Futboll Sport

PËRBALLJA ME ANGLINË/ Modriç: Ishullorët duan hakmarrje, as që e mendoj tërheqjen

Luka Modriç e di që ky do të jetë turneu i tij i fundit në një kombëtare të plakur tashmë që ka nisur të ndryshojë brezin. Por, kapiteni i Kroacisë nuk mendon për pensionin, përpara shansit të fundit për të bërë një tjetër mrekulli si ajo e Botërorit “Rusi 2018”, ku skuadra e tij shkoi deri në finale.

“Ndeshja me Anglinë do të na ndihmojë për të kuptuar menjëherë se në çfarë niveli jemi. Anglia do të jetë me siguri e motivuar për shkak të përballjeve të fundit dhe në veçanti në Botërorin e Rusisë. Tifozët anglezë presin nga ata që të hakmerren, por kjo është një gjë e mirë. Neve na pëlqen që të luajmë në ndeshje të tilla”, tha mesfushori i Realit të Madridit në konferencën për shtyp. I pyetur disa herë nga gazetarët se kur ka vendosur që të varë këpucët në gozhdë, 35-vjeçari u përgjigj: “Për momentin unë ndihem mirë. Atëherë kur nuk do të ndihem më kështu, pavarësisht se unë dyshoj se do ta humbas ndonjëherë këtë pasion që kam për të luajtur me kombëtaren, pavarësisht moshës sime. Por, do të vijë një moment kur unë do të kuptoj se nuk mund ta ndihmoj më skuadrën dhe do të vijë një trajner i ri që në të ardhmen të më thotë se nuk ka më nevojë për mua”.

DALIÇ – Kroacia mbërriti në Londër ditën e premte. Stërvitjen e fundit trajneri Zlatko Daliç e kreu me dyer të mbyllura. “Anglia është një nga skuadrat favorite për të fituar Europianin. Ata kanë një ekip të shkëlqyer, me shumë lojtarë klasi, veçanërisht në sulm. Ne do të na duhet që t’i ndalim dhe nuk do të jetë e lehtë, veçanërisht në ‘Wembley’. Objektivi ynë kryesor do të jetë që të kalojmë fazën e grupeve. Pastaj do të mendojmë hap pas hapi, por unë nuk do të shikoja aq larg në këto momente. Fillimisht, duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të arritur në fazën me eliminim direkt”, tha trajneri i Kroacisë.

LIVAKOVIÇ – Ndërsa portieri Dominik Livakoviç shtoi se ndeshja e së dielës do të jetë më e rëndësishmja në karrierën e tij: “Mendoj se është më e rëndësishmja, po. Anglia ka sulmues të klasit botëror dhe unë shpresoj që të jem në gjendje t’i ndal. Herri Kejn do të jetë kërcënimi im më i madh. Kam luajtur kundër Rahim Sterlingut gjithashtu. Ai është shumë i shpejtë, por e kam të vështirë të zgjedh se cili është më i miri. Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme dhe të gjithë e dimë se çfarë do të thotë. Është e rëndësishme ta nisim Europianin me një rezultat pozitiv. Unë kam pasur eksperienca pozitive në ndeshjet kundër Anglisë dhe shpresoj që kjo të vazhdojë”.

Related posts

“BOMBA” E UEFA-s ZBULON/ Si u trukua Kukësi 3-1 Kastrioti. U hodhën baste… (FOTO)

F.autor

ÇFARË SPEKTAKLI/ Djali i Marcelos, një top meskëmbëve Seedorfit

Isa.Autor

Batshuayi dyshohet se ka thyer këmbën ndaj Schalke-s

Sadik.Autor

Leave a Comment