Futboll Seria A Sport

NGA MERKATO TEK TROFETË/ Rrëfehet trajneri Pioli: Futbolli modern ka nevojë për lojtarë me dy karakteristika

Ndër trajnerët e paktë në Serinë A që i rezistoi valsit të pankinave. Stefano Pioli do të vijojë të jetë edhe për një vit trajner i Milanit, një status që e fitoi me punë dhe në fushë nëpërmjet rezultateve. Për herë të parë pas përfundimit të kampionatit, 56-vjeçari është rrëfyer në një intervistë për “La Repubblica”, duke zbuluar objektivat dhe pritshmëritë e sezonit të ri.

Do të mbeteni kuqezi edhe pas 2022-shit?

Nuk është përparësia për mua në këto momente. Me Maldinin dhe Masarën do të takohem së shpejti për të folur mbi mënyrat se si do të përforcojmë skuadrën.

Më 26 gusht do të hidhet shorti i Champions-it ku Milani rikthehet pas 7 vitesh…

“Bukuroshja e fjetur” do të zgjohet në shtëpinë e saj mes klubeve më të mëdha. Përpara ndeshjes me Atalantën i pyeta djemtë nëse dëshironin të luanin përsëri ndaj Rio Aves apo Sitit, PSG-së dhe Bajernit? Milani është i 53-ti në renditjen e UEFA-s e do të jetë në vazon e katërt ku më duket e çuditshme që të vendosën nënkampionët e Italisë. Megjithatë, duam të rritemi e të përballemi me më të fortët. Uroj që të jetë sezoni ynë i konfirmimit.

Ndiheni më shumë si magjistar, yshtës apo sprintier në fotofinish?

Ndihem thjesht i lumtur që punoj në një klub të tillë e me një grup të tillë. Do të kisha dashur të kisha mbajtur gjithmonë vendin e parë gjatë sezonit, megjithatë rënia që na ndodhi ishte normale e deri diku e prisja. Rëndësi ka që parimet e lojës nuk i vendosëm kurrë në diskutim.

Erdhi një moment kur Milani u duk sikur i humbi ekuilibrat. Përse?

Sepse na ndodhën shumë dëmtime e disa lojtarëve iu desh të shtrëngonin dhëmbët. Sistemi ynë mbetet gjithsesi i rrjedhshëm, madje më tepër sesa është parë. Fakti është që në varësi të rivalit zgjedhim strategjinë e ndërtimit të lojës për të pasur gjithmonë epërsi numerike. Nuk i lëmë asgjë rastësisë.

Pikërisht siç bëtë ndaj Atalantës?

Kur kishim formën e mirë, arrinim t’i sulmonim kundërshtarët deri në zonën e tyre të rreptësisë. Ndaj Atalantës zgjodhëm të mbronim në grup dhe jo një kundër një.

Ju mbronte edhe Donaruma, pa të cilin thoshit se nuk e imagjinonit dot ekipin…

Profesionist shembull e gjithmonë i përqendruar. Rinovimi është një bisedë që mundet ose jo të funksionojë. Në takimin e fundit e falënderuam njëri-tjetrin sepse kemi pasur një raport të sinqertë. Nga ana ime i urova fat për Europianin.

Çfarë mendoni kur Maldini thotë se nuk do të ketë merkato si e kohës së Berluskonit ndaj duhet që të tregoni imagjinatë?

Eprorët e mi e dëshmuan se kanë imagjinatë kur sollën në ekip djem si Kjaer, Selemekers apo edhe Tomorin të cilin nuk e njihja. Cilido qoftë buxheti ynë këtë verë, Milani vijon të jetë joshës. Për më tepër, kemi edhe një bazë solide me lojtarë si Hernandez, Tomori, Kjaer, Kesi, Kalabria, Çalhanoglu, Ibra. Na mbetet të përforcohemi e të konfirmohemi, çka është edhe aspekti më i vështirë.

Druheni se mund të keni të njëjtin fat si te Lacio kur u eliminuat që në eliminatoret e Champions-it?

Te Milani e kalova mallkimin e vitit të dytë, ndërsa në kohët e Lacios nuk u përballa si duhej me disa dinamika të grupit. Që nga ai sezon nuk kam bërë më kurrë ndërmjetësin, edhe pse kam rrezikuar të mos jem i dashur nga njerëzit.

2-0 ndaj Atalantës a mbyll një rreth të nisur me 0-5- ën e 2019-ës?

Zhgënjimet e mëdha të ndihmojnë të rritesh. Asokohe kaluam një Krishtlindje të vështirë, por pikërisht aty mori fill ideja jonë e lojës, ardhja e Ibrës dhe të bërit merkato në bazë të nevojave.

Ja që Ibra sivjet luajti vetëm gjysmën e ndeshjeve në kampionat…

Më vjen keq për dëmtimet e të gjithëve. Manxukiçin e morëm që të zëvendësonte Zlatanin pa na rënë niveli. Edhe në sezonin e ri Ibra nuk do t’i luajë dot të gjitha ndeshjet, por të paktën është në gjendje të dallojë kur mundet të sforcohet. Raporti mes nesh është i sinqertë, por na nevojitet një pykë sepse Champions-i është i rëndë, por jo më i rëndë se Liga e Europës që duhet ta luanim të enjteve.

Prisni një sulmues me përvojë apo një talent?

Kemi treguar pjekuri e jo më kot jemi skuadra me moshë mesatare më të ulët në pesë kampionatet madhore të Europës. Mendoj se nuk është çështje moshe më tepër sesa është çështje qasjeje. Futbolli modern ka nevojë për lojtarë me dy karakteristika: inteligjencë dhe aftësi për të rritur ritmin. Kur erdha unë, Milani kishte vetëm një hap, ndërkohë tani e përballon edhe një kundër një në fushë të hapur.

Po flisni për një lojë nga zona në zonë?

Gjykoj se ka kaluar koha e të menduarit “rëndësi ka të mos pësojmë”. Bota i përgatit ndeshjet në mënyrë për të nxjerrë në pah cilësinë.

Cilësi që e ka Kesi, lideri i ri?

Te Milani kemi më shumë se një lider e një mes tyre është edhe Kjaer. Kesi ka qenë një pikë referimi për shokët në momentet e vështirësisë. Deri një minutë përpara se të nisë stërvitja, e shoh të kërcejë e duket sikur nuk i intereson asgjë, teksa sa zbret në fushë, është shembull për këdo.

Kur do të kthehet Milani në majë të Europës?

Duhet të jemi aty me çdo kusht. Më ka mbetur peng mënyra se si na eliminoi Mançesteri. Në ndeshjen e parë na u anulua një gol pa të drejtë, ndërsa në atë të kthimit nuk patëm Ibrën, Rebiçin e Leaon, megjithatë në harkun e 180 minutave nuk patëm ndonjë vështirësi të madhe. Megjithatë, nga ato ndeshje nuk mund të mendojmë se jemi në gjendje të përballim ekipe si Bajerni, Siti apo Çelsi.

Pra, maja në Itali është më e afërt dhe e mundshme?

Them që hapat duhen hedhur një e nga një. Interi ka vite që punon për të dalë kampion, ndërsa Juventusi do të jetë përsëri mes favoriteve. Milani në këto kushte nuk duhet të humbasë vendosmërinë dhe entuziazmin.

Ekipet e Milanos, përsëri në krye. Si ju duket?

Milanoja është qendra e gjithçkaje në Itali dhe tërheq ekonominë e vendit. Më duket e drejtë që të jetë në majë. Klubi na mbështet dhe na mbron. Edhe Atalanta është një shoqëri e fortë dhe përkrah një teknik të madh si Gasperini.

Përse e mbajtën jashtë nga Super Liga atëherë?

Meritokracia është themeli i sportit, megjithatë UEFA e FIFA duhet të mendojnë mbi shkaqet që i shtynë klubet e mëdha të kërkojnë ndarjen. Ishte një sinjal që sistemi ekzistues ka dështuar.

Barça, Reali dhe Juvja rrezikojnë përjashtimin nga Champions-i…

Eksponentët më të mëdhenj të futbollit duhet të ulen në një tavolinë për të zhvilluar produktin. Nevojiten ballafaqime dhe ndryshime.

Ndërkohë, në stadiume po rikthehet publiku. Si ju duket?

Si fundi i një makthi e më bën të mendoj për emocionet e munguara në stadiume si ai i Sëlltikut, Junajtidit, Crvena Zvezdës apo për përkrahjen që do të kishim pasur ndaj Atalantës. Me tifozët pranë në “San Siro” nuk do ta kishim diskutuar Champions-in deri në javën e fundit të kampionatit.

Ja që thuhet se Milanin tuaj e ndihmoi mungesa e tifozëve…

Nuk kemi dështuar ndonjëherë në kontrollin e lojës, por nga statistikat e mbledhura kemi vënë re se problemi kanë qenë rezultatet e dobëta një kundër një në ndeshjet e shtëpisë. Në ekip nuk kam shumë driblues.

Ju duket e drejtë që të vazhdohet me pesë zëvendësimet?

Po, sepse 23 lojtarë në organikë nuk është pozitive që 8 a 9 prej tyre të ndihen larg zgjedhjeve.

Shevçenko thotë se për pozicionet jashtë loje duhen marrë si bazë vetëm gjoksi dhe gjunjët…

Në fakt, pozicionet jashtë loje milimetrike janë të vështira për t’u kapur e ndiej vështirësi edhe kur aksioni përsëritet disa herë.

Çfarë mendoni kur ju thonë se Milanin e kanë “përkrahur” me 20 penallti në favor të tij?

Janë akuza që nuk më prekin, madje mendoj se disa nuk na janë dhënë. Mendoj që VAR-i duhet të kthehet në origjinë e të ndërhyjë sa herë arbitri kryesor gabon dukshëm. Nuk u duhet besuar shumë imazheve të copëtuara pasi nevojitet që të merret parasysh vrulli sepse kontakt futbolli ka duke qenë se nuk është në një sport statik.

Paskeni disa vërejtje. Mund t’i thoni?

Shefin e arbitrave, Ricoli, e vlerësoj, por e këshilloj që të vendosë dyshe të përhershme arbitrash kryesorë dhe VAR-i që ata të alternohen e të kenë mundësi të përmirësojnë të njëjtën mënyrë arbitrimi. Kaq shumë sa i ndryshojnë aktualisht, bie në sy që nuk merren vesh mirë me njëri-tjetrin.

Më 26 gusht 2015 Leverkuseni eliminoi nga Champions-i Lacion tuaj. A ka ardhur koha për hakmarrje?

Do të jetë ndeshja e parë për mua në Champions. Rritja vazhdon dhe pasioni më mundëson të jem kureshtar e me dëshirë për t’u përmirësuar. Ndihem i kompletuar, por kam ende dëshirë të përballem me trajnerë më të mëdhenj.

Related posts

PSG interesohet për Miralem Pjanic/ Francezët i ofrojn dyfishin e pagës që merr te Juventusi.

Sadik.Autor

E FUNDIT/ Apeli refuzon ankesën e Ancelottit, Koulibaly humbet ndeshjen e rradhës

Delo.autor

Samuel Umtiti pritet të largohet nga Barcelona këtë verë

Sadik.Autor

Leave a Comment