gjithë kanë qenë pjesë e skuadrës titullare. Nëse për kampionatin mund të ketë kohë të mjaftueshme, pjesëmarrja në Europë e komplikon paksa situatën në kampin kuqeblu. Situatë, e cila për hir të së vërtetës, nuk duket shumë e favorshme. Vllaznia do të nisë nga puna pikërisht ditën e hënë dhe një ditë më pas do të mësojnë edhe shortin e UEFA Europa Conference League.

Deri të shtunën, kur edhe pritet konkretizimi i marrëveshjes edhe me teknikun Brdariç, gjërat duket se ende nuk kanë hyrë në rrugën e duhur. Me disa nga 8 lojtarët që mbyllën sezonin e shkuar, mësohet se bisedimet kanë kohë që kanë nisur, por ata tanimë janë edhe në fokusin e skuadrave të tjera të Superiores dhe bindja për t’i pasur pronë të tyre kësaj here do të jetë disi më e vështirë. Megjithatë, kjo vështirësi rritet edhe më shumë, pasi kërkesat e tyre financiare mësohet se janë më të larta.

ANKANDI – Nga ana tjetër, një tjetër problem në këto momente nuk është vetëm të bindësh trajnerin që, sipas Xhaferit, quhet punën e përfunduar apo rinovimet dhe gjetja e lojtarëve për të përballuar kompeticionin europian apo sezonin e ri, por më shumë shqetësuese është si do të vijojë që të menaxhohet Vllaznia. Mospërfundimi i procedurave të ankandit dhe kalimi në duart e njeriut që bëri maksimumin e mundshëm që të ringrinte Vllazninë në nivelet ku të gjithë e prisnin, Alban Xhaferi, duket se ka jo pak ndikimin e vet te mosnisja e ndërtimit të skuadrës. Shkalla e vështirësisë ka të bëjë me vendimin që do të marrë Komisioni i Prokurimeve Publike.

Nëse vendimi i këtij organizmi është që të kthehet gjithçka nga e para, atëherë situata në klub mund të mos jetë shumë pozitive. Shpresat janë që ankandi të vijojë e që do të sillte edhe vijimin e punës te Vllaznia. Në të kundërt, gjithçka do të jetë pezull, ndonëse jo edhe në dëshirën e Xhaferit për të vijuar apo jo financimet e tij pranë kuqebluve. Pezullimi i përkohshëm i ankandit ka sjellë jo pak paqartësi, por ajo që shpresohet është që te Vllaznia të vijojë puna e nisur, që skuadra pas atyre sukseseve në sezonin i cili sapo u mbyll, të mos kthehet sërish tek ajo e viteve të fundit.

Related posts

Kukësi përcakton ditën kur do të prezantohet trajneri Armando Cungu

Isa.Autor

LIVE/ Juventus-Fiorentina, Milenkovic kalon “mysafirët” në avantazh

Delo.autor

Bundesliga kampionat i “lodhur”, sondazhi nxjerr Bayern kampion deri në vitin 2025

Sadik.Autor

Leave a Comment